Ndërlidhjet

Nuk ka ulje të varfërisë në dy vjetët e ardhshëm


Prishtinë (Foto nga arkivi)
Prishtinë (Foto nga arkivi)

Në Kosovë norma kombëtare e varfërisë është e lidhur me papunësinë e lartë dhe prandaj nuk pritet të përmirësohet ndjeshëm gjatë periudhës 2015 - 2017, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore.

Raporti vë në pah se papunësia mbetet e lartë për shkak se ritmi i krijimit të vendeve të punës pritet të absorbojë vetëm dy të tretat e punëkërkuesve të rinj.

Në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë.

Të dhënat e nivelit të varfërisë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë të vitit 2011. Sipas këtyre të dhënave, shkalla e varfërisë së përgjithshme është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10.2 për qind.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se mekanizimi kyç për të zbutur tensionet sociale në Kosovë është krijimi i vendeve të reja të punës.

“Në Kosovë flitet shumë më tepër për zhvillimin ekonomik dhe për rritje ekonomike sesa që ka substancë. Në këtë drejtim, nëse i kemi këta indikatorë dhe këtë konjukturë ekonomike, është e pamundur të mendohet krijimi i vendeve të reja të punës”, thotë Gërxhaliu duke shtuar se në Kosovë ka probleme të shumta për të bërë biznes.

Sipas Gërxhaliut, derisa nuk ka fuqizim të sundimit të rendit dhe ligjit, Kosova nuk do të jetë atraktive për investitorët e huaj.

Kosova, thekson ai, duhet të përmirësojë bilancin e pagesave me kusht, që paraja, edhe e Kosovës, edhe diasporës, të mbetet në vend.

“Derisa Kosova do të vazhdojë eksportin e parasë së gatshme, është utopike të mendohet se do të ketë hapa pozitiv në uljen e varfërisë që në të vërtetë mund të jetë një bombë sociale e kurdisur për ardhmërinë e Kosovës”, vlerëson Gërxhaliu.

Rritja ekonomike sipas parashikimeve të Bankës Botërore, pritet të rritet nga 3 për qind, sa është paraparë në vitin 2015, në 3.5 për qind në vitin 2016 dhe 3.7 për qind në vitin 2017.

Për të zvogëluar papunësinë dhe varfërinë në Kosovë, ekonomisti i Bankës Botërore, Agim Demukaj, ka theksuar se Kosovës i duhet rritje ekonomike mbi 8 për qind për një periudhë 10-vjeçare.

“Rritja ekonomike mbi 8 për qind është e mirë, nuk është e pamundur apo e parealizueshme kjo rritje ekonomike. Janë 13 shtete në botë që kanë pasur mbi 20 vjet rritje ekonomike mbi 8 për qind, vetëm se për këtë kërkohet ndryshim i politikave”, ka theksuar Demukaj.

Zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës kishin deklaruar gjatë vitit 2013 dhe 2014 se varfëria e përgjithshme dhe varfëria ekstreme kanë shënuar rënie, por që ende nuk kanë të dhëna zyrtare.

Ata kishin deklaruar se të dhënat përfundimtare janë në finalizim e sipër dhe se së shpejti pritet të publikohen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG