Ndërlidhjet

Zgjedhjet e parakohshme, nëse merren vesh PDK e LDK


Partitë politike opozitare vazhdojnë të insistojnë në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhje e vetme për të dalë, siç thuhet, nga kriza politike në të cilën është futur vendi.

Sipas opozitës, pa largimin e qeverisë aktuale e cila udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk mund të ketë ndryshime pozitive në Kosovë.

Javën e kaluar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherit ushtrues detyrës i kryetarit të PDK-së tha se “shumë shpejt do të ketë një ftesë të veçantë për opozitën, e cila është shumë serioze".

Veseli ka shprehur optimizmin e tij se opozita do ta pranoj ofertën e tij. Lidhur me kërkesën e opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Veseli ka deklaruar se edhe për këtë çështje duhet të ketë dialog e marrëveshje paraprake.

“Me marrëveshje bashkë e kemi shpallur pavarësinë, me marrëveshje jemi liruar me marrëveshje mund të arrijmë çdo gjë bashkërisht. Kështu të ndarë e me ultimatume assesi”, ka thënë Veseli.

Mirëpo, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kryetari i PDK-së para se të marr ndonjë vendim për t’i ftuar partitë opozitare për ndonjë takim, do ta diskutojë këtë çështje me partnerët e koalicionit.

Sipas tij, PDK e mbështet Qeverinë e Kosovës dhe vlerëson lartë bashkëpunimin me partneret e koalicionit.

"Mjet për zgjidhjen e problemeve tona e shohim vetëm tavolinën e bisedimeve, dialogun. Aty mund të trajtohen të gjitha çështjet dhe ne jemi të bindur se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018 ato parlamentare ndërsa ato lokale ne vitin 2017", është shprehur Grabovci.

Nga ana tjetër, partitë politike të opozitës, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën mbeten në kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Në Vetëvendosje thonë se zgjedhjet e reja janë mundësia e vetme për të bërë hapa cilësor drejt zgjidhjes së problemeve.

Adonis Tahiri nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk e merr serioze thirrjen e Kadri Veselit, por insiston që vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

"Ai që ka paralajmëruar ftesën, është kreu i nëntokës që po tenton ta shpërlajë figurën e tij përmes detyrave që po merr, njëherë si kryetar i Kuvendit e tash kinse si ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës politike në Kosovë. Nuk presim asgjë serioze prej personave të tillë që serioze u duket vetëm interesi personal dhe asgjë tjetër. Për neve janë të parëndësishme ftesat dhe ofertat nga të tillët".

"Për neve është e rëndësishme bërja e Republikës së Kosovës, rrjedhimisht anulimi i marrëveshjeve të dëmshme dhe largimi i qeverisë antikushtetuese", ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së AAK-së, thotë se institucionet, përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë, e kanë humbur tashmë legjitimitetin. Andaj, edhe ai preferon që zgjidhja të kërkohet përmes zgjedhjeve të hershme.

"Nëse dikush nga lidershipi aktual në Kuvendin e Kosovës, në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të donte që të takonte opozitën për të marrë një qëndrim rreth zgjedhjeve të parakohshme, përgjigja eventuale do të ishte pozitive. Çdo përpjekje tjetër, çdo ofertë tjetër është e papranueshme", ka theksuar Nitaj.

Dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë kumtuar po ashtu se nuk do të marrin pjesë as në seancat plenare të Kuvendit. Kurse, Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar se do ta shqyrtojë shkuarjen në seanca varësisht përmbajtjes së tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG