Ndërlidhjet

Reformat e reja fiskale në dëm të qytetarëve


Ilustrim
Ilustrim

Hulumtimet e fundit të bëra nga organizatat joqeveritare në Kosovës kanë vënë në pah se reformat fiskale të paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës, nuk do të kenë efekte pozitive për qytetarët e Kosovës.

Në një hulumtim të publikuar të shtunën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, është theksuar se ndryshimet tatimore jo domosdo do të përkthehen në benefite për qytetarët e Kosovës, por se ka gjasa të mëdha që të ndikojnë negativisht, duke rritur koston e jetës së qytetarëve.

Albana Rexha, hulumtuese në Grupin për Studime juridike dhe Politike, ka theksuar se ulja e TVSH-së për produkte bazike nuk do të reflektojë në çmime më të ulëta për qytetarët.

“Meqenëse lista e këtyre produkteve që do të tatohen me 18 për qind, është shumë më e madhe sesa lista e produkteve që do të tatohen me TVSH-në e zbritshme, kështu duke lënë jashtë edhe shumë artikuj të tjerë që janë bazik siç është patatja, domatja mishi etj., kjo paraqet një rrezik që të rritet kostoja e jetës për qytetarët”, ka thënë Rexha.

Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend një ligj, i cili parasheh reforma fiskale, në veçanti reforma në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ky ligj është thënë se do të hyjë në fuqi në korrik të këtij viti, por që ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Me këtë ligj është paraparë reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 16 për qind në 8 për qind për produktet bazike dhe rritje të TVSH-së nga 16 për qind në 18 për qind për produktet tjera.

Ndryshimet fiskale që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës dhe pritet të miratohen në Kuvendin e Kosovës, ka shtuar Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, janë bërë më shumë për rritje të të hyrave në buxhet dhe, siç është shprehur ajo, një gjë e tillë është bërë si pjesë e një politike populiste e qeverisë.

“Sugjerojmë që Ministria e Financave të bëjë një studim më të thellë rreth impaktit real të këtyre ndryshimeve, si dhe rrezikshmërinë për arritjen e tyre, mbase ato analiza do të sillnin rekomandime të tjera, të cilat do të rezultonin me futjen e një politike tjetër apo në zgjerimin e bazës së TVSH-së, e jo të përshkallëzimit të TVSH-së”, ka shtuar ajo.

Një hulumtim të ngjashëm për reformat fiskale kishte bërë edhe Instituti për Hulumtime të Avancuara.

Berat Thaçi, hulumtues në “GAP”, kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet që do t’i pësojë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pritet të sjellin rritje të çmimeve në shportën e konsumatorit.

“Kur jemi te këto ndryshime fiskale, ndryshimet më të mëdha do të ndodhin te TVSH-ja. Vlen të përmendet se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë TVSH-ja do të përshkallëzohet dhe çka do të ndodhë?! Për shumicën e produkteve TVSH-ja do të ngrihet nga 16 në 18 për qind. Këtu kemi parë se kjo rritje do të sjellë ngritje të kostos së jetës së qytetarit dhe çmimet në përgjithësi do të rriten për 1 për qind”, kishte thënë Thaçi.

Sidoqoftë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar tashmë se duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe faktin se shumica e popullsisë shpenzon rreth 45 për qind të të ardhurave të tyre për produkte ushqimore, atëherë reduktimi i TVSH-së në produkte bazike, vlerësohet se do ta rrisë mirëqenien e qytetarëve dhe në veçanti të atyre me të ardhura më të ulëta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG