Ndërlidhjet

Ellis: Gjykata Speciale në sprovë nga aktakuzat


Mark Ellis.
Mark Ellis.

Dr. Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, dhe ekspert i së drejtës penale ndërkombëtare, i tha Radios Evropa e Lirë se aktakuza e konfirmuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të jetë një sprovë për Dhomat e Specializuara, që të sigurojë një proces gjyqësor, i cili do të përmbushë standardet e së drejtës ndërkombëtare. Sipas tij, do të jetë “interesante të shihet se si do ta provojë rastin Dhomat e Specializuara rreth ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, për të cilën akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi.

Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ellis po ashtu tregoi nëse do të jetë sfiduese për prokurorinë që të vërtetojë aktakuzën.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ellis, aktakuza kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit është konfirmuar tashmë dhe ata janë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Për fillim, si e shihni ju këtë zhvillim?

Mark Ellis: Fillimisht mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm për gjykatën, posaçërisht për Dhomat e Specializuara, sepse me të fuqizohet rëndësia e mandatit që ka, dhe fakti që ka qenë në gjendje – ndonëse jo pa sfida – të sigurojë aktpadi ndaj individëve të profilit të lartë. Së dyti, është me rëndësi edhe për Kosovën, sepse e fuqizon zotimin e Kosovës karshi së drejtës ndërkombëtare, dhe pavarësisht nga funksioni politik që kanë mbajtur personat e akuzuar për këto krime, ky hap dëshmon se nuk ka imunitet për individët që akuzohen për krime të këtilla.

Së treti, dua të nënvizoj se këto janë akuza dhe është e rëndësishme për ne, që të mbajmë në mend se procesi gjyqësor tash ka filluar. Unë besoj fuqishëm në drejtësi dhe në faktin se një individ duhet të cilësohet si i pafajshëm derisa të shpallet fajtor. Do të jetë një sprovë edhe për Dhomat e Specializuara tani, të sigurojë një gjyq që do të jetë i ndershëm, i paanshëm dhe i cili do të përmbushë standardet e së drejtës ndërkombëtare.

Prokurorët po përqendrohen në "përgjegjësitë komanduese"

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ellis, ata akuzohen të kenë qenë “pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”. Aktpadia është publike, ndonëse e redaktuar. Si e shihni ju aktpadinë?

Mark Ellis: Është interesante, sepse shfrytëzimi i “ndërmarrjes së përbashkët kriminale, për të marrë dhe ushtruar kontrollin”, është duke u shndërruar në një qasje të zakonshme në të drejtën ndërkombëtare dhe në gjykata, sepse përmes saj, hetohen individët që kanë qëllim të përbashkët, pra për të kryer krime. Gjithashtu, hetuesit shohin edhe synimin e secilit individ veç e veç, por qëllimin e tyre të përbashkët për të kryer një krim të caktuar.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Në aktpadi gjithashtu thuhet se këta persona janë përgjegjës për dhënie urdhrash, por në pjesën tjetër thuhet gjithashtu se ata personalisht kanë marrë pjesë në disa krime që janë kryer. Mendoj se kjo është shumë me rëndësi dhe do të jetë interesante të shihet se si do ta provojë rastin Dhomat e Specializuara rreth kësaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.

Një tjetër çështje me rëndësi të thuhet është fakti se prokurorët janë përqendruar në përgjegjësitë komanduese, posaçërisht të zotit Thaçi dhe lidershipit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krimet e pretenduara. Përgjegjësia komanduese është me rëndësi, sepse në thelb flet për një individ, në rang të lartë, ka ditur ose duhet të ketë ditur, për krimet që bëheshin dhe se ai individ, nuk ka bërë gjë për të penguar këto krime ose për të dënuar ata që i kanë bërë.

Nga çlirimtar në i pandehur: Kush është Hashim Thaçi?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:36 0:00

Radio Evropa e Lirë: A shihni sfida që prokuroria të ofrojë prova për këtë?

Mark Ellis: Në fakt jo, nuk shoh. Koncepti i “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” nuk është diçka mbi të cilin ekziston një pajtueshmëri unanime nga avokatët ndërkombëtarë, por është i ndërlidhur si pjesë e pandashme e proceseve gjyqësore në tribunalet ndërkombëtare dhe rajonale për krime lufte.

Mendoj se ka histori të mjaftueshme, me të cilën prokurorët ndihen rehat për të ndërmarrë një qasje të këtillë, përveç përgjegjësisë komanduese, për të cilën po pandehin gjithashtu. Unë gjithmonë kam qenë i mendimit se përgjegjësia komanduese është jashtëzakonisht e rëndësishme për t’u përfshirë në një aktakuzë. Edhe ky koncept nuk mbështetet unanimisht në botë, ka të tillë që e kritikojnë zëshëm shfrytëzimin e tij, por unë nuk jam një prej tyre. Unë mendoj se në të shumtën e rasteve, bëhet fjalë për shtresën më të lartë të një lidershipi, pjesëtarë të së cilës shpesh fshihen prapa funksioneve që kanë dhe mund ta mbrojnë vetveten prej atyre pozitave.

Dërgimi i liderëve të UÇK-së në Hagë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

Kjo bën që të gjithë të përqendrohen në vartësit e tyre, në ata që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë në një krim. Por, ata janë individë që marrin urdhra nga ata që janë në rang më të lartë. Për mua është shumë e rëndësishme që individët në nivelin më të lartë, qoftë politik apo ushtarak, të jenë përgjegjës po aq sa ata që kanë kryer drejtpërdrejt krimin.

Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për dëshmitë që janë përpara këtij rasti, si e shihni dallimin ndërmjet kësaj gjykate dhe rasteve që kanë qenë përpara Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës kundër liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Mark Ellis: Sikundër e dimë, një numër i atyre rasteve nuk kanë pasur sukses. Mendoj se ngritja e aktakuzave kundër individëve duhet të jetë rezultat i besimit që një prokuror ka, dhe që bazuar në dëshmitë që ka, të sigurojë jo vetëm një proces gjyqësor, por edhe shpallje fajësie.

Kam përshtypjen që në këtë rast prokurori duket se ndihet komod, por ne nuk e dimë se cilat janë dëshmitë, a do të ketë befasi, a do të ketë dëshmitarë – aq më tepër kur e dimë se këtë gjykatë e ka ndjekur hija e mbrojtjes së dëshmitarëve, viktimave dhe nuk kam dyshim se ata do të kenë rolin kyç. Gjithashtu mendoj se kanë materiale, dokumente dëshmi, transkripte, publikime – kështu që mund të kenë në duar një rast të fortë.

Por, pesha për ta dëshmuar rastin bie mbi prokurorin, kurse mbrojtja mendoj se do të jetë shumë e fuqishme në hedhjen poshtë të këtij rasti. Kështu funksionon sistemi i drejtësisë dhe këtu do të dëshmohet rëndësia e kredibilitetit të Dhomave të Specializuara.

Provat nga Serbia, "të rëndësishme nëse janë të vërteta"

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë ka zëra kritikë që thonë se kjo Gjykatë duhet ta bëjë të qartë se nuk punon me prova, siç i kanë quajtur të “ndërtuara nga forcat serbe të sigurisë”. Si e komentoni këtë?

Mark Ellis: Mendoj se çdo provë që përdoret do të shqyrtohet me kujdes lidhur me anshmërinë, për kredibilitetin e saj, për saktësinë e saj. Prandaj, dëshmitë duhet ta kalojnë sprovën e kësaj shkalle të shqyrtimit dhe kjo do të vijë nga pala mbrojtëse. Pavarësisht se prej nga vjen ai informacion, do t’i takojë mbrojtjes që të argumentojë në këto terma, në çështjet që përmenda. Por, unë nuk kam probleme me provat që vijnë nga burime të ndryshme, edhe me të dhënat që vijnë nga Serbia. Ato prova duhet të përdoren sepse nëse janë të sakta, të vërteta, atëherë janë të rëndësishme. Por, kjo padyshim do të jetë pjesë e madhe e qasjes së mbrojtjes ku do të tentojnë të minimizojnë dhe të shmangin rëndësinë e ndonjë prove që vjen nga Serbia. Unë pres që ata (mbrojtja) të jenë mjaft agresiv për këtë çështje.

Drejtësia ndërkombëtare shpesh "merr shumë kohë dhe kërkon durim"

Radio Evropa e Lirë: Në aktakuzë përmenden shumë krime të pretenduara. Sipas jush, sa mund të zgjasë ky procesi i gjykimit?

Mark Ellis: Kjo është shumë e vështirë të thuhet sepse siç thatë aty ka një numër të krimeve të veçanta. Unë mendoj se ato individualisht përbëjnë dhjetë pika të krimeve kundër njerëzimit, të krimeve të luftës. Siç kemi parë edhe në raste të tjera, në tribunalet për krime lufte, këto raste mund të zgjasin për një periudhë të konsiderueshme kohore. Nisur nga kjo, unë mendoj se gjatë viteve, drejtësia ndërkombëtare është siguruar që njëra prej fokuseve ka qenë që të këto procese gjyqësore të mundohen të shkurtohen dhe gjykimet të fokusohen në numër më të vogël të krimeve dhe të tentohet që të ketë më shumë efikasitet gjatë procesit. Por, për mua të paktën, është e vështirë të them nëse do të zgjasë një vit, dy vjet. Unë thjesht nuk e di.

Por, do ta them këtë që pavarësisht kohës që do të marrë, unë mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se drejtësia ndërkombëtare shpesh merr shumë kohë. Merr kohë dhe kërkon durim, por ia vlen të bëhet për shkak të rëndësisë së saj. Pengesa më e madhe, për mua, sa i përket Dhomave, por që tani është tejkaluar, dhe tani ata kanë këta individë të profilit të lartë në paraburgim dhe tashmë procesi gjyqësor do të nisë. Kjo për mua është një sukses. Dhe po ashtu, duhet thënë se të pandehurit që vullnetarisht janë dorëzuar para gjykatës dhe në këtë rast, presidenti dha dorëheqje dhe shkoi para gjykatës, unë e duartrokas këtë veprim sepse kjo riafrimon rëndësinë e pranimit se ka një komunitet ndërkombëtar që kërkon që personat janë të akuzuar për këto krime të tmerrshme të sillen para drejtësisë. Kjo është ajo që po bëjnë tash të pandehurit dhe unë mendoj se kjo është shumë pozitive.

Thaçi: Jap dorëheqje nga pozita e presidentit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se të gjithë këta njerëz që janë të përfshirë në aktakuzë të jenë në burg gjatë gjykimit?

Mark Ellis: Kjo është një pyetje e mirë. Unë mund të imagjinoj, se varësisht nga kohëzgjatja e këtij gjykimi, ata edhe mund të mbahen në burg. Për shkak të natyrës së krimeve, unë e shoh këtë si të pashmangshme. Por, për këtë çështje vendos gjykata.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni se ditë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tyre dhe pas arrestimit dhe transferimit për në Hagë, sot më 6 nëntor, po bëhet një bastisje në shtëpitë e tyre (Thaçit, Veselit dhe Selimit) në Prishtinë?

Mark Ellis: Kjo është gjithashtu edhe për shkak të bashkëpunimit, bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Dhomave në Hagë dhe bashkëpunimit të autoriteteve policore që kjo do të jetë pjesë e qasjes së prokurorisë që të sigurohet se provat janë të siguruara dhe besoj se kjo është ajo që po ndodh.

Bastisje në shtëpitë e Thaçit, Veselit dhe Selimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:05 0:00

Radio Evropa e Lirë: Dikush do të argumentonte se kjo do të duhej të bëhej para konfirmimit të aktakuzës dhe transferimit në burg..

Mark Ellis: Besoj se kjo është një situatë e veçantë e strukturës së Dhomave dhe e marrëdhënies së saj me ligjet e brendshme të Kosovës, por edhe me institucionet e brendshme, përfshirë edhe policinë. Kjo, nuk më ka befasuar mua sepse nëse do të kishte pritje – që unë besoj se në këtë rast ka pasur që të pandehurit vullnetarisht do të shkojnë në Hagë – dhe unë nuk mendoj se ka pasur nevojë aq të madhe që të bastiseshin shtëpitë e tyre.

Mendoj se prokurori e di pak a shumë se çfarë ka dhe unë dyshoj se kjo po ndodh vetëm që të sigurohen që nuk ka mbetur asnjë (provë) që mund të jetë e nevojshme për prokurorinë.

Hetimi për rrjedhjen e informacioneve “mund të jetë duke vazhduar”

Radio Evropa e Lirë: Ende nuk e dimë se nëse po kryhen hetim të brendshëm brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rrjedhjen e mundshme të informacioneve të ndjeshme, që përfunduan në Kosovë dhe u shfaqën në konferenca për media. A është ky ende një shqetësim?

Mark Ellis: Po, unë kam folur për këtë më herët dhe mendoj se është absolutisht e nevojshme për Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të vazhdojë të ndjekë ata persona që janë përfshirë në rrjedhjen e informacioneve dhe publikimin e emrave të dëshmitarëve dhe kjo është bërë. E dimë se kjo tashmë është bërë dhe mendoj se kjo është absolutisht esenciale dhe prandaj e përshëndes Gjykatën që ka bërë një gjë të tillë. Ju kam thënë edhe më herët se Dhomat duhej të ishte agresive në ndjekjen e personave që kanë interferuar në procesin gjyqësor duke bërë publike informacione lidhur me dëshmitarë potencialë. Dhe unë besoj se kjo është saktësisht se çfarë po bën tani Dhoma e Specializuar dhe e mirëpres një gjë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Por, në anën tjetër ne nuk e dimë se si ato informacione dolën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar?

Mark Ellis: Unë nuk kam dyshim që përgjigjet e këtyre pyetjeve do të bëhen sepse besoj se është imperative që publiku ta kuptoj, që komuniteti ndërkombëtar ta kuptojë se si doli në publik ai informacion. Sërish, nuk kam asnjë dyshim që ai hetim lidhur se si ndodhi kjo, është duke vazhduar tani, dhe ndoshta heshtja e Dhomave për këtë çështje është pikërisht sepse ka një hetim që po vazhdon. Dhe kjo për mua ka kuptim që ata nuk duan të komentojnë për këtë gjatë një hetimi aktiv, por unë pres se do të ketë një përfundim dhe ajo duhet të bëhet publike. Absolutisht që duhet të bëhet publike.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG