Ndërlidhjet

Qytetarët ankohen për çmime të ngritura në fundvit


Ilustrim
Ilustrim

Në prag të festave të fundvitit, ka rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve të konsumit në Kosovë, thonë qytetarët.

Kjo ngritje e çmimeve thonë ata, është bërë një dukuri e cila po përsëritet gati çdo vit.

Sipas tyre, pavarësisht se kompanitë tregtare njoftojnë qytetarët përmes fletushkave se kanë bërë lirime të produkteve të ndryshme, çmimet thonë qytetarët ose kanë mbetur të njëjta, ose kanë shënuar rritje.

Ferdezja një qytetare nga Prishtina, të cilët e takuam në një nga marketet në kryeqytetet derisa po furnizohej me produkte të konsumit, tregon për Radion Evropa e Lirë se ka vërejtur ngritje të çmimeve në produktet bazike ushqimore.

“Janë rritur çmimet. Ka aksione të cilat nganjëherë janë të mira dhe të lira, por në përgjithësi mund të them se çmimet janë të shtrenjta, sidomos për standardin tonë. Sikur të marrësh produkte cilësore do të ja vlente të paguash shtrenjtë, por që në Kosovë kjo nuk vlen, si duket nuk ka kontroll të duhur në kufi nuk hyjnë mallra të ndryshme më cilësi të dyshimtë”, thotë ajo.

Në Kosovë, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kanë treguar se indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,1 për qind në muajin nëntor 2015 krahasuar me muajin tetor 2015.

Derisa, shkalla e inflacionit e matur në muajin nëntor 2015 me muajin nëntor 2014 ishte -0,3 për qind.

Në Kosovë nuk ka ende një mekanizëm të veçantë që e kontrollon ngritjen e çmimeve, dhe kjo ka bërë që sipas qytetarëve tregtarët të bëjnë ngritjen e çmimeve, pasi që për këtë nuk gjobiten nga askush.

Feride Krasniqi qytetare, thotë se nga kjo ngritje po përfitojnë tregtarët nga faktin se blerjet janë më të mëdha dhe më të domosdoshme në këto ditët e fundit të vitit.

“Nuk ka lirime, çmimet janë të shtrenjta, për neve si pensionistë këto çmime janë të papërballueshme, neve vetëm barna nuk na dalin ata para që i marrim e lërë me të blesh diçka”, thotë ai.

Edhe Avdia një pensioniste tjetër ankohet për çmimet e ngritura.

“Jo nuk ka lirime, është dashur të bëhen tani për festa të fundit vitit, por që jo nuk ka ndodhur. Ne do të donim të kishte çmime më të lira që të blejmë diçka edhe ne për këto festa”, shprehet ajo.

Të dhënat e fundit zyrtare dhe të shoqatave ekonomike tregojnë se fuqia blerëse në Kosovë ka shënuar rënie. Arsyet e rënies së fuqisë blerëse vlerësohet të jenë ngritja e çmimeve të konsumit si dhe punësimi i ulët.

Gjatë këtij viti, ekspertët e ekonomisë po ashtu kishin vlerësuar se shporta e konsumatorit është shtrenjtuar në Kosovë që nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri mbi Tatimin Mbi Vlerën e shtuar.

Me ndryshimet që janë bërë në këtë ligj, 90 për qind e produkteve, janë shtrenjtuar për 2 për qind, derisa kanë shënuar rënie vetëm 10 për qind e produkteve.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se duke pasur parasysh që në normën e reduktuar kanë hyrë shumë më pak produkte sesa në normën e rritur, lë të kuptosh që qytetari po paguan më shtrenjtë për shportën e tij.

“Nga aspekti real i buxhetit familjar mund të themi që individi, familja, shkon në minus, arsyet janë të shumta. Nëse i kemi 100 artikuj, 8 deri në 12 artikuj mund të hyjnë në lirim prej 16 në 8, kurse pjesa tjetër, 90 për qind e artikujve tjerë iu është ngritur vlera për 2 për qind dhe kjo vlen edhe për ato familje që kanë të ardhura të ulëta, pasi që ata blejnë edhe produkte me normë të ngritur të TVSH-së”, shton Tahiri.

Që nga fillimi i muajit shator të këtij viti, Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ka përcaktuar dy norma të TVSH-së, si norma standarde e TVSH-së 18 për qind, si dhe norma e reduktuar e TVSH-së 8 për qind.

Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar para këtyre ndryshimeve ka qenë 16 për qind për të gjitha produktet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG