Ndërlidhjet

Ekipi i Trumpit: Raporti për takimin me Putinin është gënjeshtër


Donald Trump
Donald Trump

Sean Spicer, ndihmës i afërt i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka hedhur poshtë një raport të publikuar, se planifikohet një takim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Islandë, që do të ishte udhëtimi i tij i parë i jashtëm si president.

Zoti Spicer, i cili do të jetë zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, pasi Trump të inaugurohet më 20 janar, të shtunën mbrëma në rrjetin Twitter ka shkruar se raporti i gazetës londineze, Sunday Times, se Trump u ka thënë zyrtarëve britanikë se planifikon takim me Putinin, “nuk është i vërtetë dhe se raporti është 100% i rrejshëm”.

Sunday Times ka raportuar se samiti do të mbahej në kryeqytetin Rejkjavik në Islandë. Mediet e tjera, përfshirë kompaninë Bloomberg, po ashtu, kanë shkruar për takimin Trump – Putin në Islandë, bazuar në raportin e Sunday Times.

“Tregimi është një fantazi”, i tha agjencisë Reuters një ndihmës i Donald Trumpit, duke folur në kushte të anonimitetit. Një tjetër zyrtar i ekipit të Donad Trumpit, po ashtu, tha se raporti nuk është i vërtetë.

Donald Trump, që do të jetë presidenti i 45 amerikan, është shprehur se dëshiron t’i përmirësoj marrëdhëniet me Rusinë dhe e ka lavdëruar Putinin duke thënë se ka cilësi të liderit.

Para dy ditësh presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i ka thënë së përditshmes, Wall Street Journal, se do t’i mbajë sanksionet kundër Rusisë, “së paku për një periudhë kohore”.

Këto sanksione janë shpallur këtë javë nga presidenti, Barack Obama, për akuzat lidhur me sulmet kibernetike ruse, për të cilat inteligjenca e Shteteve të Bashkuara thotë se ishte ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 8 nëntor të vitit të kaluar.

“Nëse Rusia me të vërtetë na ndihmon neve, përse ndokush do të ketë sanksione, nëse dikush bënë me të vërtetë gjëra të mëdha?”,ka pyetur Trump.

Ai ka theksuar se për shkak se dëshiron t’i përmirësoj marrëdhëniet me Rusinë, ai mund t’i rishqyrtoj sanksionet, megjithëqë disa anëtarë të propozuar të kabinetit të tij, thanë këtë javë se e mbështesin vazhdimin e masave sanksionuese kundër Moskës.

Në një lëvizje që duket se është bërë që të vështirësohet tërheqja e sanksioneve nga ana e zotit Trump, pasi presidenti Obama ta përfundoj mandatin e tij, presidenti në largim në këtë javë i ka zgjatur të gjitha sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës, në mars të vitit 2014, dhe për shkak të mbështetjes së separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës.

Barack Obama tha se qeveria e Rusisë dhe njerëzit e tjerë dhe organizatat e ndryshme, që janë nën sanksione amerikane, “i kanë shkatërruar proceset demokratike dhe institucionet në Ukrainë” duke e “përdorë forcën” e tyre, dhe rrjedhimisht “e kanë kërcënuar paqen, sigurinë, stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial” të këtij vendi.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG