Ndërlidhjet

Serbia të jap përgjigjen për 1650 persona të zhdukur


Kosova kërkon të pagjeturit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Kosova kërkon të pagjeturit

Për Nehbi Morinën nga fshati Samadrexhë, Komuna e Suharekës, plagët e luftës së fundit në Kosovë mbesin ende të hapura, teksa kërkon me ngulm që të zbulojë se ku gjenden eshtrat e vajzës së tij 26 vjeçare, të vrarë në periudhën e luftës.

Në Ditën Ndërkombëtare për personat e zhdukur, Nehbi Morina, nuk ka shuar shpresat se megjithatë një ditë do të zbardhet edhe fati i vajzës së tij, së bashku me qindra qytetarë të Kosovës, të pagjetur që prej përfundimit të luftës.

“Vajza ime ishte masakruar nga policia serbe dhe ishte marrë nga shtëpia nga forcat serbe me 26 mars të vitit 1999. Tash e 17 vite Mevludja, vajza ime mungon. Ne nuk kemi arritur të gjejmë eshtrat e saj. Në ankth jemi gjithmonë - ditën e natën. Kah të shkojmë. Por, jetojmë me shpresë se një ditë do t’i gjejmë eshtrat e saj”, thotë Morina.

Morina beson në institucionet e Kosovës se do të arrijnë të bëjnë më shumë në gjetjen e personave të zhdukur, në mesin e të cilave është edhe vajza e tij.

Familjarë të personave të pagjetur kanë kërkuar në vazhdimësi angazhimin e të gjithë faktorëve vendor e ndërkombëtarë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ata thonë se asnjëherë nuk do të ndalen deri se të gjendet edhe personi i fundit i pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, thotë se “kjo plagë e cila është e hapur tek familjarët për 17 vite duhet të mbyllet”.

“Të gjithë ne besojmë dhe shpresojnë se kjo çështje me të vërtetë do të merret seriozisht, e posaçërisht pas konkluzave të një tryeze të djeshme ku janë dhënë disa rekomandime të cilat do t’ua përcjellim të gjithëve”, thekson Qerkini.

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë janë edhe 1,650 persona të pagjetur, fati i të cilëve ende nuk është ndriçuar.

Informacioni i besueshëm mbetet sfida më e madhe për ndriçimin e fatit të të pagjeturve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Adresa për të kërkuar për personat e zhdukur si pasojë e luftës, për kryetarin e komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj, mbetet Serbia.

“Cila është adresa për të kërkuar personat e zhdukur si pasojë e luftës dhe adresa është e njohur është Serbia, institucionet serbe, sepse ushtria serbe, policia serbe kanë bërë krime dhe kanë fshehur gjurmët e krimit dhe mendojmë se ende ka varreza masive të cilat nuk i dimë, prandaj kërkohet një presion më i madh në palën serbe”, thotë Gjetaj.

Çështja e personave të zhdukur, shton Gjetaj mban peng shumë procese tjera, përhapa të mëtutjeshëm në ballafaqim të së kaluarës dhe normalizimit të marrëdhënieve në kuptim të ripajtimit.

“Derisa ende kemi këtë numër të personave të pagjetur nuk mund të bëhet hapa të mëtutjeshëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe në këtë drejtim apelojmë që faktori ndërkombëtarë të jetë më këmbëngulës dhe kushtëzues për Serbinë”, thotë Gjetaj.

Në ditën Ndërkombëtare të Personave të zhdukur, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka bërë nderime dhe homazhe te përmendorja kushtuar personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Ai tha se institucionet e Kosovës po punojnë që të zbardhet fati i të pagjeturve.

“Si president i vendit, shpreh sërish solidaritet të plotë me familjet e të pagjeturve, por njëherësh edhe zotimin dhe përgjegjësinë për të punuar edhe më tepër që sa më shpejtë të zbardhet fati i çdo të personi të zhdukur”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka shtuar se kjo çështje mund të zgjidhet me një vullnet dhe një mbështetje të fuqishme edhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka e shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të punuar në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet do të punojnë me përkushtim maksimal në të gjitha drejtimet me qëllim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve në Kosovë. Të pagjeturit janë plaga më e rëndë e Kosovës dhe dhimbja jonë me e madhe”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Mustafa i ka bërë thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të shtojnë presionin mbi autoritetet serbe që të tregojnë se ku ndodhen të pagjeturit e Kosovës, të cilët janë rrëmbyer gjatë luftës dhe të dorëzojnë kryesit e akteve kriminale gjatë asaj periudhe.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se gërmimet në një nga varrezat e supozuara masive në Serbi pritet të fillojnë së shpejti. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG