Ndërlidhjet

Iran, BE: Shpallet implementimi i marrëveshjes, tërhiqen sanksionet


Hiqen sanksionet ndaj Iranit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Hiqen sanksionet ndaj Iranit

Irani dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar se Teherani i ka mbajtur premtimet atomike dhe se tash mund të zbatohet tërheqja e sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, këtë pajtueshmëri e kanë shpallur mbrëmë vonë, në një konferencë për gazetarë në Vjenë.

Në deklaratën e përbashkët të dy zyrtarët e lartë theksuan se “kjo e arritur, qartas demonstron se me vullnet politik, këmbëngulje dhe nëpërmjet diplomacisë shumëpalëshe, ne mund t’i zgjidhim çështjet më të vështira dhe të gjejmë zgjidhje praktike që implementohen në mënyrë efektive”.

Marrëveshja është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka marrë pjesë në takimet e së shtunës në Vjenë, por nuk ishte i pranishëm në konferencën për gazetarë.

Pas deklaratës, ka filluar procesi i shpejtë i tërheqjes së sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit. Bashkimi Evropian ka theksuar se “i ka tërhequr të gjitha sanksionet ekonomike dhe financiare kundër Iranit, të ndërlidhura me programin atomik”.

Në Uashington, presidenti amerikan, Barack Obama, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, me të cilin tërhiqen sanksionet e Shteteve të Bashkuara në transaksionet nga jo-amerikanët me Bankën Qendrore të Iranit dhe me Kompaninë kombëtare të naftës në Iran.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Irani tash do të ketë qasje në kapacitete në vlerë prej afro 50 miliardë dollarësh, që ishin ngrirë nga Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni, po ashtu, i ka tërhequr më se 400 individë dhe entitete iraniane nga lista e sanksioneve, ka njoftuar Departamenti amerikan i thesarit, dhe ka shtuar se megjithatë, afro 200 individë dhe entitete mbeten nën sanksione.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka vlerësuar se bisedimet për programin atomik iranian dhe tërheqja e sanksioneve paraqesin moment “historik” për vendin e tij.

“Të realizuara dhe të kompletuara nën drejtimin e liderit Suprem të Revolucionit islamik iranian, të mbështetura nga kombi dhe të ndihmuara nga të gjitha institucionet madhore të shtetit iranian, bisedimet atomike me të vërtetë janë një prej fletëve të arta të historisë së këtij vendi”, ka thënë Hassan Rohani, duke folur të dielën në Parlamentin e Iranit.

Izraeli e kundërshton fuqishëm marrëveshjen atomike me Iranin.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kumtuar se Teherani nuk është tërhequr nga synimi për prodhimin e armatimit bërthamor dhe se mbetet forcë destabilizuese në Lindjen e Mesme.

Marrëveshja është kundërshtuar edhe nga të gjithë kandidatët republikanë për president amerikan. Ajo shihet me skepticizëm edhe nga aleati amerikan, Arabia Saudite.

Por, marrëveshja mbështetet nga aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara, të cilët i ishin bashkuar presidentit amerikan, Barack Obama, në ashpërsimin e sanksioneve kundër Teheranit, në kuadër të strategjisë së përbashkët për ta detyruar Iranin të zhvillojë negociata.

Embargoja e armatimit e Kombeve të Bashkuara kundër Iranit mbetet e vlefshme, sikur edhe ajo për kufizimet tregtare, që në shënjestër e kanë programin balistik raketor iranian.

Kjo deklaratë për implementim u bë pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore tha të shtunën, gjatë ditës, se Irani i ka përmbushur përkushtimet e veta të parapara me marrëveshjen atomike, në të cilën theksohet tërheqja e sanksioneve kundër Iranit në këmbim për kufizim të programit bërthamor iranian.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Yukiya Amano, e ka publikuar raportin ku thuhet se “Irani i ka kompletuar hapat e domosdoshëm përgatitorë për fillimin e implementimit të Planit të Përbashkët Aksional Gjithëpërfshirës”.

Për plotësimin e përkushtimeve paraprake sipas marrëveshjes së korrikut të vitit 2015, Iranit i është kërkuar që t’i zvogëlojë për dy të tretat centrifugat e uraniumit, t’i reduktojë rezervat e uraniumit dhe ta largojë reaktorin themelor në Arak, nga i cili Irani ka mundur të krijojë plutonium me shkallë të armatimit.

Para marrëveshjes, Irani ka pasur uranium të pasuruar të mjaftueshëm për disa bomba.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG