Ndërlidhjet

Dilema për qeverinë e re në Maqedoni – partitë shqiptare vendimtare


Ilustrim
Ilustrim

Pavarësisht humbjes së të paktën nëntë mandateve në zgjedhjet e 11 dhjetorit, formimi i qeverisë së re të Maqedonisë është në duart e partive politike shqiptare.

Asnjëra nga dy partitë maqedonase, VMRO dhe LSDM, nuk do të mund të formojnë qeverinë e re pa bërë koalicion me një ose më shumë parti shqiptare.

Për formimin e qeverisë së re nevojiten 61 deputetë dhe dy partitë maqedonase kanë 51, përkatësisht 49 mandate. Rezultati thuajse i barabartë mes tyre nuk i krijon atyre komoditet për të qeverisur dhe rrjedhimisht partitë shqiptare kanë nisur kalkulimet e tyre, por edhe kushtëzimet për të marrë pjesë në qeveri.

Bashkimi Demokratik për Integrim, që fitoi 10 deputetë, nuk është deklaruar ende në pritje të certifikimit të rezultateve, ndërsa partitë tjera tanimë kanë dalë me kushtëzimet e tyre.

“Formimi i një koalicioni të zgjeruar mund të ishte zgjidhje për kthimin e normalitetit në vend, por pjesëmarrja jonë në një qeveri do të kushtëzohet me zgjidhjen e çështjen shqiptare”, thonë nga Lëvizja Besa, e cila doli partia e dytë në bllokun shqiptar me 5 mandate.

Kërkesat e saj i ka paraqitur edhe Aleanca për Shqiptarët, e cila në zgjedhjet e së dielës fitoi tre deputetë.

“Pozicioni jonë është tek zyrtarizimi i shqipes, tek prokuroria speciale si kategori kushtetuese, tek gjykata speciale në mënyrë që të kthehet sundimi i së drejtës, është tek zgjidhja e proceseve të montuara politike dhe tek buxheti me prerje lokale”, ka deklaruar Ziadin Sela, drejtues i Aleancës për Shqiptarët.

Duke komentuar pozicionet e tilla, njohësit e çështjeve politike thonë se zgjedhjet nuk e kanë zgjidhur krizën politike, edhepse sipas Arsim Sinanit, ato kanë faktorizuar si asnjëherë më parë rolin e partive shqiptare.

“Shqiptarët do të vendosin se çfarë qeverie do të ketë, qoftë ajo qeveri teknike, qeveri e koalicionit të gjerë, qeveri me LSDM-në, apo VMRO-në. Pra, janë shqiptarët ata që tani do të vendosin për proceset politike në Maqedoni. Në të gjitha kombiinimet që përmenden pas këtyre zgjedhjeve, shqiptarët janë faktori kryesor që e shpëton Maqedoninë nga lindja dhe e kthen në rrugën duhur, në rrugën evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arsim Sinani, analist dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Por, pavarësisht kësaj, Nikolla Dujoski, analist dhe profesor në Universitetin e Shkupit, nuk pret një qeveri stabile.

“Në një situatë të tillë do të jetë shumë e vështirë të formohet një qeveri e cila do të funksiononte në mënyrë efikase në miratimin e ligjeve dhe zgjidhjen e shumë problemeve tjera. Një qeveri e tillë nuk do të zgjidhte krizën në vend. Ndoshta mund të formohet edhe qeveri e zgjeruar, por ende është herët të flitet për një gjë të tillë. VMRO-ja mund të llogarisë vetëm në BDI-në e Ahmetit, por jo edhe tek partitë tjera. LSDM-ja ka më shumë opsione. Por, çdo qeveri që mund të formohet do të ishte jo stabile”, thotë Dujoski.

Në bazë të Kushtetutës, mandati për formimin e qeverisë së re i ndahet partisë fituese nga ana e presidentit të shtetit, pas certifikimit të rezultateve nga KSHZ-ja dhe konstituimit të përbërjes së re parlamentare. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG