Ndërlidhjet

“Atraksion” me fatkeqësinë e tjetrit


Një nga iranianët duke pozuar në kabinën me sfond të qytetit të shkatërruar të Aleppos
Një nga iranianët duke pozuar në kabinën me sfond të qytetit të shkatërruar të Aleppos

Një kabinë e dedikuar për realizimin e fotografive po shfrytëzohet në mënyrë mizore në Iran. Vizitorët tani mund të bëjnë foto në kuadër të panairit të librit në Teheran, para imazheve të qytetit të Aleppos, të shkatërruar nga lufta në Siri.

Kjo kabinë është kritikuar pasi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, publikoi fotografi të vizitorëve të ulur në majën e një biçiklete, përderisa mbanin veshje ushtarake, me një sfond të qytetit të bombarduar.

Disa prej vizitorëve buzëqeshnin përderisa dilnin në foto, e disa të tjerë reflektohej qartë se nuk ndiheshin rehat.

Një grua pozonte duke mbajtur një granatë në dorë. Një burrë tjetër kishte dalë në foto duke e mbajtur në prehër një djalë të vogël.

Agjencia e lajmeve IRNA tha se “kabina e fotografive e mbrojtësve të vendeve të shenjta” u mundëson vizitorëve të panairit të librit që të realizojnë “fotografi digjitale dhe shpirtërore”.

Ato u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

“Suvenir me fatkeqësinë e një kombi....suvenir me ndërhyrje në një shtet tjetër”, kishte shkruar në twitter një burrë, duke e cilësuar këtë veprim të bashkëkombasve të vet si të turpshëm.

Një grua tjetër nga Irani ndan një postim në rrjetet sociale me këtë mbishkrim: “Njerëzit dalin në fotografi duke buzëqeshur para një qyteti të shkatërruar.”

Ndërsa një qytetar tjetër, duke përdorur sarkazmën, shprehet se “nëse doni të realizoni një fotografi me hallakamën që e kemi bërë në Siri, atëherë shkoni në kabinën e ofruar në panair.”

Ky veprim duket se është pjesë e përpjekjeve të autoriteteve iraniane që t’i lartësojnë iranianët që i janë bashkuar luftimeve në Siri.

Irani thotë se ka dërguar në Siri vetëm “këshillëtarë ushtarakë”, për t’i ndihmuar aleatit rajonal, presidentit sirian Bashar al-Assad, si dhe për t’i luftuar “terroristët”.

Iranianët dhe luftëtarët shiitë thuhet se janë të trajnuar dhe vendosur në Siri nga Garda Revolucionare e Iranit dhe forca Basij. Ata gjithashtu njihen si “mbrojtës të vendeve të shenjta” dhe sipas mediave iraniane, udhëtojnë për në Siri vullnetarisht.

Fraza ‘mbrojtës të vendeve të shenjta’ i referohet xhamisë Sayyidah Zaynab në Damask, ku thuhet se ndodhet varri i Zaynabes, vajzës së Ali ibn Abi Taleb, kushëriri i Profetit Muhamed, të cilin shiitët e konsiderojnë si pasardhës të Profetit.

Vitin e kaluar, IRNA raportoi se rreth 400 iranianë dhe afganë nga Irani janë vrarë në Siri gjatë katër viteve të fundit. Irani ka përjetuar shifrën më të lartë të të vrarëve në Siri më 6 maj, kur 13 anëtarë të personelit ushtarak u vranë gjatë përleshjeve në Aleppo.

Mediat shtetërore iraniane u referohen iranianëve të vrarë në Siri si “martirë”.

Gjatë një takimi që u realizua para më shumë se një viti, lideri suprem iranian, Khamenei, citohet të ketë thënë se “nëse mbrojtësit e vendeve të shenjta nuk janë kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, atëherë Irani duhet t’i luftojë ata në Kermamnshah dhe Hamedan.”

Përgatiti: Valjeta Kosumi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG