Ndërlidhjet

Mitchell: Votoni në referendum, është mundësi historike që s’përsëritet


Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov, dhe , ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell. Shkup 13 shtator 2018
Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov, dhe , ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell. Shkup 13 shtator 2018

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bëjnë thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të dalin dhe të votojnë në referendumin e 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit.

“Ky është një vendim, të cilin vetëm maqedonasit mund ta sjellin, andaj edhe ju inkurajoj që të shfrytëzoni të drejtën tuaj, por edhe përgjegjësinë dhe në referendum të dilni dhe të votoni. Mendoj se kjo është një mundësi historike dhe mendoj se duhet të dilni pasi vlerësoj se janë të vogla gjasat që të keni edhe një mundësi tjetër”, ka porositur në Shkup, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell pas takimit me kryeministrin, Zoran Zaev.

Mitchell tha se ka pasur bisedime konstruktive me kryeministrin Zoran Zaev, shefin e diplomacisë, Nikolla Dimitrov, kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe liderin e opozitës, Hristijan Mickovski. Në këto takime diplomati amerikan tha se vendimin në referendum mund ta sjellin vetëm qytetarët e Maqedonisë.

“Maqedonia në rrugën drejt perëndimit është një kohë të gjatë, i ftoj të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën dhe lirinë themelore për të votuar. Është në interes të Maqedonisë që t’i siguroj se zëri i qytetarëve të saj do të dëgjohet. SHBA-ja mbështet Maqedoninë në këtë proces. Besoj se është në interes të Maqedonisë, në interes të Evropës dhe të Amerikës që të ketë Ballkan stabil, të sigurt dhe prosperues. Ky ishte mesazhi im në të gjitha takimet”, ka deklaruar Mitchell.

I pyetur lidhur me pasojat nëse referendumi dështon, Mitshell tha se nuk dëshiron të spekulojë, por edhe njëherë përsëriti mbështetjen amerikane për Maqedoninë duke theksuar se Uashingtoni është i interesuar për ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë në rajon.

Në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të publikuar pas takimit të diplomatit të lartë amerikane me ministrin Nikolla Dimitrov, thuhet se “SHBA-ja në këtë takim ka theksuar pritjet për një referendum të suksesshëm dhe zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë”.

Dimitrov, në takim nënvizoi rëndësinë që ka për Maqedoninë mbështetja nga Shteteve të Bashkuara për integrimin euroatlantik të Maqedonisë dhe bashkëpunimin e bazuar në partneritetin strategjik.

“Anëtarësimi ynë i merituar në NATO do të kontribuojë në ndërtimin e një Maqedonie me prosperitet dhe të sigurt, e cila është e rëndësishme për të gjithë rajonin”, deklaroi në takim, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Në Shkup ka qëndruar edhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Kryeministri Zoran Zaev, dhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, Shkup, 13 shtator 2018.
Kryeministri Zoran Zaev, dhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, Shkup, 13 shtator 2018.

“Më 30 shtator kur të dilni në votime, kujtohuni se ju e keni në dorë çelësin e ardhmërisë. Mos heshtni, çelësat janë te ju dhe mos e lëshoni këtë mundësi, pasi bëhet fjalë për të ardhmen Tuaj”, deklaroi Mogherni në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku qëndroi së bashku me kryeministrin Zaev dhe përfaqësues tjerë të Qeverisë.

Mogherini tha se dyert e BE-së mbeten të hapura dhe se vetëm me unitet dhe përkushtim mund të arrihet shumë në raport me prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Duke komentuar qëndrimin e opozitës që qytetarët të vendosin sipas bindjes së tyre në referendum, shefja e diplomacisë evropiane tha se nuk përzihet në politikën e brendshme të vendit, por edhe njëherë u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe “ta shfrytëzojnë momentin historik”.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG