Ndërlidhjet

Mësimdhënësit, të diskriminuar pas pensionimit


Punonjës të sistemit të arsimit në Kosovë, vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre rreth vështirësive që kanë gjatë punës, por edhe me rastin e daljes në pension, pas përfundimit të mandatit të tyre.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ka thënë se shqetësim kryesor dhe njëherësh kërkesë që tashmë e ka dërguar në adresë të zyrtarëve qeveritarë, është fakti se shumica e të pensionuarve nga sektori i arsimit, nuk marrin pensionin aktual të punës, por marrin atë të pleqërisë prej 75 eurosh.

Problemi është, thotë ai, se autoritetet kompetente nuk njohin stazhin e punës për periudhën 1989-1999, kur mësimdhënësit janë larguar dhunshëm nga puna prej regjimit të atëhershëm serb.

Sipas tij, kjo çështje është e rregulluar me ligj.

“Ne kemi shprehur dëshirën që të ulemi në tavolinën e bisedimeve me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe të shohim se ku është problemi. Ligji mbi skemat pensionale të financuara nga shteti, neni 8, pika 6, u garanton të gjithë të punësuarve në arsim, pension të plotë".

"Kjo, pasi vitet e okupimit në të cilat mësimdhënësit kanë punuar dhe nuk e kanë ndalur mësimin asnjë ditë, janë të pranueshme edhe me vendimin e qeverisë së mëhershme, por edhe Ligjit aktual që garanton që pensionet të jenë 140 euro", tha Jasharaj, për Radion Evropa e Lirë.

Kërkesat tjera të SBASHK-ut, thotë Jasharaj, kanë të bëjnë me marrjen e tre pagave mesatare për mësimdhënësit me rastin e pensionimit, si dhe pikat e parealizuara deri më tash nga Kontrata Kolektive, kompensimi prej 70 për qind për biletat e udhëtimit për mësimdhënësit.

Por, Azem Guri, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shkurt ka thënë se projekt-ligji që rregullon këtë çështje është gati që të procedohet në Qeverinë e Kosovës.

"Projekti-ligji për punëtorët e arsimit të viteve 1990-1999 është proceduar për t’ju përcjellur qeverisë nga Ministria e Arsimit si sponzorizues i këtij ligji, dhe aty janë të përcaktuara të gjitha”, tha Guri për programin tonë.

Megjithatë, Rrahman Jasharaj, thekson se duke pasur parasysh situatën e fundit që po ndodhë me bllokimin e seancave në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe nëse projekt-ligji dërgohet në qeveri, nuk pritet miratimi i shpejtë i tij.

“Fatin e atij ligji do të përcaktojë dukshëm edhe situata hiç e këndshme në Kuvendin e Kosovës, sepse nëse bllokohet Kuvendi, ai ligj nuk ka gjasa të shkojë tek parlamentarët, e do të thotë nuk ka gjasa as të votohet dhe as të kthehet në ligj”, tha Jasharaj.

Punimet në Kuvend është duke i bllokuar opozita, e cila kërkon zhbërjen e marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, e cila ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe. Opozita e sheh këtë marrëveshje si hap që çon drejt ndarjes së Kosovës.

Ndryshe, sipas të dhënave të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, rreth 500 mësimdhënës brenda një viti dalin në pension.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG