Ndërlidhjet

Buxhetit për pensione i shtohen edhe 23 milionë euro


Ilustrim
Ilustrim

Qeveria e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar janë pajtuar që të rrisin buxhetin për Ligjin e skemave pensionale të financuara nga shteti.

Zyrtarë të këtyre dy institucioneve, gjatë një konferencë për media kanë bërë të ditur se buxheti për kategorinë e pensioneve do të rritet për 23 milionë euro.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka theksuar se shuma e pensionet do të vendoset në kohen kur t’i kenë të dhënat.

“Ne i kemi 40 mijë pensionistë kontributdhënës të cilit marrin pension 140 euro në muaj. Ligji për skemat pencionale i ka disa skema të pensionistëve kontributdhënës të cilët duhet të kategorizohen, varësisht prej nivelit të arsimit, përvojës, pastaj duhet të fillon të aplikohet skema për pensionet familjare dhe invalidore".

“Sivjet vetëm për këtë kategori kemi pasur 68 milion euro dhe jemi pajtuar që në vitin e ardhshëm të shtojmë buxhetin edhe për 23 milion euro për të mundësuar që të zbatohet plotësisht ligji për skemat pensinoale”, ka sqaruar Hoti.

Çështjen e rritjes së pensioneve kontributdhënës e ka ngritur ditë më parë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se si ministri kanë siguruar mjetet për ngritje të pensioneve dhe se presin vetëm miratimin nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit.

Abrashi ka bërë të ditur se në javën e parë të nëntorit do të dalin me planin konkret sesa do të jetë kategorizimi i pensioneve kontributdhënës.

Ai ka shtuar që synojnë që ky kategorizim të jetë për shkallën e parë 160 deri 170, derisa për shkallën më të larë deri në 250 euro.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, gjatë konferencës për media, ndërkohë ka treguar se ekonomia e Kosovës gjatë këtij viti ka shënuar trende pozitive.

“Vlerësimet e Ministrisë së Financave janë që kjo rritje të jetë 3.8% që është mjaft e lartë krahasuar me vitin e kaluar, dhe presim që vitin e ardhshëm në 2016 të shkojmë afër 4 për qind rritje ekonomike”, ka theksuar Hoti.

Ai ka shtuar se reformat strukturore që janë ndërmarr gjatë këtij viti kanë dhënë rezultatet e tyre edhe në anën buxhetore, edhe në zhvillimin ekonomik si dhe në aspektet sociale të popullsisë.

Por, sipas shefit të misionit të Fondit Monetar Ndërkombtar, Jacque Miniane, zhvillimet ekonomike nuk mund të ecin mirë nëse ka bllokadë në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka theksuar se bllokada në Kuvendin e Kosovës do të shkaktojë dëme në ekonominë e vendit.

“Jemi të shqetësuar me gjendjen aktuale në Kuvend. Ne nuk kemi fare mandat të ju themi kush ka të drejtë. Çdo vonesë e miratimit të ligjit mbi menaxhimin e financave publike do të shkojnë në dëm të të gjithëve dhe po ashtu nga mos miratimi i buxhetit do të humb besimi i investitorëve të huaj”, ka shtuar Miniane.

Partitë opozitare kanë bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës që disa javë, duke insistuar në tërheqjen e nënshkrimeve të kryeministrit Isa Mustafa nga marrëveshja me Serbinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nga marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG