Ndërlidhjet

Ndryshimet e TVSH-së, dëmtojnë bizneset


Ilustrim
Ilustrim

Ndryshimi i Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga 16 për qind në 8 për qind për produktet bazike dhe rritje të TVSH-së nga 16 për qind në 18 për qind për produktet tjera, që fillon të zbatohet nga 1 shtatori, obligon bizneset që të bëjnë ndryshimet teknike në pajisjet fiskale.

Administrata Tatimore e Kosovës ka kërkuar nga bizneset, që të bëjnë rregullimet e nevojshme në programet e tyre dhe të vendosin normat e reja, në pajisjet elektronike fiskale.

E për këtë ndryshim, bizneset duhet të paguajnë një shumë të mjeteve materiale te kompanitë e licencuara të arkave fiskale.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe vetë pronarë të disa bizneseve ankohen për këtë obligim, përderisa përfaqësues të kompanive të arkave fiskale theksojnë se pagesa për këtë shërbim është minimale.

Blerim Miftari, është pronar i një lokali shërbyes në qendër të kryeqytetit. Ai është i mllefosur me vendimet që po merr ministria, siç thotë, në dëm të bizneseve. Obligimet shtesë financiare që nevojiten për këtë shërbim, sipas tij, është dashur t’i përfundojë ministria dhe jo bizneset.

“Kjo është një vazhdimësi e ‘vjedhjes’ që po u bëhet bizneseve dhe këtë e shfrytëzojnë kompanitë e licencuara për shitjen e arkave fiskale. Ajo është një punë teknike, që çdo qytetar mund ta ndryshojë”.

“Ndryshimi nga 16 në 18 për qind është sistem që nuk duhet të kushtojë asnjë cent. Por, ky është manipulim. Kur merret parasysh sa arka fiskale janë të instaluara në biznese, atëherë përfitimet do të jenë të mëdha për kompanitë përkatëse”, thotë Miftari.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se Ministria e Financave kur ka bërë ndryshimin e Ligjit për TVSH-në nuk ka menduar për problemet dhe mjetet shtesë që duhet paguar bizneset.

Institucionet e Kosovës nuk e kanë menduar se si do të tejkalohet kjo sfidë, thotë ai, por më shumë janë marrë me atë se sa do të përfitojnë nga ky ndryshim.

“Ky ndryshim bizneseve do t’u krijojë probleme në programet e kontabilitet edhe në arka fiskale. Qeveria e Kosovës, në këtë rast është dashur t’u dalë në ndihmë operatorëve ekonomikë, të cilët do të mbulojnë koston shtesë për të bërë ndryshime në arkat fiskale”, vlerësonShahini.

Ndryshe, zyrtarë të Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tregojnë se çmimi për ndryshimin teknik të Tatimit mbi Vlerën e shtuar kushton rreth 29 euro.

Zëdhënësi i kompanive të licencuara për pajisje fiskale, Kestrin Kumnova, thotë se pagesa e servisimit është minimale.

“Kompanitë e licencuara e ofrojnë këtë shërbim me pagesë prej 25 eurosh, plus TVSH-ja. Çdo ndërhyrje në pajisje fiskale duhet të bëhet përmes teknikëve të autorizuar për shkak të rëndësisë dhe të dhënave që përmban pajisja fiskale”.

“Siç paguhet për çdo servisim të pajisjeve elektronike, edhe për pajisjet fiskale caktohet pagesa e servisimit, që në këtë rast është minimale”, thotë ai.

Sipas Kumnovës, të gjitha bizneset që në këtë kohë bëjnë kontrollin periodik vjetor , shërbimi i ndryshimit të TVSH-së bëhet pa pagesë.

Ndryshe, shumë biznese e kanë neglizhuar procesin e pajisjeve me arka fiskale. Mbi 130 mijë kompani, sa llogariten të jenë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, deri më tani janë fiskalizuar mbi 27 mijë biznese.

Një ndër arsyet e “ikjes” së fiskalizimit, sipas pronarëve të bizneseve, është çmimi i lartë për blerjen e një aparati fiskal, si dhe çmimi vjetor, siç ka qenë deri më tash, për mirëmbajtjen e tyre.

Por, me qëllim të përshpejtimit të përfundimit të procesit të fiskalizimit të operatorëve ekonomikë, Ministria e Financave, në fillim të këtij viti, ka miratuar një udhëzim administrativ për pajisjet fiskale, udhëzim ky që ul çmimin e fiskalizimit. Po ashtu, edhe kontrolli teknik i pajisjeve nuk do bëhet çdo 12 muaj, por çdo 24 muaj, me një vlerë më të vogël financiare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG