Retorika agresive dhe me dhunë verbale, e cila ka nisur tash e më shumë se shtatë muaj më parë në skenën politike në Kosovë, ndërmjet partive politike në pushtet dhe atyre opozitare, tashmë është shndërruar edhe në dhunë fizike, e cila manifestohet në forma të ndryshme, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të partive opozitare, njohës të zhvillimeve politike dhe studiues të sjelljeve shoqërore në vend.
Ata thonë se aktet e tilla nisën në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet partive në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës në njërën anë, dhe partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, në anën tjetër.
Aktet e dhunshme, siç thonë ata, tashmë janë bartur edhe jashtë këtij objekti, në forma të ndryshme.
Muajve të fundit, përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës në vazhdimësi kanë hedhur akuza mbi njëri-tjetrin. Situatë e ngjashme vazhdon edhe sot.
Pushtet - opozitë, akuza të ndërsjella
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i cili vjen nga partia në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se aktet e dhunës, të muajve të fundit, kanë një qëllim, e ai është legjitimimi i dhunës si mjet politik. Por, sipas tij, burimi i akteve të dhunës, ka një adresë.
“Dhuna e ka një adresë, këta muajt e fundit, dhe ajo adresë është Lëvizja Vetëvendosje. Unë nuk besoj që do të legjitimohet dhuna. Unë nuk besoj që ne do të ecim drejt legjitimimit të këtij sistemi, por rreziku është dhe ai është permanent”, thotë Gecaj.
Por, krejtësisht ndryshe, shpreh mendimin Driton Çaushi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson se pushteti po përdor instrumente dhune për të shtypur opozitën.
Sipas tij, aktet e dhunës së muajve të fundit, janë refleksion i dhunës, siç e quan ai, sistematike, e cila ndonëse jo në formën fizike, është shprehur në forma të ndryshme në 16 vjetët e fundit.
Sipas tij, qytetarët vuajnë nga, siç e vlerëson ai, dështimi i gjithë institucioneve të shtetit.
“Unë mendoj që kjo është e qartë tash e disa vite, që instrumentet e dhunës, monopolin e së cilave e ka pushteti, po shfrytëzohet si mjet politik, si mjet i dhunshëm për të shtypur opozitën. Në anën tjetër, unë besoj që shfaqjet e dhunës në protesta, janë normale, për shkak të pakënaqësive të ndryshme, që janë të shumta në shoqërinë e Kosovës”, shprehet Çaushi.
Në anën tjetër, në mbrëmjen e së mërkurës, më 16 mars, siç ka raportuar Policia e Kosovës, nga zjarr-vëniet e qëllimshme, kryesisht me “koktej molotovi”, janë djegur 8 vetura, në raste veç e veç, në Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Pejë e Malishevë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i identifikojë sulmuesit.
Ngjashëm ka ndodhur edhe në Prishtinë, ku veturat iu ishin djegur shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, si dhe shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.
Po ashtu, ishte raportuar edhe djegia e makinës së bashkëshortes së ministrit të Bujqësisë Memli Krasniqi.
Një episod të ngjashëm e shpjegon edhe ministri Gecaj.
“Këto janë krejtësisht të papranueshme. Një prej sulmeve të tilla ka qenë edhe ndaj veturës së gruas sime, e cila absolutisht nuk ka fare të bëjë me marrëdhëniet politike apo me atë se çka bëj unë”, konsideron Gecaj.
Por, Çaushi thotë se Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga veprimet e dhunshme. Përkundrazi, sipas tij, pushteti po vazhdon t’i përdorë mekanizmat e shtetit, për të ushtruar dhunë ndaj anëtarëve të opozitës:
“Ne po e shohim që ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë sistematike ka montime të proceseve gjyqësore, ka arrestime arbitrare, ka ushtrim të dhunës në stacionet policore”.
Ndryshe, nga veprimet e dhunshme, ditë më parë, dëmtime kanë pësuar disa zyra të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkohë që gjatë protestave, të cilat ishin mbajtur në Prishtinë, persona të maskuar kishin hedhur disa shishe molotovi në shtëpinë e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.
Më 12 mars, persona të maskuar kishin sulmuar me “koktej molotovi” objektin e Kuvendit të Kosovës, ku cak kanë qenë zyrat e Presidencës.
Policia e Kosovës ka raportuar se ka arrestuar një person të dyshuar për zjarr-vënie, ndërkohë që po heton edhe në pista të tjera.
A po përdoret dhuna si një mjet apo mekanizëm për realizimin e qëllimeve politike?
Sulmet me koktej molotovi ndaj objekteve të institucioneve dhe ndaj pronës publike dhe private, janë ndër aktet e fundit të tablosë së mbushur me akte dhunë në muajt e fundit.
Hedhja e gazit lotsjellës nga deputetët opozitarë për të ndërprerë seancat në Kuvendin e Kosovës, arroganca në diskursin e partive në pushtet dhe opozitë, përballë kërkesave të njëra-tjetrës, sulmi me vezë nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj zyrtarëve të institucioneve të larta të vendit, përfshirë edhe kryeministrin Isa Mustafa dhe drejtuesit e disa dikastereve të Qeverisë, si dhe arrestimi i deputetëve të opozitës, janë vetëm pjesë e tablosë me akte dhune.
Situata ka përshkallëzuar disa herë muajt e fundit, gjatë protestave të organizuara nga partitë opozitare, me përplasje të dhunshme ndërmjet protestuesve të opozitës dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gjë që në shumë raste, ka rezultuar me të lënduar nga të dyja anët, por edhe arrestime të personave të dhunshëm.
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, politologu Behlul Beqaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se dhuna si mjet për realizimin e qëllimeve politike, po përdoret nga të dyja palët, pushteti dhe opozita, ndonëse në forma dhe prej pozicioneve të ndryshme.
“Pushteti po përpiqet që çështjet e sigurisë t’i përdorë si digë për mbrojtjen e pushtetit, pavarësisht prej gabimeve që i bën gjatë politikë-bërjes".
"Natyrisht, një raport i tillë, gjeneron një reflektim të njëjtë, por me mënyra të ndryshme (jo sistematike, siç është policia) nga ana e opozitës, duke vepruar me mjete të palejueshme apo me violencë, e cila nuk ka kurrfarë lidhje me veprimet politike. Politika kërkon përgjigje në baza racionale, e jo në bazë të dhunës”, thekson Beqaj.
Mendim të ngjashëm ka edhe analisti i çështjeve politike Halil Matoshi. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh mendimin se dhuna tashmë është legjitimuar si mjet për arritjen e qëllimeve politike nga subjektet politike në vend, në pushtet dhe në opozitë.
“Dhunë strukturore, është edhe kërcënimi, fabrikimi industrial i votave dhe vjedhja e tyre, vjedhja e arkës së shtetit, korrupsioni galopant, nepotizmi dhe padrejtësitë tjera sociale, padrejtësia para ligjit dhe drejtësisë, shkelja e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të tjera. Mirëpo, kjo nuk e justifikon që edhe opozita aktuale të përdorë të njëjtat mjete të dhunës, tash, kundrejt pushtetit”, vlerëson Matoshi.
Pasojat...
Ekspertët që studiojnë psikologjinë dhe sjelljet e shoqërisë, vlerësojnë se tentimi për të legjitimuar dhunën, si mjet për arritjen e qëllimeve politike, është tejet i dëmshëm për shoqërinë, në përgjithësi, dhe e gjithë kjo mund të lë pasoja të pariparueshme.
Dashamir Bërxulli, profesor i psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se pavarësisht argumenteve të sakta që mund t’i ketë pushteti apo opozita, shkalla e dhunës verbale apo fizike, e cila tashmë është parë, krijon precedent të rrezikshëm për shoqërinë. Sipas tij, përdorimi i dhunës, si mjet komunikimi dhe për zgjidhjen e problemeve brenda shoqërisë, mund të rritet në mënyrë vertikale.
“Po ta shikosh me vëmendje, mund të rritet radikalizmi i akseve të caktuara nga qytetarët. Edhe nëse s’ka ngjyrim politik, përgjithësisht nisen nga një sfond politik i tensionuar dhe i radikalizuar me plot dhunë, agresivitet verbal dhe etiketime të ndryshme".
" Normalisht, kjo e rrit në shoqëri shkallën e pasigurisë dhe shkallën e pranueshmërisë së dhunës, si mjet për shprehjen e zemëratës së popullatës, pavarësisht se disa arsye edhe mund të jenë të vërteta”, vlerëson Bërxulli.
Profesori i sociologjisë, Shemsi Reçica, thekson se i gjithë dëmi i shkaktuar nga situata aktuale në skenën politike, vjen si pasojë e mungesës së një modeli afirmativ dhe pozitiv për gjeneratat e ardhshme.
“Dëmi më i madh, në këtë situatë, i përdorimit të dhunës, qoftë nga njëra palë ose pala tjetër, ndikon drejtpërdrejt në krijimin e një modeli, ose një modeli negativ të shoqërisë tonë ose një model negativ që do të përcillet te të rinjtë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, sociologu Reçica.
Njohësve të zhvillimeve politike dhe të sjelljeve të shoqërisë, nismën për daljen nga situata e tanishme në skenën politike, duhet ta marrë si barrë mbi vete pushteti. Analisti Matoshi vlerëson se në të kundërtën, shteti do të shkojë buzë greminës.
“Nëse pushteti, që i bie barra kryesore, nuk hyn në bisedime urgjente me opozitën në vend dhe me grupet tjera shoqërore, për ta gjetur një zgjidhje për të dalë nga kriza, unë druaj se ne po shkojmë buzë greminës dhe dikujt kjo po i intereson që eventualisht ta negociojë ndërkombëtare".
"Pra, që ta neglizhojë Gjykatën Speciale (për krime lufte në Kosovë). Këto simptoma janë aktualisht të dukshme dhe shumë shqetësuese për të gjithë qytetarët e vendit”, shton Matoshi.
Sidoqoftë, dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kohët e fundit, nëpërmjet deklaratave publike, janë distancuar nga veprimet e dhunshme që kanë ndodhur gjatë protestave të organizuara nga opozita, si dhe nga sulmet mbi pronat publike dhe private. Nga sulmet mbi veturat zyrtare dhe private, në mënyrë deklarative, janë distancuar të gjitha partitë politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.