Ndërlidhjet

Gjykata Speciale shihet si zgjidhje për hetimet e Prokurorisë Speciale


Arkiv - Gjykata Themelore në Shkup
Arkiv - Gjykata Themelore në Shkup

Gjykata Penale e Shkupit ka refuzuar të gjitha kërkesat e Prokurorisë Speciale për masa të sigurisë ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që po hetohen për shpërdorim detyre në rastin e blerjes së pajisjeve për përgjim të komunikimeve elektronike.

Gjykatat kanë hedhur poshtë edhe kërkesa për raste tjera, që po ashtu kanë nisur të hetohen apo që janë ngritur padi ndaj personaliteteve të ndryshme politike dhe zyrtarë shtetëror, përfshirë ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, ministra, ish-shefin e policisë sekrete, Sasho Mijallkv dhe të tjerë.

Procesi ndaj ish-kryeministrit Gruevski madje është shtyrë për pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Vendimet e tilla të Gjykatës Penale dhe refuzimeve në vazhdimësi të Prokurorisë Speciale sërish kanë ngritur debatet dhe kërkesat për formimin e një Gjykate Speciale, apo të paktën të një departamenti special në kuadër të Gjykatave ekzistuese, që të mund të vendosnin pa presione të politikës për dhjetëra procese gjyqësore, që janë iniciuar nga Prokuroria Speciale, por që deri më tani nuk kanë nisur të procedohen.

“Prokuroritë Speciale dhe Gjykatat Speciale janë kategori e njohur në historinë e Evropës dhe ato gjithmonë formohen për vepra speciale, krime të rënda. Kjo duhet të ndodhë, duhet të ketë edhe Gjykata Speciale që Prokuroria Speciale të mund të vazhdojë punën e saj pa pengesa në hetimin e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me shpërdorim detyre e që janë dokumentuar nga bisedat e përgjuara telefonike”, thekson Sllobodan Bogoevski, ish-drejtor i Agjencisë për Zbulim dhe Kundërzbulim.

Nga VMRO DPPMNE-ja nuk kanë komentuar zhvillimet e fundit, me arsyetimin se nuk duan të përzihen në punën e gjyqësorit, por nga LSDM-ja opozitare thonë se pikërisht ndërhyrja e partive në qeveri në punën e pushteti gjyqësor ka sjellë vendin në krizë të thellë.

Stevo Pendarovski, një nga kandidatët për deputet nga Lidhja Social-demokrate thotë se gjendja duhet të ndryshojë, duke nisur me reformat që nga gjyqësori.

“Gjendja e tanishme është e pa tolerueshme, andaj ne duhet t’i japim fund praktikës që vendimet gjyqësore të mos sillen në shtabet partiake”, ka deklaruar Pendarovski, duke theksuar nevojën edhe për një Gjykatë Speciale që vendimet të mos pengohen si deri më tani.

Por, një pjesë e ekspertëve vlerësojnë se gjendja është përkeqësuar edhe për shkak të vonesave të Prokurorisë Speciale në përfundimin e hetimeve.

“Edhe Prokuroria ka faj, pasi duhej që me kohë të vepronte dhe të kërkonte ndihmë nga Bashkësia Ndërkombëtare, pasi neni 35 ia mundëson këtë, por ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë. Pra, ajo nuk është gjendur si duhet, duhej ta parandalonte këtë situatë dhe të mos priste fillimin e fushatës zgjedhore”, thotë Bashkim Selmani, ekspert i së drejtës penale, i cili gjithashtu mbështet vlerësimet për themelimin e një departamenti të veçantë në kuadër të Gjykatave ekzistuese.

Prokuroria Speciale deri më tani ka ngritur padi për dy raste, ku janë përshirë mbi 20 zyrtarë të lartë, por ndaj tyre ende nuk ka mbajtur asnjë seancë gjyqësore, ndërsa janë refuzuar të gjitha kërkesat për masa sigurie ndaj personave të akuzuar. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG