Ndërlidhjet

Mungesa e konsensusit rrezikon reformën zgjedhore të Thaçit 


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka arritur sërish të mbledh të gjitha partitë politike në nismën e tij rreth reformës zgjedhore. Thaçi nuk po arrin që të sigurojë praninë e opozitës në tryezat e tij të përjavshme.

Përderisa edhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë filluar të dyshojnë nëse kjo do të jetë një nismë më suksesshme sesa disa të tjera që përfunduan pa ndonjë rezultat.

Pavarësisht kësaj, presidenti Thaçi, mblodhi sërish të premten përfaqësuesit e partive politike, pa opozitën, ata të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit ndërkombëtar, ku propozoi formimin e dy grupeve punuese.

Reformat zgjedhore, sipas Thaçit, mund të zbatohen vetëm nëse paraprakisht amandamentohet Kushtetuta e Kosovës dhe më pas ndryshohen ligjet përkatëse.

“Javën e ardhshme do t’i formojmë dy nëngrupe, atë për amandamentimet Kushtetuese, i cili mendojmë se duhet ta kryej punën deri më 10 dhjetor, si propozim, dhe nëngrupin për ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale i cili, si propozim, duhet ta kryej punën deri më 5 dhjetor”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi sërish ka mbështetur idenë e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit të Kosovës në të ardhmen. Po ashtu, Thaçi tha se edhe në rast të zvogëlimit të numrit të ulëseve të deputetëve në Kuvend, do të kërkohen ndryshime Kushtetuese.

Ai ka propozuar që numri i tashëm prej 120 ulëseve në Kuvend të zvogëlohet në 100 ulëse.

Debati ka nxjerrë në pah edhe qëndrimet e para rreth pikave që po diskutohen. Deri në këtë fazë, Partia Demokratike e Kosovës ka qëndrim rreth pragut zgjedhor, kurse për çështjet tjera, sipas nënkryetarit të saj, Enver Hoxhaj do të diskutohet dhe vendoset në takimet e radhës.

“Partia Demokratike e Kosovës ka një qartësi, që pragu zgjedhor të mbetet ky prej 5 për qind, siç është tani, nëse jo edhe të rritet. Besoj që në takimet e radhës do të dalim me qëndrime edhe më konkrete", ka thënë Hoxhaj.

Me qëndrime të ngjashme ëshët prezantuar edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri. Ulja e pragut zgjedhor, sipas propozimeve nga disa parti më të vogla, për partitë e mëdha PDK dhe LDK, u vlerësua si jofunksional.

“Vlerësojmë që 5 për qind për partitë politike dhe 7 për qind për koalicionet është prag i cili i jep kredibilitet përfaqësimit politik më të mirë dhe më të madh në institucione të vendit”, ka thënë Haziri.

Debatet për reforma zgjedhore pa opozitën, për përfaqësuesit e shoqërisë civile po shihen si shenja të para të dështimit.

Driton Selmanaj nga Demokraci Plus, tha se vazhdimi i këtij procesi pa një konsensus me opozitën, vetëm sa do ta shtojë numrin e çështjeve kundërthënëse që edhe ashtu kanë ngulfatur vendimmarrjen në vend.

“Pa opozitën, mendoj se nuk ka legjitimitet as politik e as demokratik për çfarëdo reforme që mendohet të realizohet. Nuk po arrijmë konsensus për Forcat e Armatosura, nuk po arrijmë konsensus për Asociacionin, pastaj për Demarkacionin dhe tash po ia shtojmë edhe një temë tjetër, pra reformën zgjedhore. Shtrohet pyetja, a kemi nevojë për polarizim?!- mendoj që jo”, është shprehur Selamanaj.

Reforma zgjedhore, pritet të përcaktojë edhe numrin e zonave zgjedhore si dhe çështjen e listave të hapura apo të mbyllura.

Ndërkaq, ndryshimet eventuale Kushtetuese, do të prekin në vet sistemin e rregullimit shtetëror, përkatësisht, nëse Kosova do të përqafojë apo jo një sistem gjysmë presidencial.

Opozita, ndërkaq ka deklaruar se procesi i reformave mund të zhvillohet pas zgjedhjeve të ardhshme dhe formimit të institucioneve të reja të vendit. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG