Sikur lumenjtë, luftërat gufojnë dhe shterren; sikur oqeanet ato lëvizin valë – valë. Më herët muajin e kaluar, valët e luftës civile në Siri duket se vepruan me të shpejtë në favor të kryengritësve që luftojnë kundër presidentit, Bashar al-Assad, kur ata ia dolën ta thyejnë rrethimin e forcave të regjimit, në qytetin me rëndësi të madhe strategjike, Aleppo.
Kjo ishte pengesë serioze për forcat e Assadit, koalicionin e butë që përbëhet nga Hezbollahu, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC), milicitë shiite, pastaj për më tepër se 2,500 kontraktorët privatë rusë, ushtarët e Rusisë, mbetjet e ushtrisë së Sirisë dhe grupet e ndara kurde. Prej atëherë, filloi lufta e Rusisë me forcën e vet ajrore.
Pjesa më e madhe e vëmendjes aktuale të medieve në Siri është fokusuar në hyrjen e Rusisë në luftë vitin e kaluar, për ta mbështetur Assadin. Sulmet ajrore të Rusisë ishin shkatërruese – veçanërisht për civilët e rrethuar sirianë.
Putini e mbron Assadin, Obama kërkon largimin e tij
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dëshiron ta sigurojë kapacitetin detar rus në Tartus, që do t’i mundësojë atij vazhdimin e projektimit të fuqisë në Lindjen e Mesme. Po ashtu, i mundëson atij një aventurë tjetër madhore për shkëputjen e popullit të tij nga tkurrja ekonomike dhe standardi gjithnjë e më i ulët i jetesës, me të cilin ato po ballafaqohen.
Natyrisht, atij i duhet ta kundërshtojë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili vazhdimisht ka deklaruar se Assadi duhet të largohet.
Irani ka shpenzuar miliarda për Assadin
Frika nga Rusia revanshiste, duke e kërcënuar stabilitetin evropian me ndërhyrjen e tij në Ukrainë dhe tash, duke e kërcënuar stabilitetin në Lindjen e Mesme me përzierjen në Siri, i ka tmerruar vëzhguesit. Inkursioni aktual i Turqisë në konflikt, më 24 gusht, kur tanket dhe ushtarët e saj të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e kaluan kufirin për t’i sulmuar pozicionet e grupit militant, Shteti Islamik (IS), afër Jarablusit, vetëm se e ka zgjeruar dhe komplikuar këtë “spektakël” luftarak.
Por, humbësi më i madh në gjithë këtë rrëmujë ishte roli i Iranit, i cili e ka mbështetur Assadin prej momentit kur ai ndërmori goditje brutale kundër demonstruesve, me ç’rast protesta masive u shndërrua në luftë civile.
Ushtria e Sirisë, veçanërisht forcat ajrore të saj, çdoherë ishte më tepër një arenë për politizim sesa forcë efektive luftarake.
Pa Iranin dhe veçanërisht pa Gardën Revolucionare të këtij vendi, që udhëhiqet nga strategu suprem ushtarak, Qassem Soleimani, Rusia nuk do të kishte gjasë për ta mbështetur Assadin.
Para disa ditësh, Këshilli Kombëtar Iranian për Rezistencë (NCRI), që është një grup opozitar në ekzil, e ka paraqitur një dosje në faqen MailOnline, ku pretendohet se, pos udhëheqjes së operacioneve iraniane në Siri nga selia sekrete në Damask, e njohur si “Shtëpia e qelqtë”, atje në fakt gjenden 60 mijë luftëtarë nën komandën iraniane në Siri, shumë më tepër se 16 mijë që mendohej më parë. Po ashtu, vlerësohet se Irani i ka shpenzuar me gjasë më tepër se 100 miliardë dollarë, në mbështetje të Assadit, prej vitit 2011.
