Ndërlidhjet

Për cilat kategori rriten pensionet?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Përvoja e punës dhe kualifikimi arsimor do të jenë kriteret kryesore për kategorizimin e shkallës së pensionistëve, thonë përfaqësues të pensionistëve dhe zyrtarë qeveritarë.

Çështja e kategorizimit që është kërkuar me vite nga pensionistët, është aktualizuar javën e kaluar kur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka premtuar se nga muaji janar i vitit të ardhshëm do të bëhet kategorizimi i pensioneve kontribut-pagues, që nënkupton rritjen e pensioneve.

Sipas zyrtarëve të qeverisë, kategorizimi për shkallën e parë do të jetë deri në 170 euro, kurse për shkallën më të lartë 250 euro në muaj.

Por, përfaqësues të pensionistëve të cilët janë në grupin punues në hartimin e udhëzimit administrativ, i cili do të publikohet gjatë muajit nëntor, nuk janë në gjendje të specifikojnë konkretisht se cilat kategori do të marrin mjete nga 170 deri në 250 euro në muaj.

Megjithatë, Shaban Kajtazi, udhëheqës i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, pohon se një ndër kriteret kryesore do të jetë kualifikimi arsimor dhe përvoja e punës.

“Udhëzimi administrativ është në përgatitje e sipër. Ne mund të flasim vetëm parimisht, por jo edhe për elementet dhe kriteret e sakta. Aty do të hynë kualifikimi shkollor, stazhi i punës dhe kontributet. Por, mëqë kontributet nuk dihen se nuk ka shënime të sakta, pra elemente kryesore janë kualifikimi shkollor dhe stazhi i punës”, tha Kajtazi.

Edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se pensionistët kontribut-dhënës duhet të kategorizohen varësisht prej nivelit të arsimit dhe përvojës.

“Kategorizimi, do të thotë rritje të pensioneve për të gjithë, për dikë më pak, për dikë më shumë, sepse aty janë disa kategori në bazë të kritereve, varet sa vite kanë punuar, eksperienca, rrezikshmëria në punë, çfarë pozite ka punuar, çfarë shkollimi ka pasur. Ata me shkollim superior e kanë shkallën më të lartë. E kështu më radhë”, ka thënë Abrashi.

Sipas ligjeve në fuqi, parashtruesi i kërkesës për pension kontribut-pagues duhet të ketë moshën 65 vjeçare dhe minimumi 15 vjet stazh të sigurimit pensional, sipas dispozitave të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, prej tyre së paku 7 vite e 7 muaj stazh pune në Kosovë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se buxheti për kategorinë e pensioneve do të rritet për 23 milionë euro, mjete këto që janë siguruar.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në llogarinë e tij private në rrjetin social Facebook, ndërkaq ka thënë se buxheti me këtë ndarje shtesë do të aprovohet gjatë kësaj jave në qeveri.

Pastaj, sipas tij, varet nga Kuvendi sa shpejtë e aprovon Ligjin e buxhetit për vitin 2016.

Sipas marrëveshjes, siç thotë Kajtazi, mes Lidhjes së Pensionistëve dhe zyrtarëve qeveritar, në muajin nëntor do të miratohet udhëzimi dhe pensionistët do të njoftohen për kategorizim.

“Sipas marrëveshjes me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, dhe ministrin e Financave, Avdullah Hoti, presim që gjatë muajit nëntor të shpallet udhëzimi administrativ dhe pensionistët do të aplikojnë gjatë muajit dhjetor, në mënyrë që të mundësohet realizimi nga janari 2016”, tha Kajtazi.

Ndryshe, sipas të dhënave të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, thuhet se rreth 40 mijë është numri i pensionistëve kontribut-pagues, të cilët aktualisht marrin nga 140 euro në muaj.

Kurse, vlera e pensionit të moshës është 80 euro në muaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG