Një gjykatë në Francë të enjten morri vendim që ta lirojë me kusht, liderin e partisë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ky vendimi doli si rezultat i seancës së parë dëgjimore, pas paraqitjes së kërkesës për ekstradim nga autoritetet e Serbisë dhe një kërkese të palës mbrojtëse për lirimin e tij.
Autoritetet e drejtësisë në Serbi dorëzuan dy ditë më parë kërkesën për ekstradim të zotit Haradinaj me, siç thanë, akuzat e reja për “krime lufte në Kosovë në fundvitet e 90-ta ndaj popullsisë joshqiptare”.
Avokati mbrojtës i zoti Haradinajt, Arianit Koci, tha për Radion Evropa e Lirë, se pas dorëzimit të kërkesës për ekstradim nga ana e Serbisë në gjykatën franceze, ajo do të shqyrtohet, por siç shprehet ai, e njëjta do të refuzohet.
"Unë fuqishëm besoj se kjo kërkesë do të refuzohet, për shkak se Serbia po i shfrytëzon këto kërkesa për ekstradim", tha Koci, duke shtuar se Beogradi po ndjell shpresa të kota.
Kërkesa për ekstradim, ka thënë ai, kërkon pak kohë, por, sipas tij, nuk mund të kalojë periudhën prej dyzet ditëve.
Pala mbrojtëse ndërkaq ka kërkuar lirimin e zotit Haradinaj bazuar në “gjykimin e përfunduar në Gjykatën për krime lufte në ish-Jugosllavi që ka trajtuar çështjet” që siç thotë “pretendon pala serbe”.
Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe për, siç thuhet, “krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”.
Ai u mbajt në paraburgim me vendim të një gjykate franceze, e cila tha se po kërkon nga autoritetet e Serbisë një kërkesë zyrtare për ekstradim.
Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se çfarë do të thotë tani proceduara e lirimit me kusht.
"Kjo është një masë e përkohshme dhe ai nuk është liruar dhe nuk është vendosur definitivisht se çka do të bëhet me të, por është zbutur masa e sigurimit të pranisë së tij në Francë. Në vend që të jetë i privuar në paraburgim, tash është në liri dhe është në përcjellje", tha Salihu.
Profesori Salihu tha se procedurat tjera për rastin Haradinaj në Francë, në bazë të kërkesave nga pala serbe mund të zgjasin një deri në dy muaj. Sipas tij, pasi që gjykata të analizojë provat, Ministria e Drejtësisë do të jap fjalën e fundit.
"Pasi të analizohen, a ekzistojnë prova, fakte apo nuk ekzistojnë, pastaj këto i procedohen Ministrisë së Drejtësisë, sepse kjo është çështje juridike, por edhe politike. Edhe gjykata angazhohet, por edhe ministria apo ministri i Drejtësisë dhe ky i fundit (ministri i Drejtësisë) e jep fjalën e fundit se a do të ekstradohet apo jo", ka shpjeguar Salihu.
Ai ka thënë po ashtu se gjasat për ekstradimin e Ramuash Haradinajt në Serbia janë të barabarta me zero.
"Kjo nuk vjen në konsiderim sepse konventa ndërkombëtare për ekstradim, e vitit 1957, e ndalon ekstradimin në rastet kur dyshohet se shteti i cili kërkon që të ekstradohet personi i dyshuar nuk garanton gjykim të drejt, korrekt dhe të paanshëm", tha Salihu.
Pas vendimit të drejtësisë franceze për lirimin me kusht, por jo edhe lirimin e plotë të Haradinajt, kanë pasuar reagimet e para në Prishtinë, ku kryesisht është shprehur shqetësim për masën e lirimit me kusht.
Partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është befasuar me vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze.
“Ne konsiderojmë se vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t’i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Kurse, partia Nisma për Kosovën, [parti opozitare ]që udhëhiqet nga Fatmir Limaj, ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze, që kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të mos kthehet në Kosovë, por vetëm të lirohet me kusht.
Autoritetet në Francë thonë se rasti nuk ka “implikime politike” meqë po trajtohet nga organet e drejtësisë franceze dhe kanë pohuar faktin se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë për çështjen Haradinaj.
Në Kosovë ndërkaq, udhëheqës të institucioneve kanë kërkuar zyrtarisht nga Franca lirimin e Haradinajt dhe ‘janë zotuar për zbatim të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë’ nëse urdhërarrestet që datojnë nga fillimi i viteve 2000 nuk tërhiqen.
Qeveria e Kosovës mori vendim ndërkaq javën e kaluar që t’ia ndalojë hyrjen në Kosovë presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq dhe zyrtarëve të tjerë në Ditën e Krishtlindjeve Ortodokse.
Marrëdhëniet ndërmjet palëve ranë në nivelin më të ulët që prej fillimit të bisedimeve në Bruksel të lehtësuara nga BE-ja e cila sërish ka bërë thirrje për “vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunim në të gjitha fushat”. (REL)