Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Taki Fiti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se qytetarët e Maqedonisë duhet të votojnë pro marrëveshjes Maqedoni-Greqi në referendum, sepse siç tha, marrëveshja ”siguron identitetin dhe gjuhën e popullit maqedonas”.
Akademiku Fiti konsideron se nëse dështon referendumi “Maqedonia do të gjendet në një situatë shumë të rëndë”.
“Me siguri ka ndikim nga Rusia; Rusia nuk do që këto anë të hyjnë në NATO e kështu me radhë, por pa marrë parasysh gjithë këto, unë mendoj se parë në thelb, dhe nëse e shohim analizën, ne jemi vend evropian tipik, dhe ne duhet të kyçemi tek vlerat dhe standardet perëndimore”, vlerëson Fiti.
SHIKONI EDHE: Mitchell: Votoni në referendum, është mundësi historikeNga ana tjetër, akademiku shqiptar Alajdin Abazi, thotë se referendumi suksesshëm i hap shumë mundësi Maqedonisë si shtet në drejtim të integrimeve euroatlantike, andaj duhet përkrahur nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
Abazi thotë se kanë mbetur dhe shumë çështje që tangojnë interesat e shqiptarëve, megjithatë shton se shqiptarët duhet ta mbështesin referendumin sepse sipas tij, rezultati pozitiv i referendumit i hap rrugë të gjatë ndryshimeve kushtetuese që parashihet me zbatimin e marrëveshjes Maqedoni-Greqi për çështjen e emrit, si dhe të inkorporohen dhe kërkesat e shqiptarëve për avancimin e statusit të tyre.
“Unë shpresoj që elita, partitë politike shqiptare, do të angazhohen që gjatë rrugës së ndryshimeve kushtetuese të zgjidhen dhe çështjet që tangojnë statusin e shqiptarëve të Maqedonisë”, tha akademik Alajdin Abazi.
Akademiku maqedonas Taki Fiti, thotë se pas referendumit do të kërkohet që të arrihet një kompromis mes grupeve punuese në nivel ekspertësh të dy vendeve, që emrat e institucioneve të mos pësojnë ndryshime, siç është rasti me Bankën Popullore maqedonase, televizionin maqedonas, Operën maqedonase.
“Ka disa institucione të cilat e mbajnë atributin maqedonas, si Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve, Radiotelevizioni Maqedonas, Opera dhe Baleti Maqedonas e kështu me radhë. Këto nuk janë shumë, për shkak se ato e njohin atributin maqedonas: ‘kulturë maqedonase’, ‘traditë maqedonase’, ‘verë maqedonase’ e kështu me radhë".
"E gjithë kjo është në rregull, por këto janë pak institucione ku qëndron ai atribut. Për shembull, kemi Institutin e Gjuhës Maqedonase... Si ta ndërrojmë atë? Tautologji është të shkruani: Institut i Gjuhës Maqedonase i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këto janë tautologji. E këtu, shihni, ekspertët tanë dhe ata që i konsultuam mendojnë se ka një farë fleksibiliteti; për këto disa institucione ndoshta do të duhet të bisedohet, atë që edhe akademiku Vllado Kambovski deklaroi, “bona fide”, pra me vullnet të mirë dhe të shohim a do të mund të zgjidhet kjo, që të mos ndërrohen emrat e këtyre institucioneve”, thotë Fiti.
Por, akademiku shqiptar Alajdin Abazi, thotë se ka ardhur koha që institucionet shtetërore të përcaktohen në bazë të emrit të shtetit dhe jo përkatësisë së etnitetit maqedonas, sepse në këtë mënyrë institucionet shtetërore identifikohen vetëm me kulturën, historinë dhe identitetin maqedonas.
SHIKONI EDHE: Liderët perëndimorë, në rresht për të vizituar Maqedoninë“Kur thuhet akademia apo një organizatë tjetër maqedonase, shtrohet dilema se a është institucion ky vetëm për maqedonasit apo përkufizon gjeografinë. Pra, nëse ai institucioni ynë Akademia e shkencave është për vendin, atëherë do të duhet që edhe emri i këtij institucioni të merr emrin e shtetit që është përkufizuar me marrëveshjen Maqedoni-Greqi , Maqedonia e Veriut, dhe në këtë rast do të duhej të jetë 'Akademia e Shkencave të Maqedonisë së Veriut'".
“Akademia e shkencave nuk është e përkufizuar vetëm për maqedonasit sepse këtu ka edhe shqiptarë si dhe qytetarë të përkatësive etnike dhe fetare, kështuqë nuk besoj se nuk do të arrihet kërkesa e akademikëve maqedonas që të mos pësojnë ndryshime emrat e institucioneve, përkatësisht në rastin konkret të mbetet emri Akademia Maqedonase e Shkencave“ thotë Abazi.
Akademikët Fiti dhe Abazi janë të një mendimi se referendumi i suksesshëm përshpejton procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE me çka hapen perspektiva për ndërtimin e Maqedonisë si një shtet demokratik dhe perspektiva të shumta në planin ekonomik.