Edhe rreth 30 afganë të mbetur në kampin Bondsteel

Fëmijë afganë duke luajtur në kampin Bondsteel në Kosovë më 27 tetor 2021.

Për rreth 30 qytetarë afganë që ikën nga pushtimi taliban, rruga drejt zhvendosjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bllokuar në kampin Liya, brenda bazës ushtarake amerikane, Bondsteel, në Ferizaj. Disa prej tyre nuk kanë kaluar verifikimet e nevojshme të sigurisë, e të tjerët janë ende në proces. Nga Departamenti i Shtetit thonë se janë duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejt për ta, ndërkohë, Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme të vazhdojë qëndrimin e tyre në Kosovë edhe për një vit.

Në gusht të vitit 2021, Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar deri 2.000 afganë që kishin punuar me forcat e huaja në 20 vjetët e fundit, pasi talibanët morën Kabulin në mes të gushtit. Afganët u strehuan në dy lokacione shumë pranë njëra-tjetrës në kampin e kompanisë Bechtel-Enka, si dhe kampin Liya brenda bazës ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel në Ferizaj.

Grupi i parë i afganëve arriti në Kosovë më 29 gusht të vitit 2021.

*Video nga arkivi: Arritja e afganëve në Kosovë

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova mirëpret afganët

Sipas Qeverisë së Kosovës, rreth 1.900 afganë janë strehuar në Kosovë që nga ajo kohë. Shumica prej tyre janë zhvendosur në SHBA, disave u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ata nuk e kanë kaluar procesin e verifikimit. Një numër prej të tyre janë zhvendosur në ndonjë shtet të tretë.

Në Bondsteel, sipas Qeverisë, ende gjenden rreth 30 afganë. Ata nuk lejohen të dalin nga kampi.

Qëndrimi i tyre në Kosovë u tha se do të ishte shumë i shkurtër, më së shumti një vit, derisa, siç kishte deklaruar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, “t'iu rregulloheshin dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara”.

SHIKONI EDHE:

Afganët në Kosovë: Të sigurt e të mbyllur në kampeE ardhme e paqartë për afganët në Kosovë

Por, pas kalimit të vitit të parë, Kosova vendosi ta zgjasë marrëveshjen edhe për një vit tjetër, deri në fund të muajit gusht të këtij viti.

Ky afat mund të zgjatet edhe për një vit tjetër, thonë në Qeveri.

“Pa dyshim se Republika e Kosovës gjithmonë është e gatshme që t’u shërbejë si partnere Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo mundësi që i jepet, duke përfshirë këtu edhe mundësinë e zgjatjes së afatit të marrëveshjes për strehimin e qytetarëve afganë, nëse një gjë e tillë paraqitet si nevojë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, asnjë prej tyre nuk ka paraqitur kërkesë për qëndrim apo azil në Kosovë.

Qasja e Radios Evropa e Lirë në këtë kamp nuk është mundësuar.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se “për arsye sigurie dhe privatësie, qasja në bazë është e kufizuar”.

Ai shtoi se janë duke punuar për të gjetur një “zgjidhje alternative dhe të qëndrueshme bazuar në një sërë faktorësh, duke përfshirë preferencat e tyre, familjen, punësimin dhe lidhjet e tjera”.

Ndërsa për afganët, të cilëve u është refuzuar zhvendosja në SHBA për shkak të moskalimit të verifikimit të sigurisë, DASH-i është në kërkim të shteteve që mund t’i pranojnë ata.

“Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të identifikuar vendet që do t’i pranojnë afganët që nuk mund të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësi i DASH-it.

SHIKONI EDHE: DASH konfirmon se disa afganëve në Kosovë u është refuzuar hyrja në SHBA

Kush ishin dhe ku shkuan afganët pas Kosovës?

Disa nga afganët që qëndruan në faza të ndryshme në Kosovë përfshinin profile të larta publike si ish-udhëheqës të Agjencisë së Inteligjencës afgane dhe ushtarakë të dekoruar.

Mohammad Arif Sarwari, ish-shef i inteligjencës afgane ishte strehuar në Kosovë dhe pas disa muaj qëndrimi ai arriti të negocionte largimin nga kampi Liya për në vend tjetër.

Vitin e kaluar, Sarwari kishte ndarë me mediat amerikane disa fotografi të një proteste që afganët kishin organizuar në kampin Liya, për shkak të kushteve jo të mira dhe ngadalësisë së institucioneve amerikane në procesin e verifikimit.

Sarwari është larguar nga Kosova në fillim të vitit të kaluar. Avokatja Julie Sirrs që po asiston Sarwarin në procesin e zhvendosjes në SHBA, tha për REL-in se ai nuk dëshiron të ndajë informacione rreth situatës në të cilën gjendet.

Më herët, Sirrs kishte thënë për REL-in se Departamenti Amerikan i Shtetit do të duhej të përshpejtonte procesin e verifikimit të afganëve.

SHIKONI EDHE:

Verifikimi i së kaluarës mund t’ua zgjasë afganëve qëndrimin në Kosovë Vazhdon verifikimi i afganëve të strehuar në Kosovë

Zyrtarisht DASH-i tha se më shumë se 1000 afganë që qëndruan në kampet Liya dhe Bechtel Enka, kaluan verifikimet e sigurisë dhe u transferuan në SHBA.

Aleanca e NATO-s njoftoi në prill të vitit të kaluar se rreth 90 afganë u larguan nga kampet Liya dhe Bechtel Enka dhe se u zhvendosën në Maqedoni të Veriut dhe Lituani.

Disa afganë të tjerë, pasi iu është refuzuar zhvendosja në SHBA, janë kthyer në Dubai prej nga ishin transferuar në Kosovë. Në disa raste, afganët janë kthyer në shtetin e tyre, Afganistan.

Departamenti i Amerikan i Shtetit tha për REL-in, se nuk kërkon e as detyron askënd të kthehet në Afganistan, por do të asistojë ata që bëjnë kërkesë të kthehen vullnetarisht.

“Shtetet e Bashkuara do të lehtësonin riatdhesimin vetëm nëse kërkohet nga individi në fjalë. Shtetet e Bashkuara nuk kanë kërkuar – dhe nuk do të kërkojnë – nga askush që të kthehet në Afganistan”, tha zëdhënës i DASH-it për REL-in.


Në shtator të vitit të kaluar zyrtarët amerikanë kishin filluar negociatat me shtetin e Surinamit për t’i dërguar afganët që nuk kalojnë verifikimin për zhvendosje në SHBA.

Mediumi amerikan, Wall Street Journal, kishte raportuar se grupi i afganëve të strehuar në Kosovë i kishte thënë SHBA-së se ata kanë shqetësime rreth planit për t'i dërguar ata në Surinami për shkak të nivelit të krimit në vend dhe gjendjes së keqe ekonomike.

Çfarë ndodhi në Afganistan?

Në muajin shkurt të vitit 2020, SHBA-ja dhe talibanët arritën një pajtim të njohur si “Marrëveshja e Dohas” sipas së cilës SHBA-ja obligohej të tërhiqte trupat e saj nga Afganistani gjatë vitit 2021.

Megjithëse forcat afgane të sigurisë ishin të financuara mirë dhe të pajisura mirë, ato bënë pak rezistencë pasi militantët talibanë pushtuan pjesën më të madhe të vendit pas tërheqjes së trupave amerikane që filloi në fillim të muajit korrikut.

Më 15 gusht presidenti afgan, Ashraf Ghani, u largua nga Afganistani dhe befasisht talibanët morën kontrollin mbi kryeqytetin afgan, Kabul.

Shumë afganë që kishin punuar me Qeverinë e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleancën e NATO-s, me familjet e tyre bllokuan aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, në përpjekje për t’u larguar nga vendi

*Video nga arkivi: "Më mungojnë rrugët e pluhurosura" - Afganët në Shqipëri të mërzitur nga pritja

Nga frika e persekutimit nga regjimi i rikthyer taliban, SHBA-ja dhe shtetet aleate larguan nga shteti rreth 130 mijë afganë të rrezikuar.

Evakuimi zgjati gati dy javë.

Kush janë talibanët?

Të krijuar në vitin 1994, talibanët përbëheshin nga ish-luftëtarë të rezistencës afgane, të njohur kolektivisht si muxhahedinë, të cilët luftuan forcat pushtuese sovjetike në vitet 1980.

Ata synonin të impononin interpretimin e tyre të ligjit islamik në vend - dhe të hiqnin çdo ndikim të huaj.

SHIKONI EDHE: OKB: Talibanët i kanë shtuar kufizimet ndaj grave dhe vajzave afgane

Pasi talibanët pushtuan Kabulin në vitin 1996, organizata islamiste sunite vendosi rregulla të ashpra.

Gratë u detyruan të mbajnë mbulesa nga koka te këmbët, iu ndalua të studionin, të punonin dhe iu ndalohej të udhëtonin vetëm.

Televizioni, muzika dhe festat joislame u ndaluan gjithashtu.

Situata ndryshoi pas sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 kur nën orkestrimin e liderit të Al-Kaidës, Osama bin Laden, u kryen sulme terroriste në SHBA ku u vranë më shumë se 2.700 njerëz.

Pas më pak se një muaji, SHBA-ja dhe forcat aleate pushtuan Afganistanin në përpjekje për të ndaluar talibanët të sigurojnë një strehë të sigurt për Al-Kaidën.
Pas dy dekadash, talibanët u rikthyen në pushtet në vitin 2021 dhe janë dukë imponuar rregullat e ashpra islame që i aplikuan në vitet ‘90.