“Erdhi një moment që bashkëpunimi ynë të thellohet dhe të shkohet një hap me tutje drejt ndërtimit të një mekanizmi të përbashkët edhe në objektiva për të shkuar në zgjedhje me listë të përbashkët. Dhe këtu pastaj kemi qenë dhe jemi në bisedime dhe në këto çështje kemi dallimet tona, të cilat ende duhet të diskutohen”, ka thënë Fatmir Limaj,kryetari i partisë Nisma për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Zotëri Limaj, pas shume aktiviteteve të përbashkëta, tri partitë opozitare, kohët e fundit janë duke funksionuar ndaras. Ku qëndrojnë mospajtimet që çuan deri të kjo çarje?
Fatmir Limaj: Unë, nuk kisha me thënë mospajtime. Siç e dini, partitë opozitare janë bashkuar për dy çështje thelbësore; çështjen e marrëveshjes së Brukselit dhe demarkacionit. Dhe, jemi zotuar dhe do të bashkëveprojmë dhe bashkërendojmë veprimet në parlament dhe jashtë parlamentit, me qëllim të ndalimit të këtyre marrëveshjeve. Ne kemi qëndruar bashkë në veprimet dhe angazhimet tona opozitare kundër këtyre dy marrëveshjeve deri më tani dhe unë besoj se vazhdojmë të qëndrojmë bashkë kundër këtyre dy marrëveshjeve ende.
Ndërsa, në zhvillim e sipër erdhi një moment ku ishte edhe kërkesë e jashtme që bashkëpunimi ynë të thellohet dhe të shkohet një hap më tutje drejt ndërtimit të një mekanizmi të përbashkët edhe në objektiva për të shkuar në zgjedhje me listë të përbashkët. Dhe, këtu pastaj, kemi qenë dhe jemi në bisedime dhe në këto çështje kemi dallimet tona, të cilat ende duhet të diskutohen.
Radio Evropa e Lirë: Aktualisht vërehet një koordinim më i madh i partisë Nisma me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. A nënkupton kjo që problemi qëndron tek Lëvizja Vetëvendosje?
Fatmir Limaj: Ju e dini, Vetëvendosja është një parti më e madhe. Ka një program shumë më ndryshe se ne dhe natyrisht që partisë më të madhe i takon që të jetë më fleksibile, sa më përbashkuese, ndërsa Nisma dhe Aleanca edhe ashtu nuk kanë shumë dallime, përveç faktit që të dy partitë politike kanë një profil tjetër nga Vetëvendosja.
Përkundër dallimeve, kemi vazhduar dhe qëndruar bashkë në kundërshtimin e atyre dy marrëveshjeve dhe jam i bindur se kështu do të qëndrojmë në kundërshtimin e tyre. Ajo çka unë mund të them është se vendi ka nevojë për një rirreshtim politik. Vendi ka nevojë për një alternativë të fuqishme dhe besoj se shumë shpejt do të ketë një alternative të fuqishme përballë këtij regjimi.
Radio Evropa e Lirë: Në çka nuk është fleksibile dhe bashkëpunuese Lëvizja Vetëvendosje?
Fatmir Limaj: Thënë të drejtën, ne nuk kemi hyrë në detaje për faktin që disa gjëra tashmë kanë dalë në publik, rreth ndarjes rreth pjesëmarrjes nesër në një listë të përbashkët. Këtu ndoshta kanë qenë fërkimet e para, ose mospajtimet e para mes Vetëvendosjes dhe Aleancës, ndërsa për programe besoj se edhe aty do të kishte [dallime], por nuk jemi futur në detaje.
Radio Evropa e Lirë: A ka mbetur kërkesa për zgjedhje të parakohshme e vetmja që aktualisht po e bashkon opozitën?
Fatmir Limaj: Jo, janë ato tri kërkesa; ato dy që i përmenda më parë, dhe kërkesa për dorëheqje ka ardhur si rezultat i këtyre dy kërkesave të tjera, dhe vazhdon të jetë si kërkesë e përbashkët e gjithë opozitës. Opozita besoj se në këto drejtime do të veprojë e bashkuar. Ajo që duhet ta kemi të qartë të gjithë është se ne nuk jemi një parti politike, ne jemi parti të ndryshme dhe ndoshta bashkëpunimi shumë i thellë konstruktiv dhe i fuqishme që ka qenë për këta muaj ka krijuar përshtypjen se ne jemi një parti politike, por, në fakt, ne nuk jemi një parti politike.
Ne jemi tri subjektet të ndryshme të bashkuara rreth këtyre kërkesave. Për herë të parë ka ndodhur në Kosovë që opozita të bashkohet dhe të koordinojë aktivitetet dhe kjo ka krijuar përshtypjen sikur këta janë bashkuar për çdo gjë, por ne nuk jemi një parti politike. Jemi tri parti me programe dhe vizione të ndryshme.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, te partitë opozitare po shihen këto mospajtime. Sa mund të jetë e pritshme që një pjesë e opozitës, përfshirë edhe Nismën, të merrni oferta nga partitë në pushtet për ndonjë koalicion?
Fatmir Limaj: Jo, jo, nuk mendoj se është zgjidhja. Zgjidhja është vetëm te zgjedhjet e lira. Nuk besoj se asnjëra nga partitë politike opozitare do të pranonte një gjë të tillë, të paktën Nisma jo, atë ju siguroj, sepse ne besojmë se dalja nga kjo krizë e thellë janë zgjedhjet e parakohshme dhe jam i bindur që kështu mendojnë edhe dy partitë e tjera politike opozitare.
Radio Evropa e Lirë: Një pyetje hipotetike - Nëse shpallen zgjedhjet e parakohshme, a ka Nisma vija të kuqe për ndonjë parti politike, sidomos në raport me partitë në pushtet?
Fatmir Limaj: E rëndësishme është që Nisma për Kosovën po fuqizohet. Indikatorët na tregojnë në terren se ne po fuqizohemi dhe është dyfishuar numri, dhe si alternativë po pranohet dhe po respektohet qëndrimi i saj që e ka mbajtur tash e dy vjet, si në parlament apo jashtë tij. Po shihet si një parti politike e cila e mban fjalën, u qëndronmarrëveshjeve, është konstruktive dhe u qëndron besnik votuesve të vet për ndryshime dhe kjo është reflektuar anekënd Kosovës dhe këtë jemi duke e parë në çdo qytete të Kosovës.
Ne nuk kemi vënë vija të kuqe me askënd. Ajo çka neve na bashkon është vizioni, programi objektiv për ta ndryshuar gjendjen. Kushdo që është rreth kësaj, te ne mund të gjejë një bashkëpunëtor.