Kriza për vendimmarrje mund ta çojë Kosovën në zgjedhje 

Kuvendi i Kosovës

Pamundësia e koalicionit qeverisës që t’i çojë deri në fund çështjet si Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi - si kusht për liberalizimin e vizave - si dhe ngecja me zbatimin e disa obligimeve nga dialogu me Serbinë dhe pamundësia e themelimit të Forcave të Armatosura, besohet se mund ta çojnë Kosovën në zgjedhje të parakohshme në pranverën e ardhshme.

Aktualisht, është kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai i cili nga liderët vendor po kundërshton zgjedhjet e parakohshme.

Por, opozita, si edhe disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e përjashtojnë opsionin e zgjedhjeve që do të mund të organizoheshin eventualisht në pranverën e ardhshme.

Sidoqoftë, kryeministri Isa Mustafa vazhdon të besojë se zgjedhje nuk do të ketë dhe se qeveria e tij do të përfundojë mandatin në vitin 2018.

Zgjedhjet, sipas tij, po kërkohen vetëm për arsye politike dhe nuk kanë të bëjnë me çështjen e demarkacionit të kufirit dhe liberalizimin e vizave.

“Në qoftë se dikush po kërkon zgjedhje, në mënyrë që pas zgjedhjeve ta ratifikojë të njëjtën vijë kufitare, atëherë atë duhet ta bëjë sot, sepse në asnjë rast zgjedhjet nuk mund të ndërlidhen me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Mustafa.

Kohë më parë, zyrtarë të qeverisë nga Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo partnere me Lidhjen Demokratike në koalicionin qeverisës, dolën hapur me mospajtime në lidhje me projektimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Por, Mustafa beson se buxheti i vitit 2017 paraqet projektimin më të mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë.

“Qeveria po bën një punë shumë të mirë, ne i kemi propozuar Kuvendit buxhetin, i cili është buxheti më i madh që ka pasur Kosova deri më tash”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu, edhe diplomatë ndërkombëtarë, nuk preferojnë që Kosova të humb sërish kohë në organizimin e zgjedhjeve.

Pas komenteve që i bëri në Prishtinë, komisionari për Zgjerim dhe Negociata i Bashkimit Evropian , Johannes Hahn, i cili u shpreh i habitur se si një koalicion me mbi 80 vota në Kuvend nuk po arrin të marr vendime dhe po kërkon zgjedhje, së fundit edhe ambasadorja gjermane, Angelika Vietz ka dalë me qëndrime kundër zgjedhjeve të shpejta.

“Unë vetëm mund ta përsëris vetveten, se zgjedhjet duhet të ndodhin sipas afatit të përcaktuar, më 2018. Në të kundërtën, Kosova do të humb shumë kohë në zbatimin e reformave të rëndësishme në drejtësi dhe çështje tjera, si arsimi, punësimi dhe zhvillimi ekonomik”, ka thënë Vietz.

Megjithatë, faktori ndërkombëtar ka adresuar këto ditë edhe disa kërkesa për koalicionin qeverisës, duke insistuar që të angazhohet dhe të gjejë zgjidhje për Demarkacionin, ngjashëm siç do t’i kërkohet edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurse, opozita në anën tjetër, tashmë e ka orientuar gjithë programin e vet kah mobilizimi në terren, duke organizuar debate e vizita nëpër lokalitete të ndryshme të Kosovës. Po ashtu, nuk mungojnë as prezantimet e aderimeve të reja nëpër parti politike, ndër të cilat është përfshirë edhe partia e më e madhe në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës, edhe pse i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvendin e Kosovës, nuk po arrin që t'i çojë përpara shumë procese te rëndësishme.

"Është për të ardhur keq se në çfarë gjendje kemi rënë, prandaj mund të them lirisht se sa ma parë që të shkohet në zgjedhje aq më mirë do të jetë për qytetarët e Kosovës, sepse me këtë qeveri janë ngopur qytetaret e Kosovës", ka thënë Lekaj.

Riaktualizimi i opsionit të zgjedhjeve ka nxitur rikthimin në skenë edhe të disa partive politike që nuk arritën të kalojnë pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit.

Aleanca Kosova e Re e afaristit Behxhet Pacolli është njëra prej tyre që po riaktualizohet. Kryetari i saj, Pacolli, madje ka folur qysh në këtë fazë për vijat e kuqe që mund t’i ketë për partneritet me subjektet tjera në zgjedhjet e ardhshme.

“Ne kemi ardhur me plot dashuri, me plot ide, me plot vullnet që t’i kontribuojmë vendit dhe ato parti që e kanë ngulfatë AKR-në, ato nuk do të jenë partnere të AKR-së”, ka thënë Pacolli.

Zgjedhjet e parakohshme janë fuqizuar si opsion edhe me vendimin e Listës Serbe për t’i bojkotuar institucionet qendrore, me çka është vështirësuar edhe më tepër vendimmarrja në Kuvend për çështje të rëndësishme. (REL)