Ndërlidhjet

Ndihmësi i Trumpit ka folur me ambasadorin rus, në ditën e sanksioneve


Michael Flynn
Michael Flynn

Michael Flynn, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka marrë një thirrje nga ambasadori i Rusisë, muajin e kaluar, në ditën e njëjtë kur presidenti, Barack Obama, i ka shpallur sanksionet e reja kundër Rusisë, për akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.

E përditshmja, Washington Post, dhe agjencitë e lajmeve, Reuters dhe Associated Press, raportuan se një zëdhënës i Trumpit ka konfirmuar mbrëmë se këshilltari, Michael Flynn, kishte pasur së paku një thirrje telefonike me ambasadorin e Rusisë, Sergey Kislyak, në ditën e njëjtë, kur ishin shpallur sanksionet dhe vendimi për dëbimin e 35 diplomatëve rusë.

Sanksionet e reja dhe dëbimet ishin bërë në përgjigje të të gjeturave të një raporti të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, se hakerët e mbështetur nga Rusia kishin depërtuar në partitë politike të Shteteve të Bashkuara,për shkak të emailave të vjedhur dhe ankesat nga zyrtarët amerikanë për një fushatë shumëvjeçare të keqtrajtimit të diplomatëve amerikanë në Rusi.

Fushata e zotit Trump fillimisht tha se bisedat telefonike kanë ndodhur një ditë para shpalljes së sanksioneve më 29 dhjetor, por më vonë ka pranuar se një thirrje ishte bërë në ditën e shpalles së valës më të re të sanksioneve amerikane kundër Rusisë.

Agjencia Reuters i ka cituar tre zyrtarë që kanë thënë se pesë thirrje telefonike kanë ndodhur atë ditë.

Në raportin e djeshëm për kontaktin e zotit Flynn me ambasadorin Kislayk, për të cilin së pari kishte raportuar e përditshmja, Washington Post, një ditë më herët, theksohet se ka shqetësim në rritje nga disa qarqe në Uashington, për natyrën e komunikimit ndërmjet ekipit të fushatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Washington Post e ka cituar një zyrtar të paidentifikuar të qeverisë amerikane që ka thënë se thirrjet kanë ndodhur më 29 dhjetor. Pastaj gazeta e ka cituar një zyrtar të paidentifikuar të Trumpit se Flynn më herët kishte pasur thirrje telefonike me ambasadorin rus, për të shprehur ngushëllime për vrasjen e diplomatit të lartë rus në Turqi dhe për përplasjen e aeroplanit rus me korin e njohur ushtarak.

Gjatë bisedës, të dy personat kanë diskutuar për një bisedë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, pas inaugurimit të Trumpit më 20 janar, ka thënë zëdhënësi i Trumpit, Sean Spicer.

“Thirrja ishte fokusuar rreth logjistiks për një bisedë ndërmjet presidentit të Rusisë dhe presidentit të zgjedhur, pasi ai të inaugurohet, dhe ata kanë këmbyer informacione logjistike se si të inicohet dhe planifikohet kjo bisedë”, u tha zëdhënësi Sipcer gazetarëve, dhe ka shtuar se “kjo ishte e tëra, qartazi dhe thjeshtë”.

Shumë vëzhgues kishin pritur që Moska të hakmerrej ndaj sanksioneve dhe dëbimit të diplomatëve duke e përzënë një numër të njëjtë të diplomatëve amerikanë nga Rusia, procedurë që ndodhte në mënyrë rutinore gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Por, zoti Putin, ka shpallur se ai nuk do të përgjigjet njejtë si pala amerikane, ndërsa këtë veprim të tij, zoti Trump e ka lavdëruar në rrjetin Twitter, duke thënë se presidenti rus është “shumë i mençur”.

I pyetur për këto raporte, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se ai nuk e di nëse zyrtarët e administratës ishin informuar paraprakisht për thirrjen e zotit Flynn. Ai, po ashtu, ka refuzuar të thotë nëse biseda ndërmjet Flynnit dhe ambasadorit rus do të trajtohet si shkelje e ligjit.

“Varet se çka kanë biseduar”, u tha mbrëmë gazetarëve Josh Earnest.

Një ligj i vjetër 218 vjet, i njohur si Akti Logan, ua ndalon shtetasve privatë që të zhvillojnë negociata me qeveritë e vendeve të jashtme, që kanë mospajtim me Shtetet e Bashkuara, pa autorizim të qeverisë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG