Ndërlidhjet

Bizneset flasin për humbje nga pakoja e re fiskale


Ilustrim
Ilustrim

Pakoja e re fiskale e Qeverisë së Kosovës, e cila ka hyrë të fuqi tre muaj më parë, nga përfaqësuesit e biznesit kërkohet të rishikohet, pasi që, siç thonë ata, kjo reformë ka pasur efekte negative në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ata tregojnë të dhëna të kompanive, të cilat kanë pësuar humbje nga aplikimi i pakos së re fiskale.

Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se pakoja fiskale, në përgjithësi, e ka ngarkuar më shumë konsumatorin, si dhe bizneset.

“Efektet e pakos fiskale, sa i përket kompanisë sonë, kanë pasur një ndikim pozitiv në mjetet qarkullueshme.Na kanë mundësuar që të kemi një sasi më të madhe të mjeteve qarkulluese, mirëpo sa i përket tregut të përgjithshëm mendoj që efekti nuk ka qenë pozitiv, pasi që pas aplikimit të reformës fiskale që nisi më 1 shtator, puna nuk ka shënuar rritje, por ka pasur rënie”, tregon Piraj.

Niveli i produktivitetit të punës, shton Piraj, ka shënuar rënie për shkak të rritjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ai thotë se në disa rajone të Kosovës ka pasur rënie të fuqisë blerëse deri në 7 për qind.

Me reformat e bëra në pakon fiskale, mishit dhe produkteve të tij iu është rritura norma e Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar nga 16 në 18 për qind.

Piraj konsideron se kjo reformë, në mënyrë urgjente, duhet të rishikohet në bashkëpunim me bizneset, pasi që, siç thotë ai, prodhuesit vendorë po dëmtohen.

“Po e përmendi rastin e mishit - në mish është vendosur që në viça të gjallë tatimi në burim është 5 për qind, që do të thotë se mishi pasi të theret, ngarkohet me tatim në burim 10 për qind, pastaj asaj i shtohet edhe 18 për qind TVSH-ja që do të thotë në total del 28 për qind. Kjo bën që mishi vendor automatikisht bëhet i pakonkurrueshëm në treg në krahasim me mishrat që vijnë nga vendet e CEFTA-s, apo nga Bashkimi Evropian”, sqaron Piraj.

Efektet e reformës fiskale edhe sipas drejtorit ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, nuk kanë dhënë efekte pozitive.

“Investitorët e huaj kanë pritur që kjo reformë do të ketë ndikim më të lartë sa i përket zhvillimit të prodhimit vendor, duke pasur parasysh që pakoja fiskale ka ulur normën e tatimit për disa produkte si lënda e parë dhe makineritë prodhuese, por në zbatim të këtyre politikave fiskale mungojnë edhe gjërat tjera teknike, të cilat e bëjnë këtë referomë më të përdorshme”, thekson Balija për Radion Evropa e Lirë.

Nga 1 shatori i vitit 2015, ka filluar zbatimi i pakos së re fiskale. Në ndryshimet e pakos së re fiskale janë përfshirë ndryshimet në Ligjin për TVSH-në (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar), Ligjin për tatimin në të ardhura personale, si dhe Ligjin për tatimin në të ardhura të korporatave.

Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, ka përcaktuar dy norma të TVSH-së, si norma standarde e TVSH-së 18 për qind, si dhe norma e reduktuar e TVSH-së 8 për qind.

Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar para këtyre ndryshimeve ka qenë 16 për qind për të gjitha produktet.

Sidoqoftë, kjo pako nga zyrtarët qeveritarë ishte vlerësuar se ka pasur efekte pozitive në ekonominë e Kosovës dhe në të bërit biznes.

Me lehtësirat që janë bërë, ata kishin deklaruar se ka pasur investime, të cilat kanë nxitur edhe punësim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG