Përmbyllja e reformës zgjedhore në Kosovë mbetet problematike, ndonëse nevoja për një gjë të tillë është theksuar edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, rreth 10 ditë më parë, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike - kushtetuese dhe të zhvillimeve politike në vend.
Presidenti Thaçi, në një tryezë bisedimesh në të cilën pati ftuar partitë politike, institucionet e angazhuara në procesin zgjedhor dhe shoqërinë civile, pati propozuar që Kuvendi i Kosovës të zvogëlojë numrin e ulëseve nga 120 në 100, apo edhe të sigurojë dy ulëse për komunitetet pakicë, përkatësisht për komunitetin kroat dhe atë malazez.
Megjithatë, siç kishte thënë ai, këto ndryshime duhet të ruajnë përfaqësimin aktual të partive shqiptare dhe pakicave, duke ruajtur parimet e përcaktuara me Pakon e presidentit Ahtisaari, si dokumenti gjithëpërfshirës mbi bazën e të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës.
Profesor Mazllum Baraliu, ekspert i çështjeve juridike kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se për jetësimin e këtyre propozimeve të presidentit Thaçi, nevojiten ndryshimet kushtetuese.
“Ka mundësi që të zvogëlohet ose shtohet numri i deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por, për këtë do të duhej një konsensus paraprak, për arsye se janë parametrat konsensual dhe politik të dhënë me propozimin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit, i cili, tashmë, me mekanizmat bllokues që janë krijuar në kushtetutën e tanishme, nuk mund të hiqen pa pëlqimin e komuniteteve pakicë".
"Nuk mund të ndryshohen pa një konsensus gjithëpërfshirës të spektrit politik të Kosovës, duke përfshirë subjektet politike të të gjitha komuniteteve”, tha Baraliu.
Por, analisti i çështjeve politike, Driton Selmanaj nga Demokraci Plus, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se me Dokumentin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, deputetët e komuniteteve pakicë janë të përcaktuar me numër për secilin komunitet.
Sipas tij, në rast se ulet numri i tyre, kjo nënkupton shkeljen e parimeve të këtij dokumenti. Ai thekson që në rast se ngrihet numri i deputetëve në 122, për të përfshirë edhe nga një deputet të komunitetit kroat dhe atij malazez, kjo do të shënonte përparim në të drejtat e komuniteteve.
Përparim ose diskriminim pozitiv për komunitetet pakicë, siç thotë ai, do të shënohej edhe në rast se ulet numri i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në 100, por nëse me këtë rast nuk preket numri i deputetëve të komuniteteve pakicë.
Por, sipas tij, kjo do ta dëmtonte apo diskriminonte përfaqësimin e komunitetit shumicë, të cilit do t’i mbeteshin 80 deputetë ose më pak dhe njëkohësisht do ta vështirësonte marrjen e vendimeve nga Kuvendi.
“E vështirëson, sepse janë disa ligje, që quhen me interes vital, të cilat pa shumicën e komuniteteve në Kosovë nuk mund të kalojnë, nuk mund të ndryshohen, e lërë më ndryshimet kushtetuese. Asnjë amendament kushtetues nuk mund të kalojë pa votën e tyre. Kjo sikur i faktorizon jashtëzakonisht shumë".
"Është shembull atipik, madje edhe për demokracitë perëndimore. Por, megjithatë, ne duhet të gjejmë formula që të shohim se a mund ta ngrehim numrin në 122 të deputetëve ose të shohim forma tjera. Por, assesi nuk mundemi ta kufizojmë numrin e deputetëve, të cilët janë të përfaqësues nga komunitetet, të cilat janë përcaktuar edhe me pakon e Ahtisaarit, sepse flet me numër”.
Analisti Selmanaj ka shtuar se, megjithatë, cilado qofshin propozimet për reformën zgjedhore, afatet që ka propozuar presidenti Thaçi për përmbyllje të kësaj reforme janë të pamjaftueshme.
“Afatet që zoti Thaçi ka propozuar për të bërë ndryshimet kushtetuese, që është 10 dhjetori, si dhe afati tjetër për reformë të ligjit zgjedhore, që është 5 dhjetori, janë afate jo ambicioze, por janë qesharake për tu menduar që brenda kësaj periudhe mund të realizohet reformë e mirëfilltë, madje duke përfshirë këtu amendamente që lidhen me tematika tjera. Nuk kryhet reforma zgjedhore dhe kushtetuese për dy javë. Madje edhe dy muaj janë pak”.
Zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, pritet të zhvillohen në vjeshtën e vitit 2017, kurse ato parlamentare në pranverën e vitit 2018.
Këto të fundit, vazhdojnë të mbeten si opsion që të thirren edhe më herët, si të parakohshme, në rast se për këtë do të vendoste koalicioni aktual qeverisës. (REL)