Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri, të premtën është përcjellë me protesta të pasuesve të tri partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, por edhe me kremte të qindra simpatizantëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët kanë kremtuar zgjedhjen e liderit të kësaj partie, Hashim Thaçi për president të Kosovës.
Këta të fundit, menjëherë pas zgjedhjes së presidentit të ri nga Kuvendi i Kosovës, kanë dalë për të kremtuar në sheshin Nëna Terezë dhe me fishekzjarrë që nuk kanë pushuar për disa minuta.
Kremta e simpatizantëve të PDK-së, ka vazhduar rreth një orë, me brohoritjet "Rroftë Thaçi".
Në anën tjetër, protesta e organizuar nga tri partitë opozitare, e cila kishte tubuar mijëra pasues të tyre,ka përshkallëzuar pak pas orës 17:00, kur Albin Kurti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, u ka bërë thirrje protestuesve që të zhvendosen nga sheshi "Skënderbeu" për në sheshin “Adem Jashari”, i cili gjendet edhe më afër Kuvendit të Kosovës, për të mundësuar, siç u tha, që "zëri i tyre të dëgjohet" nga ligjvënësit.
“Ne, le ta vazhdojmë protestën tonë në anën tjetër, për shkak se fjalimet tona dhe brohoritjet tona nuk dëgjohen në Kuvend nga kjo anë, por vetëm nga ana tjetër. Ju ftoj që të shkojmë bashkërisht atje”, tha Kurti.
Por, vetëm pak kohë pas këtij fjalimi, situata në sheshin “Adem Jashari” përshkallëzoi kur protestuesit, duke brohoritur kundër Qeverisë së Kosovës dhe duke thirrur "Poshtë Thaçi", kanë filluar të hedhin kokteje molotovi, gurë dhe gjësende të forta në drejtim të objektit të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë intervenuar për shpërndarjen e protestuesve duke hedhur gaz lotsjellës, si dhe kanë përdorur vrushkuj të ujit për të shpërndarë protestuesit.
Policia e Kosovës, e cila më pas ka bllokuar rrugët që qon drejt sheshit “Adem Jashari” dhe sheshit “Skënderbeu”, të cilat janë afër Kuvendit të Kosovës, ka shpërndarë protestuesit duke i shtyrë ata deri në rrugët periferike.
Ndryshe, afër mesditës, Policia e Kosovës ka evituar një përplasje të mundshme ndërmjet pasuesve të opozitës dhe atyre të partive në pushtet, që kishin dalë në përkrahje të liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.
Qetësimit të situatës i kanë shërbyer edhe aktivistët e të dyja palëve, të cilët u kanë bërë thirrje pasuesve të pushtetit dhe të opozitës, që të shmangin përplasjen.
Në kohën kur po zhvillohej seanca në Kuvendin e Kosovës, lideri i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tashmë ka hequr dorë nga mandati i deputetit të Kuvendit, u ka bërë thirrje deputetëve të cilët po marrin pjesë në seancën e së premtes në Kuvend, që të mos e votojnë presidentin e ri të vendit, duke iu referuar liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.
“Deputetëve në parlament ju bëjmë thirrje prej këtu, që të mos e bëjnë gabimin që ta bëjnë dëmin e madh Kosovës. Të mos e votojnë Thaçin për president, sepse atë e ka shkarkuar populli. Mos votimi i tij për president nuk është dëm për Kosovën, nuk është dëm për asnjë forcë politike. Përkundrazi, Kosova shkon në zgjedhje dhe kësisoj dalim të gjithë nga kjo krizë politike”, ka theksuar Haradinaj.
Rreth orës 18:00, Policia e Kosovës i ka larguar edhe tendat nga sheshi “Skënderbeu”, të cilat tri ditë më parë i kishin vendosur pasuesit e partive opozitare.
Liderët e opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, përmes një konference për medie të mbajtur para rreth orës 21:00, kanë theksuar se Hashim Thaçi, i cili në seancën e të premtes të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur për president të ri të vendit, “nuk mund të jetë president i Republikës”.
Visar Ymeri, lider i Lëvizjes Vetëvendosje , ka theksuar se në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, “ka pasur shkelje flagrante të demokracisë”.
“Është një proces jolegjitim, i ushtruar përmes dhunës policore, të urdhëruar nga pushteti. Si i tillë, është një proces, i cili vetëm sa e ka thelluar edhe më shumë krizën në Republikën e Kosovës”, ka thënë Ymeri.
Liderët opozitarë kanë theksuar se për veprimet e mëtutjeshme të opozitës do të informojnë në ditët në vijim.