Dekriminalizimi i institucioneve të Kosovës pritet të jetë misioni kryesor i amandamentimit të Kodit Penal. Ky mision është paralajmëruar se do të nis që nga listat zgjedhore, duke ua ndaluar personave nën hetime të marrin pjesë në zgjedhje, e deri te ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për persona mbi të cilët rëndojnë aktakuza.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se janë duke punuar në drejtim të ndryshimit të Kodit Penal, që si burim ka një kërkesë dhe nismë të presidentit, Hashim Thaçi.
Në një nga zotimet e tij, presidenti Thaçi kishte deklaruar se do të inicionte plotësimin e Kodit Penal, në mënyrë që, siç ka thënë ai, të mos i lejohet askujt që t'i ikë drejtësisë dhe kështu, të fillojë edhe “dekriminalizimi” i skenës politike përmes ndryshimit të Kodit.
Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se në Ministrinë e Drejtësisë është iniciuar tashmë formimi i një grupi punues, i cili do të merret me çështjen e përgatitjes së amandamentimit të Kodit Penal.
"Kjo çështje është marrë përsipër nga Ministria e Drejtësisë dhe ka themeluar grupin punues që është duke punuar me të gjitha organet, institucionet relevante për të identifikuar nevojat për ndryshime, nevojat për amandamentim. Jemi në kontakt të vazhdueshëm...ajo e fundit që kemi dëgjuar na bën që të jemi optimist për procesin", tha Arifaj.
Sipas Arifajt, nga kontaktet me Ministrin e Drejtësisë, puna rreth ndryshimit të Kodit Penal të Kosovës përqendrohet kryesisht në përmbajtje.
"Theksi është te përmbajtja e ndryshimeve, sesa te afatet kohore", u shpreh Arifaj.
Nga ana tjetër, në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se "Ministria e Drejtësisë, me qëllim të avancimit të kuadrit ligjor të fushës penale materiale dhe asaj procedurale, ka iniciuar procesin e rishikimit të Kodit Penal dhe Kodit të procedurës Penale."
"Qëllimi parësor i këtij procesi është identifikimi i mangësive ligjore të këtyre Kodeve, të identifikuara gjatë zbatimit të tyre nga organet e zbatimit të ligjit, gjithnjë me qëllim të fuqizimit të luftës kundër kriminalitetit në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë, dërguar nga zyra për media.
Momentalisht, vazhdon sqarimi i ministrisë, komentet e pranuara janë duke u analizuar dhe pas kësaj pritet hartimi në koncept i dokumentit të parë.
Por, në sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se grupi punues është në themelim e sipër, ngaqë ai ende nuk është formuar, siç kishte njoftuar Presidenca.
Grupi punues thuhet se do të përgatit ndryshimet përkatëse të Kodit Penal dhe Procedurës Penale, me qëllim të modernizimit të mëtejmë të tyre.
Por, njohësit e çështjeve juridike-penale thonë se këto amandamentime mund të përfundojnë si një mision i pamundur për t’u realizuar.
Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se 'dekriminalizimi i skenës politike duhet të rregullohet me qëndrime partiake politike ose edhe me ndonjë ligj të veçantë, sepse kjo nuk është çështje e Kodit Penal.
"Kodi penal i ka dispozitat, kur dikush dënohet për shkak të keqpërdorimit të besimit, detyrës zyrtare e të tjera. Përveç dënimit që merr mundet si dënim plotësues t'i ndalohet nënshkrimi i përgjegjësive politike, për një kohë të caktuar - kjo është e Kodit Penal. Ndryshe, këto janë çështje tjera politike që duhet të rregullohen me vendime politike ose me ligje të veçanta, jo më Kodin Penal”, tha Salihu.
Ndryshe, bartës të funksioneve publike nën akuza apo edhe të dënuar për vepra penale në Kosovë aktualisht ka si në nivelin komunal ashtu edhe atë qendror.
Njohësit e çështjeve ligjore kanë potencuar se pavarësisht aktakuzave apo edhe shqiptimit të dënimeve, këta persona kanë vazhduar dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyra zyrtare.
Juristi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se për 'dekriminializimin' e skenës politike duhet të ketë vullnet politik për të pastruar listat partiake dhe vet njerëzit të cilat kanë rënë në kundërshtim me ligjin.
"Nëse flasim për plotësim ndryshimin e kodit penal, ne si institut e kemi përsëritur vazhdimisht se kjo fushë nuk mund të rregullohet përmes plotësim ndryshimit të Kodit, pasi që Kodi përcakton veprat penale të cilat mund të kryhen dhe për të cilat përcaktohen sanksionet ndaj kryesve të veprave penale”.
“Nëse zoti Thaçi ka menduar për një Kod të sjelljes apo për një kod i cili do t'ua pamundësonte përfaqësuesve të popullit apo të emëruarve në pozita që të mos kenë mundësi për të ushtruar këto pozita nëse bien në kundërshti me ligjin, atëherë kjo iniciativë mund të përshëndetet", tha Miftarja.
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në kohën kur presidenti Thaçi ka folur për dekriminalizimin e skenës politike kishte përkrahur këtë ide.
Mustafa ka thënë se do të mbështeste çdo nismë që në Kuvendin e Kosovës të mos ketë njerëz që kanë probleme me ligjin.
Për shkak të dyshimeve për përfshirje në vepra të ndryshme dhe disa hetimeve që kanë bërë organet e drejtësisë ndaj disa zyrtarëve, ka pasur raste që disa deputetë t’i lënë pozitat e tyre. E njëjta, ka ndodhur edhe me poste ministrore në Qeveri. (REL)