Probleme ekzistenciale iraniane
Duke pasur parasysh armiqësinë ndaj Iranit, NCRI-ja me gjasa të mëdha i ka rritur këto të dhëna, për të cilat artikulli në MailOnline pranon se nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur, por janë konsideruar “të besueshme” nga “ekspertët e inteligjencës”.
Analistët e ekipit AEI Critical Threats, Matthew McInnis dhe Paul Bucala, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se këta numra janë të lartë.
Ata vlerësojnë se 13-15 mijë luftëtarë iranianë, përfshirë ata të Hezbollahut dhe milicitë shiite nga Iraku, Afganistani dhe Pakistani, janë të mbikëqyrur nga afërsisht 3 mijë oficerë ushtarakë iranianë dhe personeli tjetër në Siri.
“Këta numra nuk janë statikë dhe ndryshojnë”, thotë analisti McInnis.
AEI vlerëson se atje gjenden së paku 100 mijë luftëtarë, në kuadër të Forcës Kombëtare Mbrojtëse të Sirisë (NDF), të cilën IRGC dhe forca e saj paramilitare, Basij, e kanë ndihmuar krijimin e saj, për ta mbështetur qeverinë e Assadit.
Por, për një çështje nuk ka dyshim: Irani, në kohën kur sanksionet kishin depërtuar thellë në ekonominë e tij, kishte investuar burime të shumta në një situatë të paqartë që nuk ka mundur t’i lejojë vetvetes.
Ekonomia e Iranit është e çrregulluar dhe megjithë kthimin e aseteve të bllokuara për shkak të tërheqjes së sanksioneve ndërkombëtare, dhe rritjen e tregtisë globale, Teherani ballafaqohet me probleme serioze vendore, disa prej të cilave, siç është pamundësia e shtetit që t’i punësojë të rinjtë në mënyrë adekuate, mund të dëshmohen si ekzistenciale.
“Assadistani”
Irani me armikun e vet tradicional, Irakun, që tash duket se është shtet i dështuar nën ndikimin e madh iranian, dhe “Djalli i madh” – Shtetet e Bashkuara – siç emërohen SHBA-të nga disa konservatorë iranianë të linjës së fortë, që konsiderohet se ka përkushtim për përqendrim nga Arabia Saudite kah Teherani, harta gjeopolitike është riformuar pothuajse në mënyrë perfekte në favor të tij.
Por, për ta mbajtur këtë status quo, në masë të madhe, varet nga mbajtja e Assadit në fuqi. Aq gjatë sa rrugët furnizuese për Hezbollahun mbeten të hapura, ai mund të vazhdojë ta keqtrajtojë dhe t’i bëjë presion Izraelit, që është i vetmi rival rajonal i Iranit.
Rrjedhimisht, nëse Assadi përmbyset, ai pothuajse sigurisht se do të zëvendësohej me një regjim sunit me pikëpamje tërësisht armiqësore ndaj Iranit, jo vetëm në aspektin religjioz.
Por, tash me forcën ajrore ruse, ky skenar duket se nuk është i pritshëm.
Megjithatë, Jonathan Spyer, drejtor në Qendrën Rubin në IDC Herzliya, thotë se kjo situatë eventualisht do të mund të ndryshonte nëse ekziston një “përkushtim i forcës ajrore perëndimore që në mënyrë agresive ta avancojë çështjen e kryengritësve”.
Por, ai vlerëson me të drejtë se “pothuajse me siguri kjo nuk do të ndodhë”.
Njëherësh, Assadi mbetet shumë i dobët për t’i kontrolluar të gjitha rajonet në Siri, që ai i ka humbur.
Skenari më i mundshëm është një “Assadistan” i cunguar, që i lejon Iranit t’i mbajë linjat furnizuese për Hezbollahun dhe të vazhdojë kontakti me shtetet aleate. Natyrisht, Rusia do ta mbante bazën e vet ajrore.
Humbës janë, përsëri, populli i Sirisë. Politika reale në Lindjen e Mesme është punë e pistë dhe e rrezikshme, ndërsa zbatuesi i saj madhor është Irani.