Ndërlidhjet

Drejt reformave apo zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë


Presidenti Thaçi në takim me përfaqësuesit e partive politike në vend
Presidenti Thaçi në takim me përfaqësuesit e partive politike në vend

Ndërsa zgjedhjet e parakohshme po shihen gjithnjë e më tepër si një prej opsioneve reale, në nivelet më të larta politike në Kosovë është ngritur fillimisht nevoja e përmbylljes së reformave zgjedhore.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur një tryezë bisedimesh me partitë politike, institucionet e angazhuara në procesin zgjedhor dhe shoqërinë civile, për të trajtuar pikërisht çështjen e reformave.

Për herë të parë, Thaçi ka propozuar që Kuvendi i Kosovës të zvogëlojë numrin e ulëseve nga 120 në 100, si dhe të sigurojë dy ulëse për komunitetet pakicë, përkatësisht për komunitetin kroat dhe atë malazez.

“Është mundësia e zvogëlimit të numrit të deputetëve nga 120 në 100, apo edhe më pak. Si dhe mundësia e dytë, që të shtohen edhe dy deputetë të komuniteteve tjera, pra të ndodhë përfaqësimi i komunitetit malazez dhe atij kroat”, tha Thaçi.

Sipas tij, këto ndryshime duhet të ruajnë përfaqësimin aktual të partive shqiptare dhe pakicave, duke ruajtur parimet e përcaktuara me Pakon e presidentit Ahtisaari, si dokumenti gjithëpërfshirës mbi bazën e të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës.

Për realizimin e reformave zgjedhore, presidenti Thaçi tha se do të jenë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese e ligjore. Ai tha se reformat duhet të japin një përgjigje nëse në të ardhmen presidenti do të zgjidhet përmes votës së drejtpërdrejtë të popullit. Po ashtu, Thaçi tha se me anë të këtyre reformave duhet të përcaktohet se sa zona zgjedhore do të ketë Kosova dhe a do të shkohet në votime me lista të hapura apo të mbyllura.

Ndërkohë, sa u përket zgjedhjeve lokale, në debat u tha se reformat aty janë më të lehta, pasi që kërkohet vetëm ndryshim i ligjit dhe nuk ka nevojë për amandamentime kushtetuese.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se deri në këtë fazë Kosova kaloi përmes procesit të shtet-ndërtimit dhe se tani ka nevojë për reforma, ku zgjedhjet zënë një vend të rëndësishëm.

Kurse kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryeministër i Kosovës, tha se i mbështet reformat, por për realizimin e tyre do të nevojitet një konsensus mes partive të shumicës si edhe pakicave, pasi që procesi do të përmbyllet me ndryshime kushtetuese.

“Do të merremi vesh t’i formojmë ekipet e përbashkëta që do të punojnë me përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike dhe shoqërisë civile, por jam për atë që ne ta fillojmë këtë proces dhe t’i zëmë të gjitha afatet sepse duhet procesi të përmbyllet gjashtë muaj para zgjedhjeve”, tha Mustafa.

Debati i thirrur nga presidenti Thaçi është bojkotuar nga partitë opozitare. Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu tha me këtë rast se pa një gjithëpërfshirje reformat nuk do të mund të realizohen.

Dy parti opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë prezantuar ndaras qëndrimet e tyre, në një konferencë për media.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka polemizuar me presidentin Thaçi rreth kërkesës së tij që të shtohen edhe dy vende në Kuvend për pakicat, duke thënë se përse një propozim i tillë nuk u dha edhe për diasporën e Kosovës.

“Ku e la diasporën tonë. Pse nuk e përmendi që janë përafërsisht 600 – 700 mijë njerëz tanë dhe nuk i shkoi ndërmend presidentit të Kosovës, Thaçit, dhe ta thotë se duhet të kemi vende të rezervuara edhe për diasporen tonë”, tha Lekaj.

AAK dhe Nisma thanë se e mbështesin një proces të reformave, por i cili do të realizohet nga legjislatura e ardhshme dhe jo nga këto institucione.

Në bazë të dinamikës së propozuar, partitë politike besojnë se reformat zgjedhore duhet të përmbyllen deri në pranverën e vitit tjetër. Deri atëherë mbetet të përcaktohet edhe çështja e pragut të zgjedhjeve. Aktualisht, partitë politike duhet ta kalojnë pragun prej 5 për qind që të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të zhvillohen në vjeshtën e vitit 2017, kurse ato parlamentare në pranverën e vitit 2018.

Sidoqoftë, zgjedhjet e përgjithshme apo parlamentare mbeten si opsion të thirren edhe më herët, përkatësisht në pranverën e vitit tjetër, nëse koalicioni aktual qeverisës do të vendoste që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG