Pakoja e re fiskale ngriti çmimet e konsumit

Ilustrim

Gjashtë muaj që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, në Kosovë çmimet e konsumit kanë shënuar rritje, duke varfëruar kështu shportën e konsumatorit, vlerësojnë përfaqësues të shoqatave të bizneseve, si dhe atyre që i mbrojnë të drejtat e konsumatorit.

Edhe në të dhënat e indeksit të çmimeve të konsumit, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vërehet se ka pasur rritje të produkteve të konsumit.

Sipas këtyre të dhënave, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.1 për qind në muajin shkurt 2016, krahasuar me muajin shkurt të vitit të kaluar, kur pakoja e re fiskale, nuk ishte në fuqi.

Selatin Kaçaniku, kryetar i Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se ka ankesa të mëdha nga konsumatorët për rritjet të çmimeve, qysh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve tatimore.

“Në vend të uljes së çmimeve, si reflektim i pakos së re fiskale, ne kemi pasur rritje të çmimeve. Nga ndryshimet tatimore ka përfituar arka e shtetit dhe nuk kanë përfituar konsumatorët”, ka shtuar Kaçaniku.

Më 1 shtator të vitit 2015 kishte filluar zbatimi i pakos së re fiskale. Në ndryshimet e pakos së re fiskale ishte përfshirë edhe ndryshimi i Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar pati përcaktuar dy norma të TVSH-së; normën standarde të TVSH-së, 18 për qind, si dhe normën e reduktuar të TVSH-së, 8 për qind.

Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar para këtyre ndryshimeve pati qenë 16 për qind për të gjitha produktet.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se në bazë të hulumtimeve që i kanë pasur në terren, nuk kanë vërejtur ulje të çmimeve të konsumit nga shtatori i vitit 2015.

“Përshkallëzimi i TVSH-së, apo ndryshimi i politikave fiskale në shtator të vitit të kaluar, duke e ulur TVSH-në në produktet bazike, por duke e ngritur TVSH-në në të gjitha produktet e tjera për konsum, nuk ka arritur efektin e vet të dëshiruar, e që ka pasur synim mbështetjen e konsumatorit”, thekson Shahini.

Nga ndryshimet tatimore, shton Shahini, ka përfituar vetëm buxheti i Kosovës, pasi që, siç thotë ai, ka pasur të hyra më shumë nga rritja e tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si dhe nga rritja e akcizës për disa produktet tjera.

“Pakënaqësitë sociale, dhe pakënaqësitë e bizneseve vazhdojnë të jenë në nivel të rritjes...ne kemi më pak se 150 kompani të cilat kanë përfituar nga përshkallëzimi i TVSH-së, kurse të tjerat, të gjitha, janë ngarkuar me vlerat e shtuara të TVSH-së”, sqaron Shahini.

Edhe qytetarët thonë se nuk kanë vërejtur ulje të çmimeve, që nga hyrja në fuqi e kësaj pakoje.

Abdullah Kryeziu, një qytetar nga Prishtina, nuk sheh se ka ndryshuar diçka.

“Nuk ka pasur ndonjë ndryshim, për aq sa kam arritur të vërej unë. Çmimet janë në përgjithësi të njëjta”, shprehet ai.

Derisa, për Nysrete Gashin, një qytetare nga Prishtina, çmimet mund të kenë shënuar rritje dhe në asnjë mënyrë rënie.

“Janë rritur çmimet, në përgjithësi çmimet janë të shtrenjta, nëse marrim parasysh standardin tonë”, shprehet ajo.

Sidoqoftë, kjo pako e re fiskale, që kishte pësuar ndryshime në Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar, nga zyrtarët qeveritarë ishte vlerësuar se ka pasur efekte pozitive në ekonominë e Kosovës dhe në të bërit biznes.

Me lehtësirat që janë bërë, ata kishin deklaruar se ka pasur investime, të cilat kanë nxitur edhe punësim.