Ndërlidhjet

Efektet e papritura të çmimeve të naftës


(©Shutterstock)
(©Shutterstock)

Çfarë kanë të përbashkët një luftëtar kurd Peshmerga, një fshatar rus dhe një minator amerikan? Të gjithë ata janë prekur negativisht nga rënia e çmimeve të naftës.

Për shumë konsumatorë perëndimorë, rënia e çmimeve do të thotë të paguash më pak për ngrohje të shtëpive dhe ngasje të makinave. Por, nafta e lirë, më e lira në më shumë se një dekadë, ka pasoja të gjera gjeopolitike dhe ekonomike në gjithë botën.

Çmimet e ulëta të naftës komplikojnë fushatën ushtarake të Irakut kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS), të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të territoreve në veri dhe perëndim të vendit.

Qeveria rajonale e Kurdistanit, entitet gjysmë-autonom në veri të Irakut, i cili varet shumë nga të ardhurat e naftës, ka akumuluar 18 miliardë dollarë borxhe. Ajo është në rrezik të mos paguajë forcat e saj të sigurisë dhe punonjësit publikë. Kjo nënkupton probleme edhe për luftën kundër Shtetit Islamik, sepse forcat kurde Peshmerga kanë qenë ndër më të suksesshmet në zmbrapsjen e grupit ekstremist.

Në Irakun si të tërë, rënia e çmimeve të naftës ka shkaktuar po ashtu probleme të rënda. Vendi varet nga nafta për 95 përqind të buxhetit të tij, çfarë do të thotë se rënia e çmimeve mund të ndikojë të gjithë dhe çdo gjë. Më pak para të gatshme pengojnë aftësinë e Bagdadit për të blerë pajisje ushtarake, për të paguar forcat e tij të sigurisë dhe për të rindërtuar qytetet që janë shkatërruar nga luftëtarët e Shtetit Islamik. Situata mund të detyrojë Bagdadin të kërkojë palë të tjera të interesuara për të financuar luftën kundër Shtetit Islamik.

“Luftëtarët irakianë dhe kurdë nuk janë paguar për disa muaj”, thotë Justin Dargin, ekspert për energjinë në Lindjen e Mesme pranë Universitetit të Oksfordit. “Në të njëjtën kohë, ekziston një përpjekje shumë e fortë ndërkombëtare për të luftuar Shtetin Islamik, andaj Iraku nuk është vetë. Ajo çfarë do të shohim, do të jetë një përpjekje e Shteteve të Bashkuara dhe ndoshta e Bashkimit Evropian që të ndërhyjnë në mungesat buxhetore, kur bëhet fjalë për shpenzime që lidhen me sigurinë”, thotë Dargin.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Qeverisë së Irakut 1.6 miliard dollarë ndihmë për vitin 2015.

Përveç kësaj, Bagdadi ka marrë një kredi prej 1.7 miliard dollarësh në korrik të vitit të kaluar nga Banka Botërore për zhvillim ekonomik.

Nafta është një nga burimet kryesore të të ardhurave edhe për Shtetin Islamik, i cili besohet se ka gjeneruar dhjetëra-miliona dollarë në muaj, duke prodhuar dhe kontrabanduar naftën e Sirisë dhe Irakut.

Thuhet se Uashingtoni dhe Moska kanë intensifikuar presionin e tyre ndaj grupit ekstremist, duke sulmuar nga ajri infrastrukturën që i mundëson atij të prodhojë naftë në Siri.

Analistët thonë se çmimet e ulëta të naftës do të ndikojnë po ashtu aftësinë e Shtetit Islamik për të gjeneruar para të gatshme.

Arabia Saudite është gjithashtu nën tendosje të rëndë ekonomike. Ajo është prodhuesja më e madhe e naftës në botë dhe në mesin e shteteve më të pasura të globit. Fundosja e çmimeve të naftës ka pickuar buxhetin e saj.

Riadi po planifikon shkurtime në projektet e ndërtimit dhe përfshirjen e taksave të reja për të mbështetur sistemin e mirëqenies sociale.

“Arabia Saudite është në një pozitë shumë më të mirë financiare se gati të gjitha shtetet e tjera të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës – ka shumë para në bankë dhe borxhin e ka shumë të ulët. Por, kjo nuk do të thotë se ajo nuk do të ndryshojë dhe nuk do të përshtatet”, thotë Spencer Welch, analist i tregut të naftës në IHS Jane's, një kompani botuese britanike, e specializuar për tema ushtarake dhe të hapësirës ajrore.

Welch dyshon se Riadi do të shkurtojë fondet për politikë të jashtme, mbrojtje ose siguri. Reduktime mund të ketë në ndihmat për vendet e huaja, për organizatat mediatike, institutet, institucionet akadameke, shkollat fetare dhe organizatat bamirëse. Tashmë ka spekulime se mbështetja financiare e Arabisë Saudite për Egjiptin, një aleat i rëndësishëm rajonal, ka nisur të bie.

Në anën tjetër, Al Jazeera America, e financuar nga Katari, vend i pasur me naftë, ka nisur me bujë të madhe në vitin 2013, me ambicie se do të rivalizojë Fox News-in dhe CNN-in. Pas derdhjes së qindra miliona dollarëve në kanalin e saj në Amerikën Veriore, Al Jazeera Amerika ka njoftuar së voni se do të mbyllet më 30 prill.

Kanali televiziv ka thënë se modeli i tij biznesor “nuk është thjesht i qëndrueshëm”. Por, marrë parasysh se një fuçi naftë është shitur për rreth 98 dollarë kur është lansuar kanali dhe tani shitet nën 30 dollarë, është e arsyeshme të supozohet se Katari nuk mund të derdhë para në përpjekjet për të fituar terren mediatik në SHBA.

Çmimet e ulëta të naftës janë duke ndikuar negativisht edhe në industrinë e energjisë në Shtetet e Bashkuara. Ato kanë nxjerrë nga tregu shistin argjilor, i cili është relativisht i shtrenjtë për t’u prodhuar dhe është parë si një kërcënim, që Arabia Saudite ka dashur ta eleminojë.

Shpuesit e shistit argjilor në SHBA kanë shkurtuar shpenzimet dhe dhjetëra mijëra punëtorë këtë vit, për shkak të rënies së çmimeve të naftës.

Por, këto çmime kanë ndikime të ndryshme te të ashtuquajturat vendet BRIC – Brazili, Rusia, India dhe Kina, të gjitha këto ekonomi në zhvillim.

Prej tyre, Kina dhe India janë duke korrur fitime të mëdha nga çmimet e lira.

Megjithatë, ato janë lajm i keq për Rusinë dhe Brazilin, të dy eksportues të naftës. Rënia e çmimeve ka çuar Brazilin në prag të kolapsit ekonomik.

Rusia është detyruar të zhytet thellë në rezervat e saj, ndëkohë që monedha e saj, rubla, ka rënë në nivele rekorde. Moska, e cila ka qenë në recesion në vitin 2015, sipas ekonomistëve, është në drejtim të deficitit buxhetor këtë vit dhe qeveria planifikon të shkurtojë buxhetin federal për 10 përqind.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG