Trump do marrëveshje bërthamore me Rusinë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mund t’iu japë fund disa sanksioneve ekonomike kundër Rusisë, në këmbim te një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për të reduktuar armët bërthamore.

Ai tha se do që arsenalet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë të “reduktohen ndjeshëm”.

Trump dha detaje për synimet e tij në politikën e jashtme në një intervistë për gazetën britanike Times dhe atë gjermane Bild.

Trump kritikoi Moskën për ndërhyrjen e saj ushtarake në luftën civile të Sirisë, duke e përshkruar atë si “një gjë shumë të keqe”, e cila ka çuar në “situatë të tmerrshme humanitare”.

Presidenti i zgjedhur po ashtu tha se NATO-ja është “vjetruar” dhe se nuk ka bërë shumë për të luftuar terrorizmin. Megjithatë, ai shtoi se aleanca është ende “shumë e rëndësishme” për të.

Trump përsëriti kritikat e tij se shumë vende anëtare të NATO-s nuk paguajnë mjaftueshëm për sigurinë e tyre.

Ai lavdëroi daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe tha se politikat liberale të bllokut ndaj migrantëve mund të bëjnë që edhe vende të tjera të lënë BE-në.

Trump tha se britanikët nuk do ta braktisnin BE-në po të mos ishin përfshirë nga kriza me migrantë.

Trump tha se kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë “gabim katastrofik” me pranimin e mbi një milion migrantëve në vend, në vitin 2015.

Ai tha se Merkel, deri më tash, ka qenë udhëheqësja më e rëndësishme e Evropës dhe se Bashkimi Evropian është bërë mjet për Gjermaninë.

Duke u ndalur te Lindja e Mesme, Trump dënoi pushtimin e Irakut më 2003 dhe tha se ai mund të ketë qenë gabimi më i keq në historinë e SHBA-së.

Trump tha se do të emërojë dhëndrrin e tij, Jared Kushner, për të ndërmjetësuar marrrëveshjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Ai po ashtu theksoi se prioritet i tij do të jetë krijimi i marrëveshjeve më të drejta tregtare për SHBA-në dhe forcimi i kufijve.

“Njerëzit nuk duan që të vijnë njerëz të tjerë dhe të shkatërrojnë vendin e tyre. Ne do t’i forcojmë kufijtë nga dita që marr detyrën”, tha Trump.

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do të marrë detyrën e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara më 20 janar.

Paraardhësi i tij, Barack Obama, përfundon detyrën pas dy mandatesh katërvjeçare.

Përgatiti: Valona Tela