Qeveria e Republikës së Kosovës të premten ka miratuar propozimin i cili përcakton që baza e pensionit kontribut-dhënës të jetë 158 euro, kurse më i larti 240 euro.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në mbledhjen e radhës të Qeverisë, ka thënë se pensioni do të llogaritet sipas koeficienteve të bazuar në kualifikimet e pensionistëve kontribut-pagues.
Ai ka sqaruar se të gjithë personat që kanë përvojë pune mbi 15 vjet para vitit 1999, do t’u njihet automatikisht përvoja si 25 vjeçare.
"Kjo nënkupton që pagesa e pensionit kontribut-dhënës, që është 140 euro, të ngritët në 158 euro, si bazë fillestare për kalkulimin e kontributit dhe kualifikimeve tjera. Kualifikimet ndahen në kategoritë: edukim fillor, edukim i mesëm, edukim i lartë dhe edukim universitar. Bazuar në këto kategori, pensioni kontribut-dhënës bazë do të jetë 158 euro dhe më të lartin synojmë ta arrijmë rreth 240 euro”, thaAbrashi.
Abrashi ka ftuar pensionistët që të sjellin dëshmitë e tyre të kualifikimit, rrjedhimisht edukimit të tyre, duke filluar nga 18 janari deri në fund të shkurtit. Kurse pagesat e pensioneve, sipas tij, do të merren në mënyrë retroaktive nga janari i këtij viti.
Udhëheqësit e Lidhjes sëPensionistëve të Kosovës, ditë më parë, për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se pensionistët kontribut-dhënës do të arrijnë që brenda kësaj periudhe të caktuar të sjellin dokumentacionin e nevojshëm.
Ndryshe, në këtë rritje nuk do të përfshihen punëtorët kontribut-pagues që kanë punuar në periudhën 1989- 1999, periudhë kjo kur punëtorët janë larguar dhunshëm nga pushteti i atëhershëm serb. Numri më i madh i këtyre punëtorëve janë nga sistemi i arsimit dhe shëndetësisë.
Lidhur më këtë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi është shprehur se duhet të formohet një komision që do të bëjë verifikimin e të gjithë atyre që kanë punuar në vitet e 90- ta.
“Dhe të bëhet llogaritja eviteve të punës për ecilin, në mënyrë që t'i shtohet përvojës së punës atij personi që kapasur më herët apo më vonë. Kjo rritje nuk i prek ata; ai është një proces i veçantë,qe ne mendojmë ta fillojmë gjatë këtij viti", ka thënë Abrashi.
Ky vendim ka shqetësuar Sindikatën e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të cilët edhe më herët kanë kërkuar zgjidhje të këtij problemi. Rrahman Jasharaj, kryetar i kësaj sindikate, ka thënë se nëse kjo kategori nuk i merr me rritje pensionet në fund të janarit , sindikata do të ndërmerr veprime sindikale, duke mos anashkaluar edhe grevën.
Ai për Radion Evropa e Lirë ka thënë se numri i punonjësve të arsimit që dalin nëpension gjatë një viti është mbi 500, dhe ata marrin nga 75 euro në muaj.
“SBASHK-ut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë deri sa të jepen pensionet për muajin janar, që është data 23- 24, dhe ta thërrasë Këshillin Drejtues dhe pastaj të vendosim që të shkojmë më veprime sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme", ka thënë Jasharaj.
Përndryshe, në Kosovë llogariten të jenë 40 mijë pensionistë kontribut-dhënës, të cilët aktualisht marrin nga 140 euro në muaj.
Vlera e pensionit të moshës është 80 euro në muaj, të cilët nuk përfshihen në këtë rritje të pensioneve.