Ndërlidhjet

PDK kërkon debat të gjerë - LDK do debat në Kuvend për Demarkacionin


Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike, kanë paralajmëruar takime intensive ndërmjet forcave politike në vend, që do të çonte drejt krijimit të një konsensusi kombëtar për zgjidhjen e përbashkët të çështjes së hapur të përkufizimit të kufirit me Malin e Zi, që ka shkaktuar përplasje të forta në skenën politike në vend.

Por, partneri tjetër në koalicion Lidhja Demokratike thotë se debati duhet të zhvillohet brenda institucioneve të vendit, posaçërisht në Kuvendin e Kosovës.

Hapja e debatit ndërmjet forcave politike në vend, u përmend vetëm pas kërkesave të diplomatëve ndërkombëtarë, në veçanti në prag dhe pas vizitës në Prishtinë të ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland.

Një tjetër diplomat i huaj, ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell, i sugjeroi qeverisë së Kosovës që të mos nxitojë me paraqitjen e marrëveshjes për demarkacion në Kuvend përpara se të shterë një debat në shoqëri për të njëjtën çështje.

Qeveria, duket se u tërhoq, duke shtyrë diskutimin për marrëveshjen për një periudhë tjetër, pa saktësuar afatet.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës Hajredin Kuçi, njëherësh nënkryetar i PDK-së, tha pak kohë pas propozimit të ambasadorit britanik se për çështjet me rëndësi kombëtare siç është demarkacioni duhet të tejkalohen dallimet politike duke lënë të kuptohet se po veprohet për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

Ai tha se po bëhen përpjekje për dialog të brendshëm edhe me forcat politike por edhe ato jo politike.

"Për disa gjera kërkohet që të kalojë koha. Për disa gjëra kërkohet një intensitet i shtuar. Në ditët në vijim do të ketë intensitet të shtuar në këtë drejtim. Por ajo çka dua të them është se do ta respektojmë Kushtetutën e Kosovës dhe interesin nacional të vendit. Do të ketë takime të shtuara me të gjithë akterët politikë dhe jo politikë të vendit tonë", tha Kuçi.

Sipas tij Kosova nuk duhet të ketë dallime të thelluara për çështjet madhore, përfshirë demarkacionin.

"Nuk ka asnjë arsye që Kosova të ketë hidhërim po e them, as partitë politike e as shqiptarët në raport me demarkacionin ose ndonjë punë tjetër me interes nacional", tha Kuci.

Por, partneri tjetër në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës, duke mos e përjashtuar zhvillimin e debatit, thotë se i njëjti duhet të zhvillohet në Kuvend.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu tha për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i partisë së tij është se çështja e demarkacionit duhet të procedohet dhe të respektohen të gjitha proceduarat.

"LDK-ja preferon që debati të bëhet aty ku e ka vendin në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj deputetët e Kuvendit ta marrin vendimin për të cilin mendojnë se është më i miri për Kosovën. Sa u takon dilemave - LDK-ja nuk është e bindur se po të ishte e bindur se humb vetëm një metër katror në këtë proces nuk do ta pranonte procesin", tha Veliu.

Sipas tij komisioni shtetëror për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ka punuar mbi kriteret e përcaktuara dhe Kosova sipas tyre nuk ka humbur territor.

Propozimi i ambasadorit britanik për debat të hapur në shoqëri për çështjet që kanë ngjallur përplasje, është cilësuar nga shoqëria civile, si mënyrë për të arritur deri tek pajtueshmëria ndërmjet palëve në kundërshtim.

Drejtuesi i organizatës FOL, Petrit Zogaj, thotë se megjithëse i vonuar debati është i domosdoshëm.

"Çka duhet të bëjnë palët është që si fillim të kenë një pajtim minimal për parimet e një debati të tillë. Të pajtohen që gjërat nuk mund të shkojnë në pafundësi në këtë mënyrë. Të kenë përgjegjshmëri para publikut të brendshëm, para fqinjëve dhe para miqve ndërkombëtar".

"Të gjitha këto, mbi të gjitha duhet t'i iniciojnë dhe t'i bëjnë partnerët e koalicionit qeveritar, por pa lënë anash edhe përgjegjësinë e opozitës. Në këso lloj gjërash, që kanë një ndjeshmëri të madhe, nuk duhet të ketë nguti dhe duhet të shfrytëzohen të gjitha mënyrat për të arritur deri tek një konsensus nacional", tha Zogaj.

Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria që të mbështesin dhe inkurajojnë debatin parlamentar.

Albert Krasnqi nga kjo organizatë i tha Radios Evropa e Lirë se organizmi i dëgjimeve publike apo formave të tjera të ballafaqimit të argumenteve për demarkacionin, para se të procedohet në Kuvend është i nevojshme dhe shumë i rëndësishëm .

"Ne konsiderojmë se është e domosdoshme që të ketë një debat publik ku do të mund të paraqiteshin argumentet dhe fakte e të dyja palëve pra grupeve të ndryshëm të ekspertëve dhe komisionit shtetëror në mënyrë që të qartësohet për publikun se ky shenjim është kryer ashtu siç duhet apo nëse ka gabime të cilat mund të bëhen dhe të korrigjohen dhe të mos ketë një shenjim të gabuar të kufirit që nuk do të mund të ribëhet pastaj", tha Krasniqi.

Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, është kundërshtuar fuqishëm nga opozita në vend e cila ka përdoruar edhe gazin lotsjellës për të mos lejuar ratifikimin e saj në Kuvendin e Kosovës.

Opozita ka paralajmëruar bllokimin e marrëveshjes në formën aktuale dhe ka kërkuar që ajo të ndryshojë, dhe që Kosovës, sipas saj, t’i kthehen mbi 8 mijë hektarë tokë që i janë dhënë, siç thotë, Malit të Zi me marrëveshjen aktuale.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG