Një mosmarrëveshje ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite ka rrezik të lejë nën hije bisedimet ndërmjet vendeve më të mëdha prodhuese të naftës në botë, të cilat takohen të dielën në Katar, me qëllim të ngritjes së çmimeve globale të naftës, duke zvogëluar prodhimin.
Irani nuk po merr pjesë në këto bisedime të vendeve prodhuese të naftës në Katar, pas paralajmërimit të Arabisë Saudite se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje për ngrirje të prodhimit të naftës, nëse këtë gjë nuk e bën edhe rivali i saj rajonal, Irani.
Takimi i 17 prillit ka mbledhur në Doha 15 vende, shumica e të cilave janë anëtare të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, e njohur si OPEC, por edhe disa prodhues të tjerë, që nuk janë pjesë e OPEC-ut, siç është Rusia.
Irani ka vendosur të qëndrojë në shtëpi dhe ka thënë se nuk do të dërgojë asnjë përfaqësues në këtë takim.
“Takimi në Doha është për ata që duan të marrin pjesë në planin për ngrirje të prodhimit...por, meqë Irani nuk do ta nënshkruajë një plan të tillë, prania e çfarëdo përfaqësuesi iranian është e panevojshme”, raporton agjencia e lajmeve Shana, duke cituar Ministrin iranian të Naftës, Bijan Zanganeh.
Ministria iraniane e Naftës gjithashtu ka thënë përmes një deklarate se Irani "nuk mund t’i bashkohet planit për stabilizim të çmimeve të naftës”, përderisa prodhimi i tij është ende nën nivelet e periudhës para sanksioneve.
Në ndërkohë, zëvendës princi i kurorës mbretërore të Arabisë Saudite, Mohamed bin Salman, tha në një deklaratë, të publikuar nga agjencia e lajmeve “Bloomberg”, se Arabia Saudite nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje për ngrirje të prodhimit të naftës, nëse Irani nuk e bën një gjë të tillë.
Katari e ka emëruar takimin e së dielës si “Iniciativa e Dohës”, duke thënë se ngrirja e prodhimit do të ndikojë në uljen e çmimeve globale të naftës.
Disa analistë të industrisë së naftës thonë se raportet e medieve lidhur me një marrëveshje të mundshme ndërmjet Rusisë dhe Arabisë Saudite për të kufizuar prodhimet e tyre janë në masë të madhe përgjegjëse për ngritjen prej 40 për qind të çmimeve globale të naftës, që nga fillimi i muajit shkurt.
Sipas planit, Rusia dhe vendet anëtare të OPEC-ut, si Arabia Saudite, do t’i mbanin nivelet e prodhimit në ato të janarit të vitit 2016, në përpjekje për të reduktuar tepricat në furnizimet globale të naftës, që çuan në rënien e çmimeve në vitin 2015.
Por, Irani, si vend anëtar i OPEC-ut, po insiston se nuk do ta kufizojë prodhimin e vet të naftës, derisa ky të pësojë një ngritje dhe t’i arrijë nivelet që kishte para sanksioneve ndërkombëtare, të cilat iu patën vënë Teheranit për shkak të programit të tij bërthamor.
Këto sanksione u tërhoqën pas arritjes së marrëveshjes bërthamore ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore, në vitin 2015.
Irani tani kërkon që niveleve të prodhimit aktual t’ia shtojë edhe një milion fuçi të prodhimit të naftës në ditë.
Katari tha më 16 prill se ekziston një ‘atmosferë optimizmi”, në prag të takimit.
Ndërsa, ministri në detyrë i Naftës i Kuvajtit, Anas al-Saleh, pas arritjes në Doha, u tha gazetarëve se ai ndihet optimist se do të merren vesh për një ngrirje të prodhimit të naftës, gjatë kësaj konference.
Por, çmimet e naftës ranë të shtunën, përderisa tregtarët vënin baste se takimi në Doha nuk do të rezultojë me masa efektive për të frenuar furnizimin e tepërt global.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar kundër pritjeve të mëdha nga bisedimet në Doha, duke thënë se takimi do të ketë ndikim të “limituar” në furnizimet me naftë.