Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së parë në Hagë, u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritur nga Dhomat e Specializuara. Pala mbrojtëse tha se do të dorëzojë kërkesën për lirimin e përkohshëm të Thaçit.
Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.
"Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës", tha Thaçi, kur u pyet nga gjykatësi i procedurës paraprake, nëse ndihet i pafajshëm apo fajtor rreth atakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ai e cilësoi aktakuzën kundër tij si "të paqëndrueshme" dhe tha se është i pafajshëm "plotësisht".
Mbrojtja: Ku janë akuzat për vjedhje organesh?
Avokati i Thaçit, David Hooper tha se aktakuza është tejet e redaktuar, dhe nuk është aq informuese dhe treguese për mbrojtjen.
Mbrojtja e Thaçit pyeti gjykatën se ku janë akuzat për vjedhje organesh dhe të ashtuquajturën Shtëpi të Verdhë, që sipas tij, janë "njollë mbi Kosovën dhe kosovarët".
"Ku janë këto pretendime për vjedhjen e organeve njerëzore dhe historisë e Shtëpisë së Verdhë e cila ishte e rëndësishme për krijimin e kësaj gjykate", tha Hooper, duke shtuar se asnjë nga këto pretendime nuk përmenden në aktakuzën e konfirmuar ndaj Thaçit.
Hooper ngriti edhe çështjen e vendosjes së prangave ndaj Thaçit, gjatë marrjes nga qendra e paraburgimit e deri në sjelljen në objektin e gjykatës.
Administratorja e Dhomave tё Specializuara Fidelma Donlon tha se parashihet që të akuzuarit të shoqërohen me pranga deri në futjen e sallës së gjyqit, pavarësisht se kush është personi që akuzohet.
Hooper madje kritikoi që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, që nuk kanë simbole të Kosovës, ndonëse janë krijuar nga Prishtina zyrtare.
"Këto pretendime Thaçi i dinte se ishin gjepura, ai ndihmoi Komisionin Evropian në krijimin e kësaj gjykate", tha ai.
Hooper ka thënë se pala mbrojtëse do të bashkëpunojë me gjykatën, por ka argumentuar, se për shkak të kohës së shkurtër, që prej njoftimit për konfirmimin e aktakuzës e deri në paraqitjen e parë të klientit të tij para gjykatës, nuk kanë arritur që të formojnë një ekip mbrojtës.
Mbrojtja po ashtu ka kërkuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar të argumentojë se pse Thaçi po mbahet në paraburgim dhe të paraqes fakte se pse ai po konsiderohet se mund t’i ikë drejtësisë.
SHIKONI EDHE: Konfirmimi i aktakuzës dhe çka pastaj?Alan Tieger nga Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se brenda javës do të japin informacione për mbrojtjen duke argumentuar se kanë vendosur që ta ndalojnë Thaçin që të ruajnë sigurinë e proceseve gjyqësore dhe të mbrojnë dëshmitarët si dhe për të parandaluar ndërhyrjen mbi drejtësi.
Sa i përket rrezikut për drejtësi, prokurori Tieger, i cili ka qenë prokurori kryesor në rastin ndaj Radovan Karaxhit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, përmendi disa nga aktivitetet e fundit të Thaçit, të cilat ai tha se mund të shihen si rrezik për ndërhyrje.
“...përfshirë ngjarjet apo aktivitetet e fundit, si për shembull faktin që zoti Thaçi, ditën e fundit fare përpara se të fillonte procesi i arrestit, u informuam për faljen e dy personave të cilët ishin të dënuar për vrasjen e një bashkëpunëtori të pretenduar që nga viti 2001, që ishin dënuar më 2012 dhe pastaj ishin larguar në drejtim të paditur për një periudhë kohore”, tha Tieger.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se Thaçi, në ditën e fundit si president i Kosovës, ka falur dy të dënuar në rastin gjyqësor të njohur në opinion si “Bllaca”.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou i lexoi Thaçit të gjitha të drejtat dhe kërkoi nga palët që të deklarohen rreth një date për mbajtjen e konferencës statutore.
Pala mbrojtëse tha se sugjeron që konferenca statutore të mbahet më 30 nëntor.
Në Rregullorën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, rregulla 96 thuhet se “Gjykatësi i procedurës paraprake thirr një konferencë mbi ecurinë e çështjes sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas paraqitjes së parë të të akuzuarit”.
Më herët gjatë ditës së hënë, pranë këtyre dhomave, paraqitjen e parë e bëri edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili u deklarua i pafajshëm dhe e quajti aktakuzën si “padrejtësi të madhe” ndaj tij.
Your browser doesn’t support HTML5
Më 10 nëntor, pranë këtyre dhomave do të paraqitet edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.
Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi, të gjithë ish-eprorë të UÇK-së, janë arrestuar javën e kaluar në Prishtinë, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Menjëherë pas arrestimit, ata janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Më 5 nëntor, Thaçi – i cili ka shërbyer si drejtor politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës –dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konfirmimit të aktakuzës.
Aktakuza
Aktakuza e përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, prej 68 faqesh është konfirmuar më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.
Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit.
Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Aktakuza pretendon se këto krime janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.
Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.
Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
SHIKONI EDHE: Rastet pranë Gjykatës Speciale në Hagë
Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në "kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve".
Dhomat e Specializuara pretendojnë se në korrik të vitit 1998, pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë, ishin marrë peng civilë serbë, sipas aktakuzës në këto operacione ishin të përfshirë, Thaçi, Veseli e Selimi. Sipas aktakuzës, disa të ndaluar më pas ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi ishte identifikuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.
Në një tjetër rast, që sipas aktakuzës pretendohet se ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, ku, siç pretendon Gjykata, “Thaçi dhe Selimi ndërmorën hapa për të frikësuar dhe ushtruar dominim ndaj njësive që ishin të lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që ishin të lidhura me qeverinë në ekzil”.
Aktakuza pretendon se më 1999, Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.
Në aktakuzë pretendohet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.
SHIKONI EDHE: Ellis: Gjykata Speciale në sprovë nga aktakuzatSipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave ; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet... etj”.
Përmes veprimeve ose mosveprimeve, thotë aktakuza, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.
Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.
Ndryshe, i akuzuari i parë i Dhomave të Specializuara ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
SHIKONI EDHE: Mustafa deklarohet i pafajshëm për aktakuzën për krime lufteAi tashmë ka deklaruar i pafajshëm për akuzat për krime lufte, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.