Ndërlidhjet

Kodi i Thaçit për “dekriminalizimin”, një mision i pamundur


Zotimi i përsëritur i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për “dekriminalizimin” e skenës politike përmes hartimit të një Kodi, për përfaqësuesit e shoqërisë civile shihet si një mision i pamundur.

Ndërkohë që disa nga hartuesit e Kodit Penal të Kosovës, konsiderojnë se një zotim i tillë mund të përmbushet, por me disa kushte.

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar inicimin e hartimit të një kodi më të cilin nuk do të lejohej që njerëzit e dënuar të jenë pjesë e skenës politike dhe institucionale, kurse njerëz që janë nën hetime nuk do të mund të përfshiheshin në listat zgjedhore. Kjo nismë, është përkrahur edhe nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ligjërisht kjo çështje mund të ndryshohet. Sipas tij, njerëzit që kanë probleme me ligjin nuk duhet të jenë të përfshirë në pozita të larta në institucionet e Kosovës.

“Kodi penal duhet të ndryshohet në aspektin e krimit të organizuar, sepse krimi i organizuar përveç elementeve tjera, nënkupton edhe lidhjen e kryersve të veprave penale të personave që janë në pozita politike, partiake dhe shtetërore. Në këtë aspekt, mendoj që duhet të ndryshohet. Dhe, unë pajtohem që njerëzve që dyshohet se janë të ndërlidhur më krimin, duhet t’u pamundësohet përfshirja në listat zgjedhore dhe të jenë udhëheqës në pozita të larta”, ka theksuar Salihu.

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile thonë se është e paqartë që përmes Kodit Penal të Kosovës të rregullohet kjo çështje. Sipas tyre, nevojitet një vullnet i të gjitha subjekteve politike për miratimin e një ligji të veçantë, për dekriminalizimin e bartësve të funksioneve publike dhe shtetërore.

Juristi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në këtë kuadër duhet të merren parasysh edhe praktikat e shteteve të rajonit.

“Ne si institut e kemi të paqartë se si përmes Kodit Penal të Kosovës të rregullohet kjo çështje, pasi Kodi Penal përcakton veprat penale të cilat ndiqen penalisht nga organet e ndjekjes. Prandaj, kjo në njëfarë mënyre e bënë të pamundur që kjo fushë të rregullohet dhe t’iu pamundësohet vërtet personave të cilët bartin funksione publike dhe shtetërore në ushtrimin e funksioneve të tyre”, ka thënë Miftaraj.

Nisma e presidentit Thaçi, sipas Miftarajt, do të mund të konkretizohej nëse vet partitë e politike nuk do të lejonin që personat të cilët janë nën hetime të jenë pjesë e listave zgjedhore.

“Kjo pastaj do të mundësonte që në njëfarë mënyre të ketë njerëz pa dosje penale dhe më një qeverisje potenciale të mirë. Pasi, që personat që nesër mund të zgjidhen çoftë anëtar të Kuvendit, do të kishin dosje të pastër. Sidoqoftë, kjo do të kërkonte në radhë të parë vullnet politik të partive politike, të kryetareve të këtyre partive, që të sigurohet që personat me dosje penale të mos kenë mundësi që të jenë pjesë e listave zgjedhore”, ka thënë tutje Miftaraj.

Ndryshe, bartës të funksioneve publike nën akuza apo edhe të dënuar për vepra penale në Kosovë aktualisht ka si në nivelin komunal ashtu edhe atë qendror.

Njohësit e çështjeve ligjore kanë potencuar se pavarësisht aktakuzave apo edhe shqiptimit të dënimeve, këta persona kanë vazhduar dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyra zyrtare, duke i shfrytëzuar edhe disa zbrazësi ligjore në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG