Për demarkacionin - “kush është më i forti” ose Gjykata e Arbitrazhit

Ilustrim

debatin e thirrur nga kryesia e Kuvendit të Kosovës, lidhur me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, do t’i ballafaqojnë argumentet për dhe kundër ratifikimit të kësaj marrëveshje, por përfaqësuesit e partive politike në pushtet dhe opozitë kanë shprehur mendime të ndryshme nëse debati do ta sjellë një konsensus të partive politike lidhur me këtë çështje.

Nait Hasani, deputetet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili është një nga kundërshtuesit e formës së tanishme të marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se suksesi i debatit do të varet nga ata që marrin vendime.

“Nëse ata binden me arsyeshmërinë e fakteve që do të prezantohen - ka mjaft fakte të reja nga të gjitha rrethanat - atëherë do t’i prezantojmë ato dhe do të tregojmë se ata duhet të ndryshojnë. Nëse ata nuk do të binden ose kanë interesa apo shantazhe të ndryshme politike, atëherë ata nuk do të binden. Në momentin që ka shantazh, nuk ka arsye, nuk ka logjikë dhe nuk ka fakt”, thotë Hasani.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se debati mbi Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do të duhej ta kishte për qëllim arritjen e konsensusit të partive politike. Por, sipas tij, gjendja aktuale ndërmjet partive politike, të cilat e kanë diferencuar qëndrimin e tyre, si dhe shumicës parlamentare, është jashtëzakonisht e dallueshme.

“Nuk besoj që faktet do të vijnë në shprehje, sepse faktet janë sulmuar me gaz lotsjellës dhe me koktej molotovi. Tash, disa muaj pas, këto fakte nuk mund të përligjen, pos që do të ketë shtyrje, fjalamani dhe ‘kush është më i forti’", tha Haziri.

Muharrem Nitaj, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo opozitare, e cila që nga fillimi ka kundërshtuar marrëveshjen e formës së tanishme të Demarkacionit me Malin e Zi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje tashmë ka arritur në pikën e dështimit. Sipas tij, Kosova duhet të ndërmarrë disa hapa që kjo çështje të marrë një zgjidhje.

“E para, (Kosova) të mos e ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, si zgjidhje e vetme legjitime, kushtetuese e ligjore, në këtë fazë. Më pastaj, pala kosovare do të duhej të kërkonte që këtë marrëveshje të rinegociojë me Malin e Zi, pa ndërmjetës ndërkombëtar. Dhe e treta, në rast të refuzimit të palës malazeze - me gjithë gatishmërinë që ajo e ka pasur në mënyrë deklarative, disa herë - çështja t’i kalojë Gjykatës ad hock të Arbitrazhit, me automatizëm”, thotë Nitaj.

Dërgimin e çështjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në Gjykatën e Arbitrazhit e ka theksuar edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. Ai i ka thënë një medie vendore “se zgjidhja më e favorshme do të ishte që të votohet, por duke ndjekur shembullin e ish-republikave jugosllave (të Sllovenisë me Kroacinë), që kjo çështje të mbetet e hapur për rividim apo arbitrazhi ndërkombëtar”.

Por, bashkë-partiaku i tij, Hasani, vlerëson se “Gjykata e Arbitrazhit është politike”, në të cilën, siç ka thënë ai, “Kosova nuk ka miq të mjaftueshëm për t’i dalë në ndihmë”.

“Prandaj, unë nuk jam i interesuar që kjo të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit, por jam për rivlerësim. Rivlerësimi do ta vendos realitetin dhe gjendjen faktike që e kemi”, thotë Hasani.

Edhe Haziri shprehet kundër dërgimit të kësaj çështjeje në Gjykatë të Arbitrazhit, për shkak se, siç thotë ai, Kosova nuk ka relacion konflikti me Malin e Zi.

“Përkundrazi, është vullnet i mirë i malazezëve, që nëse ka fakte të reja, ata ta ri-shqyrtojnë këtë pozicion. Gjykata e Arbitrazhit nuk do të ishte mirë që të vendos ndërmjet opozitës dhe qeverisjes në Kosovë, për çështje që mund të arrihen në Kuvend”, mendon Haziri.

Nitaj shpreh mendimin se mjaft njerëz brenda partive të koalicionit qeverisës e kanë kuptuar se çfarë mund të sjellin argumentet në debatin që pritet me 3 gusht.

“Debati nuk mund të prodhojë një rezultat tjetër përveç faktit se demarkacioni me Malin e Zi është shënjuar keq dhe se duhet të korrigjohet. Unë besoj që zoti Grabovci, duke e ditur këtë rezultat paraprakisht, ndoshta e ka paraparë si fazë të mëtutjeshme dërgimin në Gjykatë të Arbitrazhit”, vlerëson Nitaj.

Sido që të jetë, ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti i fundit të cilin Bashkimi Evropian pret që Kosova ta zbatojë, para se kjo e fundit ta marrë liberalizimin e vizave.

Përfaqësuesit e partive politike, në pushtet dhe opozitë, janë skeptikë se debati mbi demarkacionin me Malin e Zi, që pritet me 3 gusht, do të sjellë një konsensus të partive politike lidhur me këtë çështje. Përfaqësuesit e partive në pushtet, ndonëse për arsye të ndryshme, janë kundër që kjo çështje të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Partitë opozitare nuk e përjashtojnë një gjë të tillë. (REL)