Rezultati i ngushtë në zgjedhje mes dy partive politike maqedonase, si dhe mbështetja që ka marrë në vazhdimësi nga partitë politike shqiptare, sipas njohësve të çështjeve juridike, len hapësirë për të shpresuar në funksionimin normal të Prokurorisë Speciale, e cila ka edhe gjashtë muaj mandat për të proceduar rastet që kanë të bëjnë me aferën e përgjimeve.
Për shkak të pengesave të shumta që ka hasur nga institucione të ndryshme, që i kanë pamundësuar hetimin e plotë të rasteve dhe ngritjen e padive, kjo prokurori nuk ka mundur të kryejë deri në fund punën e saj, andaj edhe është iniciuar nevoja për vazhdimin e mandatit, por edhe miratimin e disa ndryshimeve tjera, para se gjithash atë për dëshmitarët e mbrojtur.
Para zgjedhjeve, VMRO-ja qartë ka bërë me dije se do të kundërshtojë vazhdimin e punës së saj, por rezultati zgjedhor ia pamundëson asaj që këtë ta bëj e vetme, apo pa mbështetjen e ndonjë partie tjerë.
Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka gjasa reale që Specialja të mos pengohet në punën e saj, edhe pse ai ka dilema, në veçanti tek BDI-ja, e cila siç thotë shpesh herë ka dalë në mbrojtje të VMRO-së.
“Shpresat janë më të mëdha, mirëpo duke i ditur veprimet e kaluara të VMRO-së, por dhe BDI-së, nëse do të luajë rolin e duhur, pasi e dimë se ajo shpesh e ka mbrojtur në aspektin formalo-juridik, por kur është dashur të votohet ajo e ka ndryshuar qëndrimin, edhe pse ka pasur disa mundësi që këtë të mos e bëjë. Prandaj, duke marrë parasysh numrat që do të jenë në Kuvend dhe koalicionet që do të bëhen në të ardhmen, shpresat janë më të madha për ta votuar”, thotë Selmani.
Marko Trashanovski, njohës i çështjeve politike, thotë se VMRO-ja do ta ketë shumë të vështirë që të pengojë punën e prokurorisë speciale, pasi vështirë se do të gjejë aleat tek partitë shqiptare që do të votonin për mos vazhdimin e mandatit të saj.
Ai këtë qëndrim e bazon në votimet e 11 dhjetorit, kur një numër i shqiptarëve votuan LSDM-së pikërisht për shkak të pakënaqësive ndaj partive shqiptare, jo vetëm për mosrealizimin e premtimeve të tyre, por edhe për shkak të lojërave që kanë bërë me Prokurorinë Speciale.
, thotë Gaxhovski.“Si parakusht i të gjitha partive politike shqiptare do të jetë funksionimi i pa penguar i punës së Prokurorisë Speciale, që vlerësoj se nga VMRO DPMNE-ja shumë vështirë se do të pranohet. Kjo partitë me të gjitha forcat do të përpiqet që të pengojë vazhdimin e mandatit të këtij institucioni, miratimin e ligjit për dëshmitarët e mbrojtur, apo vazhdimin e pa penguar të proceseve gjyqësore që priten të hapen ndaj zyrtarëve të lartë shtetëror”
Prokuroria Speciale po heton dhjetëra raste për dyshime të ndryshme kriminale ku janë përfshirë zyrtarë të lartë ndërsa padi penale ka ngritur ndaj 21 prej tyre, përfshirë edhe ish kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili dje për herë të parë është paraqitur në gjykatë.
Që puna e kësaj prokurorie të mos ketë pengesa si deri më tani, ekspertët mbeten në qëndrimin mbi nevojën e themelimit edhe të gjykatës speciale, apo të një departamenti të posaçëm në kuadër të gjykatave ekzistuese me ekspertë të dëshmuar, që ekskluzivisht do të merreshin me paditë e ngritura nga Prokuroria Speciale.
“Sikur të kishte një gjykatë speciale paralelisht me prokurorinë speciale, vlerësoj se shumë punë deri tani do të ishin bërë. Pra, konsideroj se ishte një neglizhencë; kjo nuk u bë në kohën dhe momentin e duhur, një departament apo gjykatë speciale, e cila do të mbaronte punën një herë e përgjithmonë”, thotë Selmani.
Kriza politike në Maqedoni, e pranishme tani dy vite, është paraqitur pikërisht për shkak të aferës së përgjimeve, ndërsa tani edhe rezultati i ngushtë zgjedhor e bën edhe më të paqartë gjendjen me mundësinë reale të paraqitjes edhe të krizës qeveritare. (REL)