Serbia kushtëzon dialogun me formimin e Asociacionit

Bruksel - foto nga arkivi

Serbia e ka kushtëzuar dialogun me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Kjo u bë e ditur pas takimit në nivel ekspertësh të mbajtur të enjten, më 17 shtator në Bruksel.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, i cili ndërmjetësoi bisedimet e së enjtes, tha përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se diskutimet mbi pretendimet e ndërsjella financiare dhe pronën, kanë konfirmuar ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Ai tha se diskutimet do të vazhdojnë, mirëpo pa dhënë detaje se kur do të jetë data tjetër e takimit.

Kreu i delegacionit të Beogradit, Marko Gjuriq, deklaroi të enjten në Bruksel se pala serbe kushtëzon përparimin në dialog me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, kurse koordinatori shtetëror i Kosovës për dialog me Serbinë, Skender Hyseni, tha në përfundim të bisedimeve mes delegacioneve të ekspertëve në Bruksel, se palët kanë qëndrime shumë të kundërta për temën e pretendimeve financiare.

"Ne shohim që çështjet e suksesionin duhet të bëhet në pajtim me të drejtën ndërkombëtare me praktikat e suksesionit që kanë ndodhur mes entiteteve të ish-Jugosllavisë, tash shtete te pavaruara. Ky është qëndrimi i Kosovës. Në këtë, patjetër që përfshihet edhe borxhi i jashtëm, edhe këtu Kosova ka qëndrim parimor që është në pajtim të ngushtë me të drejtën ndërkombëtare. Te borxhi i jashtëm ne do të insistojmë të aplikohet parimi i përfituesit të fundit", tha Hyseni.

Hyseni konfirmoi se në këtë takim nuk është diskutuar çështja e Asociacionit të Komunave Serbe, edhe pse, sipas tij, pala serbe ka bërë përpjekje ta hapë këtë temë.

Më herët, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano, ka thënë se tema lidhur me “aranzhimet për komunitetet joshumicë” do të jetë në rend dite në ditët në vijim, pa dhënë detaje tjera.

SHIKONI EDHE: Në Bruksel hapet tema e Asociacionit, çështjeve pronësore dhe financiare

Prapa termit “aranzhimet për komunitetet joshumicë” qëndron çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Stano ka rikujtuar se ekziston marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se pala kosovare "duhet të vijë me një propozim për zbatimin e marrëveshjes".

I pyetur se çka qëndron prapa termit “komunitetet joshumicë në Kosovë”, dhe se a po bisedohet edhe për komunitetet tjera jo shumicë, e jo vetëm për komunitetin serb, ky zëdhënës i BE-së ka thënë se edhe terminologjia është diçka për të cilën janë pajtuar palët.

Por, Hyseni tha se kjo deklaratë është e nxituar dhe se "nuk ka pajtim që të bisedohet për Asociacionin dhe as për datat kur do të bisedohet".

Ai tha se Kosova nuk do ta lejojë përdorimin e terminologjisë "bashkësia e komunave joshumicë", pasi, sipas tij, komunitete joshumicë janë edhe boshnjakët, turqit etj.

"Këtë lojë me terminologji ne nuk do ta lejojmë", tha Hyseni.

Ndërkohë, kreu i delegacionit të Beogradit në bisedimet me Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë të enjten në Bruksel se pala serbe kushtëzon përparimin në dialog me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Pas përfundimit të bisedimeve ndërmjet dy delegacioneve, ku është diskutuar për pretendimet financiare mes dy vendeve, Gjuriq tha se "një takim i mundshëm në të ardhmen i nivelit më të lartë mes dy vendeve, do të varet nga gatishmëria e Prishtinës për të punuar në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin".

Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

SHIKONI EDHE: Hoti dhe Vuçiq zotohen se do t’i dyfishojnë përpjekjet në dialog

Me këtë rast, sipas deklaratave të të dyja palëve, janë hapur temat për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore, ndërkaq janë harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjen e të pagjeturve, personave të zhvendosur, si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Temat që ata përcaktojnë, diskutohen më tej nga ekipet e ekspertëve të të dyja vendeve.

Gjuriq tha se delegacioni i Beogradit gjatë bisedimeve të së enjtes ka insistuar që tema e Asociacionit të jetë si tema e parë e bisedës, por, sipas tij, një gjë e tillë u kundërshtua nga përfaqësuesit e Prishtinës.

SHIKONI EDHE: Platforma e dialogut nuk përfshin korrigjim kufijsh as Asociacion të komunave

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në një debat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian tha se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të vitit 2015. Pas kthimit në Prishtinë, ai tha se “zbatimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me secilën shkronjë të Kushtetutës”.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë më 16 shtator se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës.