Ndërlidhjet

Putin fillon fushatën presidenciale, thekson "stabilitetin" e Rusisë


Presidenti rus, Vladimir Putin gjatë një forumi në Rusi
Presidenti rus, Vladimir Putin gjatë një forumi në Rusi

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur fushatën e tij në kërkim të votës edhe për një tjetër mandat si president i Rusisë.

Ai ka bërë thirrje për mbrojtjen e “lirisë” dhe “stabilitetit” të këtij vendi, duke shtuar se Rusia duhet të shmangë ndikimin nga jashtë dhe tentimet e opozitës brenda vendit për të lëkundur politikën.

Putin i ka bërë këto deklarata para një grupi të mbështetësve besnikë, një ditë pasi ka nisur edhe zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 18 marsit të vitit të ardhshëm në Rusi.

“Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik kemi dëgjuar shumë biseda të këndshme dhe fjalime të mira, mirëpo askush nuk na ka ndihmuar”, ka thënë Putin.

“Dhe asnjëherë nuk jemi varur nga ndihma e askujt dhe nuk na duhet ndonjë asistencë nga jashtë”, ka shtuar ai.

Putin ka thënë se vendi nuk ka qenë në gjendje të mirë kur ka ardhur në pushtet 18 vite më parë, duke përmendur se “shumë vende kanë parashikuar vdekjen e Rusisë”.

“Situata ishte shumë e vështirë, madje në disa raste edhe kritike, mirëpo ne jo vetëm që kemi ruajtuar integritetin dhe sovranitetin territorial të Rusisë, ne kemi kaluar nëpër shumë faza të riparimit dhe kemi marrë vendime për hapat më të rëndësishëm të zhvillimit”, ka thënë Putin.

“Sot neve na duhet që patjetër ta ruajmë lirinë tonë, stabilitetin dhe harmoninë në shoqëri”, ka thënë ai.

Këto deklarata kanë ardhur pas pak kohësh kur Putin e ka paraqitur Rusinë si vend që po përballet me kërcënime nga jashtë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi, duke përmendur edhe rrezikun nga kundërshtarët e brendshëm politikë.

Gjatë konferencës vjetore të mbajtur më 14 dhjetor, Putin ka akuzuar liderin opozitar, Aleksei Navalny për “tentim të destabilizimit të shtetit”.

Navaly ka kërkuar votën për president të Rusisë, mirëpo zyrtarët zgjedhorë kanë thënë në qershor se ai nuk mund të kandidojë për shkak të një dënimi penal, për të cilin ai beson se ka qenë i motivuar politikisht.

Putin ka njoftuar më 6 dhjetor se do të garojë edhe për një mandat të katërt.

Sipas kritikëve ai ka gjasa të mëdha që të fitojë këtë post përsëri.

Putin është zgjedhur për herë të parë president në vitin 2000.

Për zgjedhjet e 18 marsit të vitit të ardhshëm më shumë se 20 persona kanë deklaruar dëshirën e tyre për të kandiduar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG