Të pagjeturit, temë kryesore në fazën e ardhshme të dialogut

Në përvjetorin e të pagjeturve në Kosovë, fshati Meje.

Në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi i Kosovës në dialog do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë temë kryesore.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Dialogut e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri. Ajo ka thënë se faza e tretë e bisedimeve me Serbinë në Bruksel do të nisë pas zbatimit të marrëveshjeve të fundit, të cilat ende kanë mbetur pa u zbatuar.

Ministrja Tahiri ka theksuar se zbardhja e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, është çështje humanitare, por të cilën Serbia e ka politizuar, për shkak se ajo tash e disa vite po vazhdon ta sabotojë këtë proces, duke mos u treguar e gatshme që t’i japë informacionet e sakta për vendndodhjen e personave të pagjetur, e madje sipas saj, në disa raste edhe duke dhënë informacione për lokacione të caktuara, në të cilat nuk janë gjetur faktet.

“Në fazën e tretë ne kemi paraqitur, në fakt, si kryesoren, temën e të pagjeturve. Serbia e ka politizuar këtë proces. Kjo është një çështje humanitare, që nuk është dashur të politizohet. Mirëpo, duhet thënë qartë se është Serbia ajo që ka bërë gjenocid në Kosovë dhe ka bërë zhdukje personash. Prandaj, vetëm Serbia e di se ku janë adresat për t’i gjetur personat e pagjetur. Ne kemi thënë qartë se arkivat e ushtrisë së Serbisë duhet të hapen, sepse forca okupatore kanë qenë forcat e ushtrisë serbe”.

Mosgatishmëria e deritashme e Serbisë për të përfunduar plotësisht procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, sipas ministres Tahiri, është treguar edhe në punën që është bërë deri më tash nga Grupi i përbashkët për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Ky grup përbëhet nga delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, proces të cilin deri më tash e ka ndërmjetësuar Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për të pagjeturit dhe anëtar i delegacionit të Kosovës në grupin e përbashkët për të pagjeturit, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht se ekzistojnë informacionet për varreza të dyshuara si të mundshme, pala serbe zvarrit procesin e kërkimit.

Shembull ai merr një lokacion në Rudnicë afër Rashkës (Serbi), ku deri më tash në një varrezë masive janë gjetur mbetjet mortore të mbi 50 trupave të pajetë të shqiptarëve të Kosovës, të zhdukur gjatë luftës së fundit.

“Përkundër asaj që një dialog zhvillohet, nuk ka mjaft rezultate. Ja ku e kemi rastin e Kizhevakut (në Rudnicë të Rashkës). Qe tre herë ndërpritet. Mendoj se faktori ndërkombëtarë mund ta kërkojë përgjegjësinë te pala serbe, se pse po ndërpriten kërkimet, ose më shkurt, që të mos ndërpriten me arsyetime të ndryshme, si mungesa e mjeteve, mungesa e financave etj. ata marrin donacione, si në rastin e Kizhevakut, prej Britanisë së madhe, Zvicrës, etj”.

Gjataj ka shprehur bindjen se autoritetet e Serbisë e dinë saktë vendndodhjen e personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës.

“Në këtë aspekt, nuk ka dyshim që institucionet serbe nuk dinë se ku është vendndodhja e varrezave masive, për arsye se kanë punuar me komandë, me sistem, në mënyrë të organizuar”.

Në vitin 2011, delegacioni i Kosovës në dialogun teknik në Bruksel, pati iniciuar çështjen e të pagjeturve, si temë në kuadër të dialogut. Bashkimi Evropian kishte kërkuar nga të dyja palët listën e personave të pagjetur dhe vendndodhjen e tyre.

Ministrja Tahiri, thotë se pala e Kosovës e kishte dorëzuar listën me 1 mijë e 860 persona të pagjetur deri në atë vit, por se pala e Serbisë, nuk kishte ofruar të dhënat se ku ndodhen këta persona.

Nisur nga kjo, sipas saj, Bashkimi Evropian, kishte ardhur në përfundim se kjo çështje nuk mund të zgjidhet përderisa Serbia nuk bashkëpunon për t’i dhënë informacionet.

Por, a do të mund të shtrohet zbardhja e fatit të personave të pagjetur si temë e bisedimeve në dialogun Kosovë-Serbi, përderisa për diçka të tillë nevojitet pajtimi nga të dyja palët në dialog?

Ministrja Tahiri, pret që kjo të ndodhë.

“Fakti që në vitin 2011 ka pasur pajtim nga të dyja palët që të bisedohet, jam e bindur që mbi atë parim që kjo temë është tashmë në agjendë. Por, nuk ka pasur bashkëpunim nga ana e Serbisë. Unë mendoj se këtu është problemi që faktori ndërkombëtarë duhet t’i bëjë presion Serbisë që të jap listat e vendndodhjes së të pagjeturve”.

Aktualisht, në listën e personave të pagjetur figurojnë emrat edhe të rreth 1 mijë e 650 personave, fati i të cilëve ende nuk është ndriçuar. (REL)