Putin: Askush nuk ka arritur ta përmbysë Rusinë

Presidenti rus, Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë deklarata të fuqishme lidhur me programin e ri të armëve bërthmore, uljen e shkallës së varfërisë për gjysmë dhe ka premtuar se ekonominë e Rusisë do ta bëjë një nga më të mëdhatë në botë.

Ai i ka bërë këto deklarata gjatë ditës së sotme, në fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit.

Duke folur para qindra zyrtarëve të lartë dhe ligjvënësve vetëm 17 ditë para zgjedhjeve në të cilat pritet të sigurojë një tjetër mandat gjashtë-vjeçar si president, Putin ka shfaqur qëllimet e tij ambicioze brenda shtetit, ndërsa i ka nisur paralajmërime të qarta Perëndimit.

“Dëshiroj t’iu them të gjithë atyre që kanë zhvilluar garë armësh në 15 vitet e fundit dhe që kanë kërkuar të fitojnë përparësi të njëanshme mbi Rusinë, apo që kanë vënë sanksione të paligjshme me qëllim të frenimit të zhvillimit të shtetit “të gjitha ato që keni dashur të pengoni me politikat e juaja tashmë kanë ndodhur”, ka thënë ai.

“Ju keni dështuar që të përmbysni Rusinë”, ka deklaruar Putin.

Putin ka thënë se Rusia ka testuar armë të reja bërthamore, duke përfshirë
raketa bërthamore lundruese dhe dronë nëntokësor bërthamor, për të cilat presidenti ka pretenduar se nuk mund të ndalen nga armiqtë.

Putin ka thënë se Rusia ka testuar raketën balistike ndërkontinentale, Sarmat, me një numër të kokave bërthamore që kanë tejkaluar paraardhësen e saj.

Putin ka deklaruar se Rusia ka qenë e detyruar për të zhvilluar arsenalin e saj bërthamor, pasi Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga traktati i vitit 2002 për Raketa Anti-Balistike.

Sipas tij, Moska ka nisur paralajmërime më 2004 se do të merrte masa të tilla, mirëpo Perëndimi nuk ka pranuar të flasë me Rusinë.

“Askush nuk na ka dëgjuar. Andaj na dëgjoni tani”, ka thënë Putin, në fjalimin që është transmetuar edhe në televizionin kombëtar.

Figura opozitare, Leonid Gozman, ka thënë në Twitter se të gjithë ata që janë alarmuar nga deklaratat e Putinit, nuk kanë arsye, pasi korrupsioni apo mungesa e kompetencës, do të shkatërrojnë përpjekjet për të marrë hapa në arsenalin bërthamor.

Në një pikë të fjalimit të tij, Putin ka thënë se ende nuk është vendosur për emrat e armëve bërthamore dhe i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes, për të nisur një garë kombëtare në mënyrë që të zgjedhin disa prej tyre.

Një deklaratë e tillë është përcjellur me brohoritje të zgjatura nga publiku.

“Askush në botë nuk ka parë diçka të tillë”, ka thënë ai.

“Ndoshta edhe mund t’i shohim ndonjë ditë, mirëpo deri atëherë djemtë tanë do të kenë zhvilluar diçka të re”.

Pamja nga konferenca e sotme në Moskë

Gazetari, Leonid Ragozin, i ka cilësuar deklaratat e Putinit për arsenalin bërthamor të Rusisë si, “karrem bërthamor” dhe ka thënë se fjalimi i tij ka përfshirë “praktikisht asgjë për agjendën ndërkombëtare”.

Putin është fokusuar në çështjet e brendshme, duke folur për ekonominë dhe mirëqenien e popullatës, duke nisur nga rrugët deri të kujdesi shëndetësor, dhe ka thënë se Rusia duhet të rrisë standardin e jetesës.

Putin ka thënë se 20 milionë rusë tani jetojnë në varfëri, krahasuar me 42 milonë në vitin 2000, mirëpo e ka quajtur shifrën “të papranueshme” dhe se Rusia duhet ta shkurtojë për gjysmë varfërinë në gjashtë vitet e ardhshme.

Putin 65 vjeçar, nuk do të ketë të drejtë të garojë për një mandat të pestë më 2024, përveç nëse ndryshohet kushtetuta e Rusisë.

Ai i ka cilësuar vitet në vijim “vendimtare” për këtë vend.

“Mirëqenia e Rusisë dhe mirëqenia e popullit tonë duhet të jetë baza për gjithçka andaj na duhet të zhvillohemi në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje për avancim teknologjik për rritjen e standardeve të Rusisë.

Presidenti rus ka thënë Rusia duhet të bëhet një nga pesë ekonomitë kryesore në gjashtë vitet e ardhshme, ndërsa ka synuar rritjen e GDP-së për 150 përqind gjatë kësaj kohe.

“Kjo është një detyrë e komplikuar, mirëpo jam i sigurt se ne jemi gati për ta kryer atë”, u ka thënë Putin ligjvënësve.

Kjo është hera e 14-të që Putin ka bërë një fjalim para një audience, e cila tradicionalisht përbëhet nga të dy dhomat e legjislaturave, Asambleja Federale, ministrat qeveritarë, gjyqtarët nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo Supreme, zyrtarët rajonalë dhe anëtarë të tjerë të elitës politike.

Putin ka qenë president apo kryeministër i Rusisë nga viti 1999.

Politikani opozitar, Aleksei Navalny, i cili nuk ka të drejtë garimi për pozitën e presidentit, u ka bërë thirrje votuesve që të bojkotojnë zgjedhjet.

Atij i është ndaluar gara për shkak të një dënimi penal për të cilin ai beson të ketë qenë i motivuar politikisht.

Putin ka refuzuar të marrë pjesë në debate televizive apo organizime të tjera tradicionale për zgjedhjet.

Analistët besojnë se Kremlini frikësohet se dalja e ulët në votime do të dëmtojë procesin legjim të zgjedhjeve.

Qeveria besohet se është në proces të marrjes së një vargu masash për të rritur daljen, duke përfshirë edhe datën e zgjedhjeve më 18 mars, e cila rezulton me aneksimin zyrtar të Krimesë nga Ukraina.

Këto organizime të cilat janë kundërshtuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, janë mirëpritur nga mbështetësit e Putinit në Rusi.

Përgatiti: Krenare Cubolli