Ndërlidhjet

Hoti: Kontribut-dhënësit, të vetmit që do të marrin pensione me rritje


Avdullah Hoti
Avdullah Hoti

Nga janari i vitit 2016, pensionistët kontribut-dhënës do të marrin pensionet me rritje, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, projekt-ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, është miratuar nga Qeveria e Kosovës, në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë euro apo 100 milionë euro më shumë se në buxhetin e këtij viti. Si janë orientuar këto mjete?

Avdullah Hoti: Unë mendoj se është bërë një shpërndarje në përputhje me prioritetet që kemi si qeveri dhe e dyta në përputhje me obligimet kontraktuale që kemi. Sigurisht se nuk kemi pasur mundësi ta rishpërndajmë nga zero komplet buxhetin, pasi që kemi obligime nga e kaluara. Shumica e investimeve kapitale që janë në vitin 2016, janë vazhdimësi e projekteve kapitale që kanë filluar dy tre vite më parë në fusha të ndryshme.

Atë hapësirë të lirë që e kemi pasur në investime kapitale për vitin 2016, jemi munduar ta shpërndajmë në sektorë të ndryshëm, në përputhje me prioritetet që kemi si qeveri.

Kemi dy agjenda kryesore që po mundohemi t’i çojmë përpara, që është zhvillimi ekonomik në njërën anë, dhe aspekti social në anën tjetër. Mendoj se ka arsyeshmëri të fortë për t’i çuar përpara këto dy agjenda dhe për t’i harmonizuar bashkë, pasi që papunësia dhe varfëria është mjaftë e lartë.

22 për qind e buxhetit shkon për çështje ekonomike që nënkupton investime në infrastrukturë, projekte të ndryshme që kontribuojnë direkt apo indirekt në zhvillimin ekonomik të vendit. Pastaj është aspekti social që janë benfitet për familjet me asistencë sociale, janë pensionet, janë veteranët e luftës, si dhe kategoritë tjera.

Është edhe fusha e arsimit dhe shëndetësisë që ne e kemi si prioritet, ku 17 për qind e buxhetit shkon për sektorin e arsimit, dhe 11 për qind për fushën e shëndetësisë.

Marrë në tërësi, buxheti është i balancuar karshi shpërndarjes nëpër sektorë edhe i adreson prioritet që ne i kemi si qeveri, duke mos lënë anash asnjë obligim që kemi si shtet.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur deklarata nga zyrtarët qeveritarë për rritje të pensioneve; buxheti për Ligjin e skemave pensionale të financuara nga shteti do të rritet për 23 milionë euro në vitin 2016. A mund të na tregoni më saktësisht si do të ndahen këto mjete?

Avdullah Hoti: Ligji për skemat pensionale i financuar nga shteti është miratuar vitin e kaluar dhe është dashur të implementohet nga një janari, por për këtë nuk ka pasur buxhet të planifikuar.

Buxheti i vitit 2015, që është përgatitur nga qeveria paraprake e që ne e kemi proceduar në Kuvend, nuk ka pasur buxhet të planifikuar për këtë ligj dhe 40 mijë pensionistë kontribut-dhënës janë paguar të gjithë njësoj, nga 140 euro.

Buxheti për këtë [çështje], në këtë vit na ka kushtuar 68 milionë euro, për vitin e ardhshëm kemi planifikuar që të ndajmë edhe 23 milionë euro shtesë për këtë kategori, pra ta rrisim buxhetin në 91 milionë euro, me të cilin mundësohet që të implementohet plotësisht ligji për këto skema pensionale, që nënkupton kategorizimin e pensionistëve kontributdhënës.

Dyzet mijë pensionistë do të kategorizohen sipas përvojës së punës, nivelit arsimor dhe karakteristikat tjera dhe me këtë implementohet skema e re pensionale për pensionet familjare dhe invalidore.

Pra, me këto 23 milionë euro shtesë do të jetë e mundur të implementohen këto dy skema dhe të bëhet kategorizimi i pensionistëve kontribudhënës

Radio Evropa e Lirë: Sa do të jetë pensioni për pensionistët kontribut-dhënës nga janari i vitit 2016?

Ende nuk e dimë, Ministria e Punës është duke punuar intensivisht në përgatitjen e udhëzimeve administrative, në përcaktimin e kritereve se kush mund të përfitojë pensionin familjar ose invalidor dhe në bazë të të cilave kritereve bëhet kategorizmi i këtyre pensionistëve kontribut-dhënës. Pasi ta dimë numrin e tyre, kemi një buxhet shtesë prej 23 milionë eurosh, e shpërndajmë atë dhe do të shohim se sa do të rriten pensionet, krahasuar me atë që kanë aktualisht.

Derisa nuk bëhet kategorizimi, nuk mund të dimë saktë se sa do të jetë pensioni kontribut-dhënës.

Radio Evropa e Lirë: Si do të bëhet kategorizimi?

Avdullah Hoti: Ligji thotë që kategorizohen sipas përvojës së punës, nivelit arsimor, por që me udhëzime administrative, do të specifikohen më në detaje.

Unë besoj që këto informata në pjesën e parë të dhjetorit mund t’i dimë, sepse udhëzimet mund të finalizohen shpejt, pastaj fillon procesi i aplikimit. Komisioni është i gatshëm për të shqyrtuar kërkesat për kategorizim të këtyre 40 mijë pensionistëve, dhe sipas ligjit me një janar duhet të fillojë pagesa me rritje.

E rëndësishme është që ky debat u përmbyll, sepse ka pasur dilema tek pensionistët, ngase edhe ne vet, derisa nuk u dakorduam me Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk ishim të sigurt se sa do të arrijmë të ndajmë për këtë kategori.

Mund të them me kënaqësi se i kemi dhënë prioritet kësaj kategorie. Kjo kategori e pensionistëve kontribut-dhënës është gati e vetmja që do të ketë rritje vitin e ardhshëm, të tjerat kategori pothuajse mbesin të njëjta, përveç shtimit natyror të pensionistëve të moshës.

Radio Evropa e Lirë: Javën e kaluar Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilzim Asociimit, është diskutuar shumë për përftimet që Kosova do të ketë nga MSA-ja, por ajo çfarë është më e rëndësishme të na thoni ju, sa ndihmon MSA-ja në rritjen ekonomike të vendit?

Avdullah Hoti: Unë besoj që kjo marrëveshje në periudhën afatgjatë do të jetë shumë përfituese për vendin. Ne po bëhemi pjesë e një tregu që ka mbi 500 milionë banorë, pra një biznes në vend që të prodhojë për një treg që ka 1.7 milionë banorë, në rastin e Kosovës, tash mund ta gjejë veten në një treg që është mbi 500 milionë banorë.

Normalisht që do të kemi vështirësi sepse bizneset vendore do të përballen me problemin e aftësisë konkurruese të tyre me bizneset që vijnë nga Evropa dhe nuk do të jetë e lehtë, por unë besoj që në periudhën afatmesme dhe afatgjate është e vetmja alternativë, e vetmja mundësi për të mbijetuar bizneset vendore.

Do të jetë përfituese edhe për qytetarët, sepse në një periudhë do të hiqen taksa doganore për shumicën e mallrave që importohen nga Bashkimi Evropiane, kjo nënkupton që për 10 për qind mallrat duhet të jenë më të lira për qytetarët.

Radio Evropa e Lirë: Nga 1 shatori i këtij viti ka filluar aplikimi i reformave fiskale, cilat janë efektet e para që janë vërejtur në ekonominë e vendit?

Efektet janë shumë inkurajuese, unë kam pranuar vërejte dhe kritika të ndryshme, por rezultatet po thonë të kundërtën, të hyrat buxhetore janë rritur, investimet janë rritur shumë si rezultat i pakos fiskale.

Në këtë pako nga 1 shtatori nuk paguhet TVSH-ja në importin e makinerisë dhe lëndës së parë. Deri më tani janë mbi 100 firma që janë autorizuara nga Administrata Tatimore e Kosovës për të importuar lëndë të parë pa TVSH dhe janë mbi 100 firma tjera që kanë kryer investime, pra kanë importuar makineri që janë të liruara nga TVSH-ja, që është minus 16 për qind lirim i kostos së investimit, që është bukur shumë.

Pra, kemi adresuar çështje të zhvillimit ekonomik. Duke liruar koston e investimit janë nxitur investimet të cilat janë kthyer duke rritur punësimin.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët punësimin, Kosova ballafaqohet me nivel të lartë të papunësisë. Nga 120 mijë vende pune të premtuara, sa prej tyre janë realizuar gjatë kësaj periudhe të qeverisjes?

Avdullah Hoti: Është herët të flasim, duhet të presim që të përmbyllet së paku viti i parë i qeverisjes, tash u përmbyll muaji i dhjetë i qeverisjes.

Gjatë këtij viti në resoret ekonomike dhe në Ministrinë e Financave ne kemi arritur të realizojmë pjesën më të madhe të programit qeverisës, duke ndryshuar Ligjin e financave publike, duke ndryshuar Ligjin e prokurimit publik si dhe hyrja në fuqi e pakos fiskale.

Tani po finalizojmë edhe një udhëzim tjetër që është për lirimet tatimore, për të krijuar zona të lira tatimore. Bizneset që dëshirojnë të investojnë do të lirohen nga tatimi në fitim për një kohë të caktuar.

Po ashtu kemi vendosur kontroll të plotë në financat publike, ku kemi arritur të kursejmë 15 milionë euro në mallra dhe shërbime, kemi vendosur rregull të plotë në të gjitha shpenzimet tjera.

Të gjitha këto reforma kanë mundësuar krijimin e rrethinës të një ambienti të nevojshëm për biznes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG