Ndërlidhjet

Vazhdon verifikimi i afganëve të strehuar në Kosovë


Punëtorët duke vendosur tendat brenda kampit Bondsteel, në përgatitje për arritjen e shtetasve afganë. Kosovë 25 gusht 2021.
Punëtorët duke vendosur tendat brenda kampit Bondsteel, në përgatitje për arritjen e shtetasve afganë. Kosovë 25 gusht 2021.

Mbi 600 shtetas afganë, nga 1,307 sa kanë gjetur strehim në Kosovë qysh në fund të gushtit, janë larguar drejt vendeve të treta.

Pasi u janë nënshtruar procedurave të verifikimit, ata kanë udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Anglisë e Norvegjisë.

Sipas Jeta Telës, këshilltare e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, “620 afganë kanë dalë nga Kosova”, ndërsa “687 mbeten në vend”.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, jemi duke punuar bashkërisht në këtë operacion. Gjendja [e të strehuarve] është e mirë. Kemi vazhdimisht persona, të cilët verifikohen dhe, në bazë të marrëveshjeve që kemi, ata vazhdojnë për në vende të tjera”, tha Tela për Radion Evropa e Lirë.

Afganët që janë strehuar në Kosovë, janë në mesin e të ikurve nga Afganistani, prejse ky vend ka rënë nën kontrollin e militantëve talibanë, në mes të gushtit.

Kosova është në mesin e disa vendeve që kanë pranuar përkohësisht shtetas afganë, derisa atyre t’iu përfundojnë procedurat ligjore për riatdhesim në SHBA dhe vende të tjera.

SHBA-ja ka programe për riatdhesimin e atyre afganëve që kanë punuar drejtpërdrejt me ushtrinë amerikane apo organizata të financuara nga Qeveria amerikane, gjatë 20 vjetëve të fundit.

Sipas institucioneve të Kosovës, qytetarët afganë që janë strehuar në Kosovë, kanë qenë kryesisht bashkëpunëtorë të NATO-s dhe forcave të tjera aleate që prej fillimit të luftës në Afganistan në vitin 2001.

Që nga arritja e tyre në Kosovë, ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mbyllur në dy kampe - kampin ushtarak amerikan Bondsteel dhe një kamp tjetër afër tij, i njohur si kampi ndërtimor Bechtel-Enka. Që të dyja këto kampe janë në afërsi të qytetit të Ferizajt.

Agjencia Associated Press, në muajin tetor, ka raportuar se dhjetëra afganë që janë dërguar në Kosovë, kanë pasur probleme të sigurisë gjatë procesit të verifikimit.

New York Times po ashtu ka raportuar në tetor se “dhjetëra persona, që duket se kanë pasur të kaluar kriminale apo kanë pasur lidhje me militantët, janë dërguar në një bazë në Kosovë, ku fati i tyre është i pasigurt”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha më 15 nëntor se në kampin Bondsteel në Kosovë, ku janë të vendosur shtetasit afganë, autoritetet amerikane po vazhdojnë verifikimin e tyre, përpara se të transferohen në një vend të tretë.

“Si pjesë e procesit të vazhdueshëm të verifikimit për të evakuuarit afganë, disa nga ata, rastet e të cilëve kishin nevojë për përpunime shtesë, janë zhvendosur në kampin Liya, që ndodhet në kampin Bondsteel në Kosovë. Ekipet ndërinstitucionale po punojnë për të përfunduar procesin e pranimit të tyre eventual në Shtetet e Bashkuara ose për zhvendosjen në një vend të tretë”, tha Price gjatë një paraqitjeje për media.

“Ne jemi mirënjohës për të gjithë partnerët tanë dhe kjo përfshin edhe Qeverinë e Kosovës, që ka lejuar që këta të evakuuar të strehohen përkohësisht në kampin Liya. Ne po i ndërmarrim të gjitha përpjekjet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të rehatshëm në kampin Bondsteel, ndërkohë që verifikimi është duke u zhvilluar”, tha Price.

Ndihma për afganët e ardhur në Kosovë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

I pyetur se si mund të jenë të sigurt zyrtarë amerikanë që afganët do të qëndrojnë përkohësisht, nëse disa prej tyre nuk mund ta kalojnë procesin e verifikimit të sigurisë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara, Price tha: “Ne jemi të sigurt që afganët e evakuuar do të mund të rivendosen në SHBA ose në ndonjë shtet të tretë, sido që të jetë e përshtatshme”.

Edhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë ngritur dyshime nëse ka një plan konkret se çfarë do të ndodhë me qytetarët afganë që janë në Kosovë për verifikime shtesë, para se të kompletojnë dokumentacionin për të nisur një jetë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hulumtuesja në organizatën ndërkombëtare Amnesty International, Jelena Sesar, është kritike ndaj administratës amerikane dhe institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces për, siç thotë ajo, minim të informacioneve.

“Ne nuk e dimë se cili është statusi i këtyre njerëzve. A janë në mbajtje? Nëse janë, a kanë qasje në asistencë ligjore, por edhe më problematik është fakti për të cilin ne jemi të shqetësuar se cili është plani për këta njerëz? A ka plane për zhvendosjen e tyre? A janë këta njerëz në rrezik që të rikthehen në Afganistan dhe, kini parasysh, shumica nga ta kanë ardhur në Kosovë me familjet e tyre. Pra, ka gra dhe fëmijë që do të prekeshin nga ky vendim”, thotë Sesar.

Sipas saj, SHBA-ja dhe institucionet e Kosovës duhet të kujdesen që t'i respektojnë ligjet dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke përjashtuar në çdo rast mundësinë e rikthimit të të zhvendosurve në Afganistan.

Forcat ndërkombëtare, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit, janë tërhequr nga ky vend në fund të gushtit.

Rreth 60 mijë persona që kanë ikur nga ky shtet përmes fluturimeve ushtarake të organizuara nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera aleate, kanë përfunduar në vende të ndryshme të botës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG