Ndërlidhjet

SHBA nuk do t’i bllokojë bankat që duan të bëjnë biznes me Iranin


Sekretari amerikan, John Kerry dhe homologu i tij, Javad Zarif
Sekretari amerikan, John Kerry dhe homologu i tij, Javad Zarif

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i ka siguruar bankat dhe bizneset e huaja se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i bllokojnë ato nga të bërit biznes me Iranin, bazuar në marrëveshjen historike bërthamore, të nënshkruar vitin e kaluar.

Kerry tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po i pengojnë dhe nuk do t’i pengojnë bizneset që kanë leje për biznes në Iran, që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes bërthmore.

Pas takimit në New York me ministrin e Jashtëm të Iranit, Mohammad Javas Zarif, sekretari amerikan tha se ai po bën përpjekje që t’i qartojë disa pasiguri në mesin e bizneseve jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me investimet në Iran. Qeveria iraniane është ankuar se nuk po përfiton benefite të plota ekonomike, që nga marrëveshja e nënshkruar në korrik të vitit 2015 me fuqitë e mëdha botërore.

“Ministri i Jashtëm iranian ka të drejtë; ende ka dallime mes nesh dhe disa prej tyre janë me të vërtetë të mëdha. Ato duhet të jenë temë e diskutimeve në të ardhmen. Por, është e rëndësishmë që njerëzit ta kuptojnë se marrëveshja është marrëveshje dhe ne duhet t’i ndajmë çështjet, edhe në kohët kur punojmë në zbutjen e dallimeve"

"Dhe asgjë që kam thënë nuk e zvogëlon përkushtimin e SHBA-ve për të ndihmuar në zgjidhjen e dallimeve dhe në punën e përbashkët për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka thënë Kerry.

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Iranit, Zarif,theksoi se “Irani ka zbatuar pjesën e vet të marrëveshjes”.

“Shpresojmë se deklarata që sekretari Kerry dha sot do të fillojë ta hapë rrugën e vështirë, e cila ka qenë e mbyllur, për shkak të shqetësimeve që bankat kanë lidhur me qasjen amerikane në zbatimin dhe përkushtimin që kanë sipas Planit të Përbashkët të Veprimit”, tha Zarif.

Ndërkohë, Kerry ka shtuar se tani ka mundësi për bankat e huaja që të bëjnë biznes me Iranin dhe ka thënë se SHBA po mundohet ta qartësojë këtë gjë për ato biznese që kanë ende huti lidhur me këtë temë.

Bankat të cilat tani mund të bëjnë biznes me Iranin përfshijnë ato që mbajnë rreth 55 miliardë dollarë të aseteve të ngrira të Iranit, ka sqaruar Kerry. Shumica e këtyre bankave kanë pasur hezitim në kthimin e fondeve, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.

Së fundmi, sekretari amerikan Kerry vlerësoi se Irani ka pranuar vetëm 3 miliardë dollarë nga pasuria e riatdhesuar, nga 55 miliardë që është pritur të korrë, sipas marrëveshjes. E gjithë kjo, pjesërisht ka ndodhur për shkak të mbrojtjes së tepër nga ana e bankave.

Kerry theksoi se “në mesin e sanksioneve që janë larguar, e që kanë pasur lidhje me programin bërthamor, ishin edhe ato që e ndalonin Iranin të bashkëpunonte me bankat jo-amerikane, përfshirë edhe qasjen në fondet e ndaluara iraniane.”

Përjashtimi i vetëm, sipas Kerry-t, do të ishte angazhimi me banka apo kompani që ende ndodhen në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai shtoi se është e kuptueshme për disa kompani që kanë nevojë për kohë, për t’u ndier më të sigurta lidhur me të bërit biznes me Iranin.

Kerry tha se nëse bankat kanë pyetje dhe dilema lidhur me sanksionet amerikane që ende janë në fuqi, e që kanë lidhje me programin bërthamor të Iranit dhe sponsorizimin e grupeve militante, “ato thjesht duhet të pyesin”.

Ai theksoi se Teherani ende ka nevojë të ndërmarrë disa hapa për t’i mirëpritur bizneset e huaja, siç është modernizimin i sistemit të vet bankar.

Marrëveshja bërthamore lehtësoi disa sanksione të imponuara nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të ndaljes së programit bërthmor të Iranit.

Garda Revolucionare e Iranit, e cila është cak i sanksioneve amerikane, në veçanti ka interesa biznesore me Iranin, të cilat mund të shquhen me vështirësi nga të huajt, kështu që biznesi mund të pësojë derisa të ketë siguri të plotë se bankat dhe bizneset e huaja nuk po i shkelin pa dëshirë sanksionet.

Përgatiti: Valjeta Kosumi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG