Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, ka shprehur bindjen e tij se Ramush Haradinaj se shpejti do të lirohet plotësisht, pas vendimit për lirimin me kusht nga drejtësia franceze.
Vendimin e autoriteteve të drejtësisë franceze për lirimin me kusht nga paraburgimi të ish-komandantit të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, aktualisht kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit, Veseli, e ka vlerësuar si hap të parë drejt lirimit të plotë.
Në një komunikatë për media nga Kuvendi thuhet se 'kryeparlamentari Veseli beson se organet e drejtësisë në Francë do të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase ndaj Ramush Haradinajt, në mënyrë që ai të kthehet sa më shpejt në Kosovë'.
Duke e vlerësuar të padrejtë dhe absurd ndalimin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi bazën e fletë-arresteve të Serbisë, kryeparlamentari Veseli e konsideron të domosdoshme heqjen dorë nga këto praktika.