Shuarja e strukturave paralele, kusht për Asociacionin

Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Në veri të Kosovës në katër komuna që kryesisht janë të banuara me popullatë të komunitetit serb, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe në Mitrovicën e Veriut, ende funksionojnë strukturat paralele, të udhëhequra nga autoritetet serbe në Beograd.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se në procesin e dialogut me Serbinë në fushat ku janë arritur marrëveshje, ka ndodhur shuarja e strukturave paralele të Serbisë në veri, por ende në atë pjesë të Kosovës ka struktura paralele.

Ministrja e Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, tha se strukturat paralele që aktualisht veprojnë në veri të Kosovës do të shuhen me hartimin e statusit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Është kusht yni që shuarja e gjithë strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, i hap rrugë themelimit të Asociacionit. Kjo marrëveshje, pra që të përfundojë çdo gjë me shuarjen e strukturave paralele, është arritur në Bruksel”.

“Ne ende nuk kemi filluar çështjen e hartimit të statutit, po ky proces kur të fillojë në mënyrë sinkrone në Bruksel, fillon edhe grupi punues trepalësh, i cili ka për detyrë të konstatojë gjendjen në terren dhe të bëhet marrëveshje për shuarjen e plotë të këtyre strukturave të Serbisë në Kosovë”, tha Tahiri.

Ministrja Tahiri theksoi se Serbia, karshi Kosovës, është duke vepruar me standarde të dyfishta.

Në njërën anë, sipas saj, thirret në atë se po vazhdon dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, kurse në anën tjetër nuk shuan strukturat e saj në Kosovë.

“[Serbia] Nuk e bën të qartë se çka kuptojnë ata me normalizim të marrëdhënieve. Për ne, për shtetin e Kosovës normalizimi i marrëdhënieve nënkupton ndërprerjen e çfarëdo ndërhyrjeje të Serbisë në Kosovë dhe krijimin e marrëdhënieve fqinjësore, duke respektuar sovranitetin e njëra-tjetrës dhe duke përfunduar me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”.

“Si kusht i parë është shuarja e të gjitha strukturave paralele të Serbisë në Kosovë. Serbia duhet të heqë nga preambula e Kushtetutës së saj Kosovën. Këto janë kushtet e para që çojnë te fundi i procesit të dialogut, që duhet të rrumbullakohet me njohjen reciproke mes dy shteteve”, theksoi Tahiri.

Analistët politikë në Prishtinë kanë deklaruar se një nga qëllimet e dialogut politik, është edhe eliminimi dhe integrimi i strukturave paralele serbe, ç’gjë sipas tyre, nëse arrihet të bëhet me Asociacionin e komunave të banuara me shumice serbe, do të ishte një përparim.

Funksionimi i strukturave paralele dhe tendenca e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në veri të Kosovës, është një pengesë e madhe që i bëhet Kosovës, thanë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme e Siguri, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo që thuhet nga Qeveria e Kosovës lidhur me shuarjen e strukturave paralele, është një lojë që u bëhet qytetarëve të Kosovës.

“Deri më tash, ajo që ka ndodhur dhe çfarë pritet të ndodhë ose thënë më mirë, çfarë planifikohet të ndodhë, është jo zhbërja e strukturave paralele, por rivendosja ose zëvendësimi i strukturave paralele me strukturat e tjera, nga të cilat kanë lojalitet dhe varësi nga Beogradi e jo nga Qeveria e Prishtinës”, u shpreh Selimi.

Beogradi, për vite me radhë ka zvarritur zhbërjen e strukturave ilegale serbe të sigurisë në Kosovë.

Ndonëse po bëhen gati tetë vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë, Prishtina zyrtare ende nuk ka arritur ta shtrijë në tërësi autoritetin shtetëror në veri të Kosovës.

Kundërshtimi i banorëve serbë të asaj pjese ndaj këtij autoriteti shtetëror, vazhdon të jetë i fuqishëm, sikurse lidhjet e tyre me Beogradin zyrtar.

Edhe bashkësia ndërkombëtare disa herë i ka kërkuar Serbisë zhbërjen e strukturave paralele nga veriu i Kosovës, ndërsa ka inkurajuar palët për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vete.