Ndërlidhjet

Nëse BE-ja nuk vepron, përdoret forca e ligjit


Ilustrim
Ilustrim

Institucionet e Kosovës, janë duke u koordinuar me Bashkimin Evropian, për të reaguar kundër ndërhyrjeve të Serbisë në emërimet e zyrtarëve komunal.

Autoritetet serbe kanë emëruar kryetarin e ligjshëm të komunës së Shtërpces, në krye të komunës paralele të kësaj qyteze.

Ndërhyrje të ngjashme kanë ndodhur edhe në komunat në veri të Kosovës.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian nuk vepron, institucionet e Kosovës "do të përdorin forcën e ligjit lidhur me këto raste".

“Në parimin e bashkëpunimit tonë me Bashkimin Evropian, në kuadër të dialogut të Brukselit, ne kemi qasje që gjithmonë në fazën e parë të krijimit të problemit, kërkojmë një koordinim me Brukselin për hapat që do të ndërmarrim. Mirëpo, nëse Brukseli nuk do të japë përgjigje ose do të vonohet, ne do të jemi të detyruar të përdorim forcën e ligjit”, tha ministrja Tahiri.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka njoftuar “Bashkimin Evropian në lidhje me vazhdimin e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë dhe shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit për normalizim", me rastin e vendimit për vazhdimin e funksionimit të strukturave paralele.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se në radhë të parë Kuvendi, deputetët më shumicë votash, do të duhej të miratojnë një dokument-vendim për shpalljen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë si të paligjshme.

Konjufca thekson se për të gjithë ata persona të cilët përfaqësojnë institucionet e paligjshme paralele, duhet të ngrihet padi.

“Duhet me masa konkrete të çmontohen këto struktura paralele, nëpërmjet organeve të sigurisë dhe të përndiqen penalisht të gjithë ata që bëjnë shkelje të tilla. Gjithmonë e kemi pas si njëlloj, le të themi, marrëveshje të heshtur apo gjentëllmene, që Serbia t'i vazhdojë strukturat e veta paralele, këto të paligjshme dhe të karakterit kriminal, kurse Kosova krejt çka po bën, po ankohet në Bruksel”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Konjufca.

Duke mos vepruar ndaj rasteve të tilla, ai thotë se Kosova është duke u vendosur në një pozicion joserioz si shtet.

“E dimë prej përvojave të caktuara që kur një shtet e tregon veten të pafuqishëm në raport më struktura të tilla dhe nuk mund t’i anulojë, kurse ato vazhdojnë të funksionojnë, ato çështje zakonisht përfundojnë në procese të negociatave”, u shpreh Konjufca.

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se për rastet e tilla institucionet e Kosovës, duhet të veprojnë përkitazi me ligjet dhe kushtetutën.

“Në praktikë është jo ligjore, është anti- kushtetuese dhe nëse më të vërtet ai zyrtar pranon detyrën, ai ka shkelur Kushtetutën”, tha shkurt Rashiti.

Ndryshe, në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, thuhet se "nëse kryetari i komunës emërohet (zgjedhet) edhe përfaqësues i një organi tjetër të emëruar nga një shtet tjetër atëherë konsiderohet ndërhyrje në sistemin kushtetues të vetëqeverisjes lokale".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG